BMW auto, 8 çuditë për 2009-n
Ndërsa prodhues të caktuar shtyjnë prezantimin e modeleve të reja, në BMW po përgatiten për vitin e ardhshëm me të gjitha forcat. Nëse mund t’i besohet ekipit të blogut të BMW-së, bavarezët kanë një varg premierash të mëdha të gatshme për vitin e ardhshëm. BMW fillimisht në Panairin e Automjeteve në Detroit, i cili mbahet në mes të muajit janar, do të paraqesë modelin “Z4”. Më pas, në muajin mars, në panairin e automjeteve të Gjenevës do të vijë prezantimi i formës konceptuale të BMW-së “Progressive Activity Vehicle” (i ndarë në dysh, gjysma seria 5 e gjysma tjetër X6), “Concept Drive” (seri elektrike 1 apo 3) dhe “Z4 Individual e Rols Royce 102EX”. Në muajin prill, në Shangai do të prezantohet modeli “760 Li”, ndërsa Panairi i Automjeteve në Frankfurt do të jetë i rezervuar për formën serike të konceptit serik nga Gjeneva “Progressive Activity Vehicle” dhe “Mini Crossover”. Modeli befasues pritet të jetë koncepti i automjetit sportiv elektrik i së ardhmes “Vision-Z”. Gjatë vitit të ardhshëm, BMW-ja do të na prezantojë edhe serinë hibride 7 e serinë “7 xDrive”, “X5 M”, “X6 M” si dhe “X6 Active Hybrid”.
Volkswagen përgatit më të fuqishmin Polo GTI
Këtë vit, gjermanët do të na befasojnë me gjeneratën e re të automjeteve të vogla dhe me variantin e më të fuqishmit të quajtur Polo GTI. Në aspektin e jashtëm, ky automjet do të përmbajë të gjitha format e dizajnit, të cilat e kanë bërë të suksesshme gjeneratën e mëparshme. Në këtë model do të përfshihet edhe rrjeti i ftohësit, thithësi më i gjerë i ajrit, paketa aerodinamike e përbërë nga mbrojtësit e përparmë dhe të prapmë si dhe xhamat e errët. Nën kapakun e motorit do të gjendet motori ekonomik, por eksploziv, prej 1.4 litrash TSI i cili zhvillon 180 KF me moment rrotullues prej 250 Nm. I çiftëzuar me marshin prej shtatë shpejtësish DSG me lidhje të dyfishtë, ai do të duhet t’i sigurojë Polos GTI arritjen e shpejtësisë deri në 100 km/h për më pak se shtatë sekonda dhe atë maksimale prej 230 kilometrash në orë.
Së shpejti, “Megane RS” i ri
Që në prezantimin e automjetit të ri “Megane”, adhuruesit e shpejtësisë po presin me padurim edhe modelin Renault Sport.
Nëse mund t’i besohet portalit automobilistik britanik Autocar, pritjes shpejt do t’i vijë fundi sepse Renault është duke përgatitur “Megane RS” për panairin e automjeteve që do të mbahet gjatë muajit mars të këtij viti. Automjeti mendohet të shfaqet në formën kupe me tri dyer, megjithatë supozohet se francezët planifikojnë ta shesin në versionin “hatchback” me pesë dyer.
Nga pikëpamja vizuale, automjeti do të pasurohet me shumë detaje nga koncepti “Megane Trophy”, i cili është paraqitur në panairin e automjeteve në Paris. Supozohet se atë do ta vërë në lëvizje motori i njëjtë dylitërsh me turbombushës dhe katër cilindra si në serinë e mëhershme të “Megane R26”, megjithatë ai është përpunuar për të zhvilluar 250 KF. Me marshin joautomatik prej gjashtë shpejtësish, automjeti njëqind kilometra në orë do t’i arrijë për gjashtë sekonda dhe shpejtësinë maksimale prej 250 km/h.
10 Janar 2009