Hipoteka, procedurat që ndiqen kur fiton gjyqin në gjykatë
Laureta Rryçi
Pronarët që kanë mundur të fitojnë pronën e tyre falë një vendimi të formës së prerë duhet të ndjekin disa procedura për të kryer regjistrimin në Hipotekë. Gazeta “Albania”, në numrin e sotëm, sjell dokumentet që duhet të dorëzojnë ata për të marrë aktin e pronësisë si dhe rregullat që do t’u duhet të ndjekin për të realizuar një proces të rregullt. Sipas specialistëve pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimet e vendimit të gjykatës për fitim pronësie duhen 30 ditë. Qytetari që ka fituar procesin civil në të trija shkallët e gjyqësorit duhet të dorëzojë vendimin e formës së prerë dhe plan-rilevimin që jep të dhëna për pronën në fjalë. Dokumenti i parë merret në Gjykatë, ndërsa i dyti duhet të firmoset nga një topograf me licencë. Të njëjtat burime shpjegojnë se gjatë viteve të fundit, një pjesë e konsiderueshme e pronarëve për të marrë aktin e pronësisë më parë iu është dashur t’i drejtohen gjykatës. Këtë fakt e tregon më së miri edhe shifra e lartë e dosjeve që gjykohen në një vit në gjykatat e vendit.
Shërbimet
Për të gjitha shërbimet që kryen Zyra për Regjistrimin e Pasurive janë përcaktuar kode për shkak të sistemit të ri elektronik.
Hipoteka ka përcaktuar kodet dhe shërbimet për dokumentet që shërbejnë për kalimin e pronësisë, informacionin, regjistrimin dhe fshirjen e barrave, regjistrimin e pasurisë truall/ ose ndërtesë të fituar dhe së fundmi dokumentet për regjistrimin fillestar të pasurisë. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme operojnë çdo ditë për regjistrimun fillestar të pronave sipas legjislacionit që u ka mundësuar këtë pronë qytetarëve. Për pasojë dhe dokumentet që duhen për secilën nga këto pasuri janë të ndryshme.
Ish-pronarët
Pasuritë e paluajtshme, të kthyera ose të kompensuara fizikisht, që janë përfituar nga ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, regjistrohen në bazë të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, plan-vendosjes, dëshmisë së trashëgimisë në rastet kur prona i është kthyer trashëgimlënësit si dhe procesverbalin e marrjes në dorëzim të pronës (dorëzimi i ndërtesës ose piketimi i truallit) veçanërisht në rastet kur nuk është i mundur të bëhet identifikimi në HTR. Ndërsa për pasuritë e kthyera ose të kompensuara fizikisht në bazë të ligjit “Për kompensimin në vlerë ose me troje ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve, duhet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, plan-vendosja, dëshmia e trashëgimisë në rastin kur prona i është kthyer trashëgimtarëve si dhe proces verbali i dorëzimit të mbajtur mes drejtorisë së shërbimit pyjor dhe pronarit që i është kthyer prona. Pasuritë e paluajtshme të njohura në bazë të dekretit të Presidentit të Republikës “Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve” regjistrohen me paraqitjen e aktit të dhurimit nga Komisioni i Përbashkët i Bashkisë dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, plan-vendosja si dhe dokumenti për marrëdhëniet me truallin.
Banesat shtetërore
Pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vazhdojnë të jenë të shumta kërkesat për regjistrimin e objekteve shtetërore që i kanë kaluar në emër të qytetarëve. Kjo kategori personash që kanë fituar nga ligji për “ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore” duhet të dorëzojnë aktin e marrjes së tokës në pronësi apo në përdorim ose kontratën e marrëdhënieve me truallin midis Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB_ve dhe subjektit. Ndërkohë po aq e domosdoshme është edhe kontrata e shit-blerjes së objektit si dhe plan-vendosja.
Regjistrim vendimi gjykate për fitim pronësie
Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/ vonese: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati max. i procedurës: 30 ditë pune
LISTA E PLOTË E DOKUMENTEVE QË NEVOJITEN PËR VEPRIME NË ZVRPP
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
Vendim gjyqësor GJ1 Vendim gjykate ose marrëveshje noteriale për krijim servituti Gjykata
GJ2 Vendim gjykate ose marrëveshje për heqje servituti Gjykata
GJ3 Vendim gjykate për caktimin e kujdestarit të miturve anëtarë të familjes bujqësore Gjykata
GJ4 Vendim gjykate për fshirje Gjykata
GJ5 Vendim gjykate për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ6 Vendim gjyqësor ose akt noterial për vendosjen e hipotekimit Gjykata
GJ7 Vendim gjyqësor për kalimin e pronës së paluajtshme në pronësi të fituesit të ankandit Gjykata
GJ8 Vendim gjyqësor përfundimtar i formës së prerë Gjykata
GJ9 Vendim gjyqësor të shkallës së parë ose vërtetim me shkrim nga organi që ka bërë gabimin në dokumentin përkatës Gjykata
GJ10 Vendim i Gjykatës për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ11 Vendimi i këshillit të komunës Gjykata
GJ12 Vendimi gjyqësor për vënie sekuestro ose i ndërmjetëm Gjykata
GJ13 Vendim gjyqësor për heqje dore nga trashëgimia Gjykata
GJ14 Vendim gjyqësor për ndërrim emri Gjykata
GJ15 Vendim gjyqësor për çelje trashëgimie Gjykata
11 Janar 2009