E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska plan për ndërmarrjet publike

Asnjë vend në rajon nuk i ka shitur të gjitha aksionet e ndërmarrjeve publike. Në Bullgari, Kroaci e Poloni, Qeveria ka mbajtur të drejtën për aksionin e artë, me të cilin i jepet e drejta të ndërhyjë në ndërmarrje kur nuk performon si duhet. Shqipëria, me ligj nuk lejon që të shiten më shumë se 76 për qind të aksioneve. Ndërsa Qeveria e Kosovës ende nuk e di se cili është plani i saj në këtë drejtim.

Për këtë edhe është kritikuar në raportin e fundit të Institutit Riinvest, Dilema apo ngecje në rrugën e shpejtë, të publikuar të martën. Sipas këtij hulumtimi, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërtuar politika të qarta në lidhje me ristrukturimin pronësore të ndërmarrjeve publike, pas raundit të parë të privatizimit, respektivisht nëse do të shesë të gjitha aksionet, apo një pjesë do ta mbajë në pronësi.

Megjithatë, privatizimi i ndërmarrjeve publike, nga kreu i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, vlerësohet domosdoshmëri, pasi që vetëm sektori privat mund ta rrisë performancën e menaxhmentit të këtyre ndërmarrjeve.

Të gjithë pajtohemi se situata në këto ndërmarrje nuk është e mirë. Por, njëkohësisht nuk ka asnjë model universal për këtë çështje. Secili vend ka zgjedhur modelin që atij i është përgjigjur. Edhe ne do të gjejmë mënyrën që ne na përgjigjet, ka thënë Shala, të martën në debatin të organizuar nga Riinvest.

Në këtë debat u tha se përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike do të ketë ndikim direkt dhe të fuqishëm në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës. KEK-u, PTK-ja dhe ANP-ja e, sipas këtij raporti, përballen me mbi punësim dhe keqmenaxhim.

Ende ka mungesë të transparencës lidhur me procedurat e dhënies së tenderëve , të punësimit dhe pagat e menaxherëve, tha Alban Hashani, që mbajti prezantimin kryesor.
Për kompaninë më profitabile në vend thuhet se është e mbipunësuar, pasi që vetëm gjatë 12 muajve ka punësuar mbi 700 persona. MEM-i në Kornizën e fundit Afatmesme të Shpenzimeve deklaron se PTK-ja do të shitet si tërësi me vlerë prej 500 milionë eurosh, ndërsa disa menaxherë më herët kanë thënë se ajo vlen mbi një miliard euro.
Ekspertët rekomandojnë që në fazën fillestare Qeveria të mbajë një përqindje të konsiderueshme të aksioneve të PTK-së.

Sa i përket KEK-ut, në raport thuhet se kjo kompani gjatë gjithë kohës ka operuar me humbje dhe si rezultat i performancës së dobët operacionale dhe financiare të KEK-ut, sektori i energjisë është shndërruar në pengesë në rritje, por gjithashtu edhe një barrë fiskale. Ajo nga buxheti i Kosovës ka marrë mbi 200 milionë euro. Ministri Shala thotë se që nga paslufta, në KEK janë investuar mbi 1,2 miliard euro dhe sërish nuk kemi rrymë të mjaftueshme.

Ndërkaq, në analizën e raportit Riinvest për ANP-në thuhet se ka mbipunësim, krahasuar me aeroportet e vendeve fqinje. ANP-ja ka mbi 700 punëtorë, ndërsa Aeroporti i Tiranës, që shërben një numër të ngjashëm të udhëtarëve, ka tejkaluar numrin prej 300 të të punësuarve.

Mirëpo, në kuadër të ANP-së janë edhe disa shërbime, prej të cilave është liruar koncesionari i aeroportit në Rinas. Mbi të gjitha, ekspertët në këtë debat kanë shfaqur shqetësimin për kompetencat e mëdha që i janë dhënë grupit ndërministror që do të udhëheqë privatizimin. Sipas tyre, marrëveshja për koncesion është më mirë të bazohet në ligj, sesa në kontratë të nënshkruar nga Ministria, apo Qeveria.

Në këtë mënyrë, jo vetëm se do të jetë nën llupën e procedurave parlamentare, por do të ketë më pak gjasa që të jetë subjekt i pazarllëqeve në rastet kur ndërrohen qeveritë, thuhet në raport.

Rreth këtij vlerësimi ka reaguar drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa. Para një muaji kemi zhvilluar një vizitë zyrtare në Aeroportin e Tiranës dhe drejtoresha e kësaj kompanie na ka sqaruar se në total, nëpërmjet shërbimeve të subkontraktuara, si ai i sigurimit, i mirëmbajtjes, etj. kanë mbi 700 punëtorë, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, në këtë numër nuk llogariten punëtorët e kontrollit ajror që në Shqipëri janë të ndarë veçmas nga aeroporti, ata të restoranteve dhe zjarrfikësit. Në Aeroportin e Tiranës, 280 persona marrin paga në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kompania, 200 të tjerë punojnë në sigurim që paguhen nga kompania kontraktuese, 120 në mirëmbajtje, 50 punëtorë sezonalë, 250 janë në kontrollin ajror, 35 zjarrfikës etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›