Rreziku i borxhit publik, Bode: Imunë nga kriza e BE

Ministri i Financave, Ridvan Bode
Ministri: Do bëjmë ulje graduale, shumica në monedhë vendëse.
Raporti i fundit i Bankës Botërore ka rikthyer edhe një herë në vëmendje problemin e borxhit publik të vendit tonë. Për ministrin e Financave, Shqipëria ka një nivel të lartë borxhi, por ai nuk përbën rrezik, pasi struktura e tij është e favorshme dhe nuk rrezikohet as nga zhvillimet në BE. Në një konferencë të zhvilluar dje, Bode u shpreh se krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka një borxh të lartë, por me një kosto të ulët, çka e bën atë një borxh jo shqetësues. Ne shërbejmë borxhin ose përmes bonove të thesarit në tregun tonë të brendshëm në lekë, ose nëpërmjet bankave të zhvillimit. Borxh, i cili është me afat të gjatë shlyerjeje dhe me norma të ulëta interesi. Në këtë kuptim, edhe kostoja e borxhit tonë është me e ulët, krahasuar me vendet e tjera që kanë borxh të krahasueshëm me ne apo me vendet e tjera të rajonit, u shpreh Bode. Por, përkundër kësaj pjesë, nga ana e qeverisë është marrë në zotim ulja e nivelit të borxhit publik, e këtë e ka rikonfirmuar edhe një herë kreu i Financave. Kjo në fakt rezulton të jetë e shprehur edhe në kuadrin makroekonomik e fiskal, i cili paraqet një ulje modeste, por graduale, nga 2013-a dhe në vijim. Ndaj borxhit publik ne kemi shprehur qëndrimin që duhet të bëjmë uljen e tij në mënyrë graduale perspektive, në mënyrë që ti krijojmë hapësira më të mëdha ekonomisë reale, pra bizneseve, që të përfitojnë nga kursimet e qytetarëve dhe investimi më mirë, më afatgjatë, më eficient për vendin, është kur kursimet e qytetarëve përdorën nga biznesi, jo nga qeveria, u shpreh ministri i Financave. Këto deklarata erdhën pak ditë pasi kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill, u shpreh se një borxh ideal dhe i menaxhueshëm është në nivelin 40 për qind të GDP-së, ndërsa Shqipëria duhet ta ulë nga 60 për qind në 50 për qind të GDP-së, pavarësisht se borxhi ynë ka kushte të favorshme.
Pensionet
Një tjetër pikë ku ministri i Financave u ndal dje ishte ajo lidhur me skemën e pensioneve. Ndonëse nuk e shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai konfirmoi edhe një herë se skema e pensioneve, e cila është në reformim, do të synojë përdorim eficient të fondeve në dispozicion dhe nga ana tjetër, nxitje të punësimit. Kjo rrjedhimisht lidhet me këshillën e Bankës Botërore për të dekurajuar daljen herët në pension.
NERTILA MAHO