Gjobiten 66.3 milionë lekë importuesit e grurit, shkelën konkurrencën
Komisioni i Konkurrencës vendosi dje që për pjesëmarrje në marrëveshjen e ndaluar, të gjobisë ndërmarrjen “Bloja” sh.a. në shumën prej 38.5 milionë lekësh dhe ndërmarrjen “Atlas” sh.a. në shumën prej 27.8 milionë lekësh
Marrëveshja e fshehtë për të mbajtur të kontrolluara çmimet në treg, duket se i ka kushtuar shumë rëndë dy kompanive të importit të grurit dhe prodhimit të miellit.
Autoriteti i Konkurrencës pas hetimit disa ujor të kryer ndaj firmave “Atlas” sh.a. dhe “Bloja” i ka gjobitur të dyja së bashku me një vlerë prej afro 66.3 milionë lekësh, pasi ato kanë shkelur konkurrencën e lirë. Autoriteti i Konkurrencës, duke pasur parasysh shqetësimin publik shprehur edhe përmes medias, lidhur me rritjen e çmimit të bukës gjatë vitit 2008, mori në konsideratë nivelin e konkurrencës në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Gjatë periudhës së hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka kryer një sërë inspektimesh në ndërmarrje që veprojnë në këtë treg, si dhe ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme publike, për të siguruar të dhëna të nevojshme për këtë hetim. Nga hetimi rezultoi se ndërmarrjet “Atlas” sh.a. dhe “Bloja” sh.a., nuk kanë konkurruar në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Këto ndërmarrje kanë koordinuar sjelljen për sa i përket përcaktimit të çmimeve të tregtimit të produkteve përkatëse, si dhe kanë ndarë burimet e furnizimit. Si pasojë e kësaj sjelljeje, këto ndërmarrje kanë aplikuar çmime të njëjta të shitjes së grurit për prodhimin e bukës. Këto dy ndërmarrje kanë fuqi të ndjeshme në treg. Kjo praktikë e bashkërenduar në zbatim të neneve 3, pika 4 dhe pikës 1, germa “a” dhe “c” të nenit 4 të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, është marrëveshje e ndaluar, pasi pengon dhe kufizon konkurrencën e lirë dhe efektive në treg. Marrëveshja e ndaluar është horizontale, pasi ndërmarrjet së bashku veprojnë në të njëjtin nivel tregu (në tregun e importit të grurit për bukë), dhe për shkak të integrimit vertikal të tyre, ka sjellë pasoja në tregun e shitjes së grurit dhe të prodhimit e shitjes së miellit për prodhimin e bukës. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi dje që për pjesëmarrje në marrëveshjen e ndaluar, të gjobisë ndërmarrjen “Bloja” sh.a., në shumën prej rreth 38.5 milionë lekësh dhe ndërmarrjen “Atlas” sh.a. në shumën prej rreth 27.8 milionë lekësh. Komisioni i Konkurrencës kishte konstatuar marrëveshjen e ndaluar ndërmjet këtyre ndërmarrjeve dhe kishte vendosur ndalimin e saj, me vendimin nr. 113, datë 19.05.2009 “Për ndalimin e marrëveshjes në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit midis ndërmarrjeve “Atlas” sh.a. dhe “Bloja” sh.a. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës (me anë të vendimit për “Mbylljen e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, prodhimit dhe shitjes së miellit për prodhimin e bukës dhe rekomandimet përkatëse”), vendosi që të mbyllë hetimin ndaj ndërmarrjeve të tjera që veprojnë në treg, pasi nuk u gjetën prova për shkelje të ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Në mënyrë që të nxitet konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e importit të miellit dhe prodhimit të bukës, Komisioni i Konkurrencës ka miratuar disa rekomandime që u drejtohen institucioneve të ndryshme publike. Konkretisht Komisioni i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të rishikojnë praktikat e çmimeve të referencës si dhe të rivlerësimeve tatimore në tregun e importit të grurit, për efektet e mundshme që mund të sjellin në kufizimin e konkurrencës në treg. Komisioni i ka rekomanduar edhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, që të sigurohet se pasqyrat financiare të pasqyrojnë saktë dhe drejt gjendjen pasurore dhe situatën financiare të ndërmarrjeve “Atlas” sh.a. dhe “Bloja” sh.a., si dy ndërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg. Sipas ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për mbledhjen e gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës, ngarkohet Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.