E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat ndaj biznesit, qeveria kërkon para në dorë dhe jo garanci bankare



Ervin Koçi

Hyrja në fuqi e ligjit të ri “Për procedurat tatimore”, që do të nisë nga zbatimi më 1 mars 2009, do të rishikojë edhe njëherë pasqyrat financiare për subjektet e biznesit. Por ky ligj është kundërshtuar sërish fuqishëm nga përfaqësuesit e biznesit vendas, pasi lë në errësirë dhe të papërcaktuar qartë shumë pika që kanë lidhje me pagesat si të taksave, ashtu dhe të gjobave dhe sanksioneve të ndryshme. Sipas këtij ligji, subjektet e bizneseve duhet të paguajnë direkt gjobën tek inspektorët tatimorë në rast se gjobiten, dhe kjo pagesë duhet të bëhet në kesh dhe në masën totale të tij. Por mungesa e përgatitjes së vetë inspektorëve tatimorë për procedurat e reja tatimore mund të shoqërohet me gjoba të padrejta për bizneset, aq më tepër me përdorimin e pasqyrave të reja financiare dhe bilanceve kontabël nga muaji mars. Këto dhe shqetësime të tjera janë ngritur gjatë takimit të radhës, të organizuar midis përfaqësuesve të shoqatave të bizneseve në vend dhe përfaqësues të administratës tatimore dhe doganore.

Ligji i ri

Sipas ligjit të ri, biznesi do të vazhdojë të parapaguajë gjobat në masën 15 për qind, ndërkohë që më pas mund ta apelojë vendimin e tatimorëve në gjykatë. Sipas ekspertëve të Financave, parapagimi i gjobës prej 15 përqindësh është i domosdoshëm në kushtet e ndërhyrjes kategorike të gjykatës, tek e cila ngelin një masë e akteve administrative. Sipas tyre, "apelimi në gjykatë i kushton mjaft administratës tatimore, pasi këtu prej vitesh ka ngrirë një pjesë e mirë e apelimeve". Sipas ekspertëve të Financave, ka mjaft vendime dhe akte administrative që merren nga institucione të larta, si Autoriteti i Konkurrencës apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të cilat nuk kanë marrë asnjë zbatim konkret, sepse kanë mbetur sërish te gjykata dhe hallkat e saj. Në bazë të ligjit, apelimi i biznesit do të bëhet nga tatimorët. Ligji u iniciua nisur nga nevoja e madhe për të ndryshuar ligjin "Për procedurat tatimore", i bërë rreth 10 vite më parë dhe që nuk reflekton ndryshimet e pësuara gjatë kësaj periudhe, si në mjedisin ekonomik, ligjor, ashtu edhe në standardet e miratuara nga një sërë institucionesh ndërkombëtare, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje.

Shqetësimi

Ligji i ri “Për procedurat tatimore” nuk u lejon subjekteve të biznesit që të përdorin garancitë bankare për të paguar, por duhet të derdhin para në dorë (kesh). Me gjithë lehtësitë e krijuara vitet e fundit për bizneset, pengesa të shumta ligjore hasen në interpretim, për të cilat bizneset nuk gjejnë përgjigje te inspektorët tatimorë. Problemet, sipas përfaqësuesve të biznesit, lidhen me mosnjohjen e procedurave të reja, vonesa të shkaktuara nga mungesa e informacionit edhe nga vetë inspektorët. Kjo situatë mund të sjellë gjoba që do të rëndojnë kostot e biznesit. Por sipas drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, ligji i ri shmang takimin me inspektorin për të deklaruar të ardhurat, duke i deklaruar ato në mënyrë elektronike. “Ata që do të kontrollohen mbi bazën e metodave të riskut duhet t’i tregojnë inspektorit librat kontabël që në fakt me ligjin e ri nuk do t’ju duhet t’i çojnë më në zyrën e tatimeve”, - tha drejtori Sefgjini.

Ankesa e biznesit: Tatimet nuk rimbursojnë TVSH-në

Gjatë vitit 2008 tatimorët kanë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH, por rezulton se gjatë këtij viti niveli i eksporteve është rritur me 47 për qind. Eksportuesit janë të shqetësuar për rimbursimin e TVSH-së. Në lidhje me këtë, përfaqësues të Tatimeve sqaruan se rimbursimi do të kryhet brenda 30 ditëve kalendarike, pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Por shumë biznese kanë thënë se kishin 10 muaj që nuk e kishin marrë rimbursimin edhe pasi u ishte bërë kontrolli financiar. Biznesmenët kanë theksuar se ka pasur shumë vonesa në kthimin e tatim-fitimit mbi normën. Ata kanë kërkuar që t’u caktohet një datë dhe një orë e saktë për t’u mbrojtur përpara se çështja të shkojë në një tjetër instancë.

Deklarimi i listë-pagesave, ngërçi mes tatimorëve dhe biznesit

Deklarimi i listë-pagesave për punonjësit e rinj apo ata që janë larguar, është një problem për bizneset. Zyrtarë të Tatimeve janë në dijeni të këtij problemi dhe premtojnë se do të marrë fund brenda tre muajve të parë të vitit 2009. Në rast se deklarimi i sigurimeve shoqërore nuk bëhet brenda 48 orëve, atëherë ai shoqërohet me gjoba nga ana e organeve tatimore ndaj subjekteve të biznesit. Përfaqësues të kompanive të biznesit e kanë ngritur shpeshherë këtë shqetësim, i cili është më i ndjeshëm për bizneset prodhuese që menaxhojnë forca të mëdha pune.

Tatimorët mblodhën 754 milionë euro në 11 muaj të vitit 2008

Të ardhurat nga tatimet gjatë 11-mujorit të vitit 2008 u rritën në 20 për qind. Kjo shifër është krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (2007). Sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të ardhurat në periudhën janar-nëntor 2008 u llogaritën në 754 milionë euro. Rritjen e pagesave në arkën e administratës tatimore drejtori Sefgjini ia ka faturuar si meritë edhe lehtësimit të barrës burokratike ndaj biznesit, por edhe vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit. Ndërkaq, kjo administratë ka parashikuar që gjatë vitit 2009 vetëm të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në 56.191 milionë lekë.

Pikat e debatuara

1. Kontabiliteti

Futja e parimeve të reja të kontabilitetit dhe pasqyrat financiare, sipas përfaqësuesve të biznesit, është një problem që duhet parë me kujdes. Pasi administrata tatimore nuk është e trajnuar si duhet, që do të thotë se mund të krijohen pakënaqësi për bizneset.

2. Apelimi

Një prej kërkesave të biznesit ka qenë apelimi i një gjobe. Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan që të ketë një datë dhe një orë të caktuar për të apeluar në lidhje me një gjobë para se çështja të shkojë në një tjetër instancë, duke u dhënë mundësi mbrojtjeje.

3. Interpretimi

Interpretimi i procedurave tatimore, sidomos në lidhje me taksimin e dyfishtë, ka detyruar biznesin që të kërkojë më shumë mirëkuptim nga tatimorët. Punonjësit e Tatimeve duhet të japin përgjigje të qartë dhe jo përgjigje standarde si “referoju ligjit”.

4. Rimbursimi

Problemet e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit, por edhe rimbursimi i tatimit mbi normën për fitimin, kanë qenë disa nga çështjet e tjera të ngritura nga biznesi. Sipas përfaqësuesve të biznesit, administrata tatimore nuk është korrekte në këtë drejtim.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›