E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, emrat e 33 kandidatëve në garë

Në listë bien në sy emrat e kreut aktual Dobjani, nënkryetares së KQZ, Dëshira Subashi, Besnik Dervishit dhe kreut të të Përndjekurve, Besim Ndregjoni

Partia Socialiste ka publikuar dje listën e plotë të aplikantëve që kanë paraqitur interes për garën për Avokat të Popullit. Në fakt nuk kanë qenë 31 emra, siç edhe u deklarua në mbyllje të fazës së aplikimit, por dy më shumë, pra 33. Dhe kjo për shkak se vetëm të martën, sipas komisionit të posaçëm të ngritur për këtë proces, kanë mbërritur me postë edhe dy aplikime të reja, të cilat ishin dërguar brenda afateve të caktuar. Në listë bien në sy si persona politikë ashtu edhe të fushës juridike, ndërmjet të cilave dhe 4 femra. Emrat më të spikatur të kësaj liste janë: ish-Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ish-ministri i Turizmit, Besnik Dervishi, kreu i Shoqatës së të Përndjekurve, Besim Ndregjoni, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, apo edhe ish-deputeti socialist, Sokol Hazizaj.

Lista

Komisioni Përzgjedhës për kandidaturën e Avokatit të Popullit ka shpallur dje listën e plotë me 33 kandidatë, pra dy më shumë sesa ishin ditën e mbylljes së aplikimeve. “Për shkak se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë mbërritur me postë edhe dy aplikime të nisura brenda afatit, numri i deklaruar në media gjatë pasdites ka shkuar nga 31 në 33 kandidatura”, - shpjegon komisioni përkatës në lidhje me listën finale në faqen e posaçme të krijuar nga PS për këtë proces. Kështu, në listë ka emra gati të panjohur për publikun, por që duket se plotësojnë kriteret ligjore, si dhe emra të tjerë më të njohur, por që në disa raste bien në kundërshtim me parimet e shpallura nga PS-ja për emërimet në institucionet kushtetuese, pra midis të cilave dhe përkatësia politike apo të qenit funksionar politik. Lista nis me Adrian Kasapin, Agron Çaushin, Agim Shimën, Anton Lleshajn, Arben Spahon e mbyllet me emra të tillë si Mikel Gega, Nuredin Salati, Përparim Kabo, Qirjako Qirko, Rovena Voda, Sotiraq Nushi dhe Sherif Hoxha. Por mes listës ka plot emra të tjerë që janë të njohur jo pak për publikun, ku mund të përmendim Artur Lazebeun, për shumë kohë drejtor për Marrëdhëniet me Mediat në institucionin e Avokatit të Popullit dhe së fundi edhe komisioner i tij; Besim Ndregjoni, përfaqësues i Shoqatës së të Përndjekurve politikë, Blerta Kraja, avokate e njohur për mbrojtjen e çështjes “Gërdeci” si dhe të Partisë së Pensionistëve në zgjedhjet e fundit lokale. Gjithashtu, interes për këtë garë ka shprehur edhe Ermir Dobjani, Avokat i Popullit për dy mandate dhe që kërkon kështu një mandat të tretë. Gjithashtu, në listë janë përfshirë edhe emra të njohur të politikës, ndërmjet të cilëve bie në sy anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Besnik Dervishi, ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ksenofon Krisafi, ish-deputeti socialist, sot në rolin e avokatit, Sokol Hazizi. Për postin e Avokatit të Popullit ka kandiduar edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila tashmë ka mbushur moshën e pensionit.

Procedura

Duke shprehur kënaqësinë për numrin e konsiderueshëm të aplikimeve, komisioni garanton në një njoftim të publikuar në faqen në internet, çdo kandidat dhe kandidate për një proces rigoroz e transparent përzgjedhjeje të ndarë në dy faza. Faza e parë që do të mbyllet të enjten në mbrëmje, datë 8. 12.2011, do të zhvillohet mbi bazën e shqyrtimit të dosjeve të paraqitura nga secili prej aplikantëve. Në fund të shqyrtimit do të përzgjidhet një numër më i vogël kandidaturash që do të ftohen në dëgjesën publike.

Lista e aplikantëve për

pozicionin e Avokatit të Popullit

1.Adrian Kasapi

2.Agron Çaushi

3.Agim Shima

4.Anton Lleshaj

5.Arben Spaho

6.Artur Lazebeu

7.Artur Çobani

8.Besim Ndregjoni

9.Besnik Dervishi

10.Bilal Kola

11.Blerta Kraja

12.Darjel Sina

13.Dëshira Subashi

14.Elidon Habilaj

15.Elisabeta Imeraj

16.Eni Çobani

17.Ermir Dobjani

18.Ermir Hajdini

19.Genci Terpo

20.Gent Ibrahimi

21.Gjet Kola

22. Kastriot Frashëri

23.Ksenofon Krisafi

24.Igli Totozani

25.Irvin Faniko

26.Mikel Gega

27.Nuredin Salati

28.Përparim Kabo

29.Qirjako Qirko

30.Rovena Voda

31.Sokol Hazizaj

32.Sotiraq Nushi

33.Sherif Hoxha

Zgjedhja e avokatit, brenda dhjetorit

Brenda muajit dhjetor, Shqipëria mund të ketë një Avokat të ri të Popullit. Me këtë synim, Partia Socialiste ka vendosur të procedojë më shpejt për të përzgjedhur emrin që do t’i propozojë Kuvendit për emrin e ri të kreut të këtij institucioni. Ndaj sot, ajo ka vendosur të përmbyllë procesin e shqyrtimit të dosjeve për të bërë një përzgjidhje të një numri më të vogël kandidaturash që do të ftohen në dëgjesën publike të së hënës së 12 dhjetorit 2011. Shpallja e emrave të përzgjedhur do të bëhet në përfundim të mbledhjes së Komisionit Përzgjedhës të enjten mbrëma, nëpërmjet faqes online të këtij konkursi. Çdo kandidat apo kandidate do të dëgjohet për 15 minuta, gjatë të cilave do të paraqesë vizionin e vet për detyrën e Avokatit të Popullit. 10 minuta të tjera do të jetë koha e pyetjeve nga ana e komisionit, në funksion të shtjellimit të vizionit të paraqitur apo shpjegimeve të ndryshme, që me gjasë do të nevojiten për procesin e përzgjedhjes. Renditja e kandidaturave për dëgjesën publike do të bëhet me short dhe shorti do të hidhet në prani të të gjithë të përzgjedhurve të hënën e ardhshme në orë 9:30, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Tiranës, ku edhe do të zhvillohet dëgjesa publike duke nisur nga ora 10:00. Dëgjesa do të jetë e hapur për median dhe do të transmetohet e plotë live në ekranin e PS.TV, në faqen online të Partisë Socialiste. “Me vlerësimin dhe kujdesin më të madh për garantimin e këtij procesi që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nga një parti politike, si edhe me bindjen se suksesi i tij do të përbëjë një gur të rëndësishëm themeli në rrugën e ndërtimit të një modeli të ri qasjeje të politikës ndaj institucioneve të shtetit, ne u urojmë sukses të gjithë të interesuarve dhe e sigurojmë publikun shqiptar në vullnetin tonë për transformimin demokratik të jetës së vendit”, thuhet në njoftimin e komisionit të ngritur për këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›