E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përgjigje politike për Teatrin Kombëtar



Ta marrim si ironi, si realitet apo më keq akoma si një mentalitet që zor se do t’i shkulë rrënjët edhe nga Teatri Kombëtar - kur shfaqja e një prej regjisorëve “të rinj”, pra ajo që reflektoi mbi veprën e Kin Dushit, të tregojë vlerën reale të kohës. Sa mbrapa jemi. Vepra e shkruar në vitet ’50-të, - vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, nga regjisorja Sonila Ulqinaku si projekt i festivalit të të rinjve, që iniciohet nga ky institucion prej disa vitesh,- ndoshta jo aq për “meritë” të autorit, por bën mirë të shihet prej të gjithëve prej meritës së regjisores.

Ulqinaku ka dhënë një leksion në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, ajo që u ndërtua gati me klering nga një drejtues paraardhës, dhe këtë të hënë në mbrëmje, tavani kishte filluar të pikonte seriozisht nga shirat.

“Banorët e shkallës numër 5” shkruar në kulmin e regjimit komunist, kur intelektuali dhe liria kishin humbur sensin, kur ironia e shqiptarëve përcillet vetëm me qenien e tyre fizike, kur “disiplina e hekurt çonte në ndrydhje ekstreme” – pikërisht ky profilizim i asaj kohe në teatrin e sotëm nuk është ndonjë distancë e madhe sa për të humbur sjelljet sociale që mbizotëronin atëherë. Por për të rinjtë, që kanë gjurmë baballarësh, kjo atmosferë do ca mund për ta ngritur në një përfytyrim real, kritik, dhe reflektues- aq më tepër ta sjellë në sensin grotesk se një pjesë e jona, e mirë e shoqërisë ende trashëgon të njëjtin mentalitet. Vetë Teatri Kombëtar është një realitet. Ulqinaku ka bërë një prerje ironike të veprës së Kin Dushit, me një grup të rinjsh, ku shumica nuk janë aktor të mirëfilltë, por të shkollës së regjisurës. Një situatë e pastër përpjekje për të treguar shkollën e teatrit, si ide krijuese, origjinale dhe jo thjesht shabllon teksti, siç kanë bërë regjisorë me “përvojë” në Teatër, që thjesht kanë mbushur xhepin dhe vazhdojnë të jenë krejt jashtë realitetit dramaturgjik.

Pra Ulqinaku, duhet theksuar, se na dha idetë e saj në teatër - çfarë është përfytyrimi regjisorial, mbi një vepër edhe të shkruar qysh para 50 vjetësh.

Leksioni i duhet në këtë rast atyre që përcjellin vepra që mbajnë këtë distancë kohe, kur zgjedhin sidomos vepra të dramaturgjia botërore, si më të lehtë për ta vënë “copy paste” - që do të thotë punë dembelësh. Ndërsa sfida për Ulqinakun qëndron në disa rrafshe: godet çimentimin e mentalitetit sot, reflekton kohën - groteskun, tregon dhe angazhimin personal - çfarë detyrash ka teatri përballë publikut.

Çfarë marrim si leksion nga regjisorja është përpjekje e sforcuar e saj për të bërë teatër – mbi një rrafsh zero, për nga trashëgimia. Jo si shenjë mohimi që ndodh me brezat, për të mos pranuar - por si shenjë se sa e vështirë është të ndërtohet një shkollë teatrit, apo të jepen leksione teatri, e për më tepër ta tregosh këtë si një konkurrim - kur mungon krejtësisht tregu, dhe kur Teatri vazhdon të tregojë muret, sa e vështirë është shembja e tyre sot.

Flitet se një grup të rinjsh po bëjnë gati protestat për t’u ngritur kundër Teatrit - jo institucionit, por teatrit që po bëhet sot - ku do të kërkohet aplikimi i ligjit për Teatrin. Prej këtu mendojnë ata do të nisë të paktën konkurrenca dhe do hiqet mentaliteti i të fortëve, i absolutëve, i shtetit që paguan me bordero, që paguan aktorë me ditë punë.

Ndoshta gjithë kjo situatë e sotme, e prezantuar në formën e mësipërme, duket e pabesueshme, absurde, gati e njëjtë me kohën kur ishte regjimi komunist (është mirë të përsëritet shpesh kjo për ta kuptuar ndryshimin)- por, realisht ky lloj “disiplinimi i hekurt” i mentalitetit, i mosçlirimit të energjisë së të rinjve, ka çuar në ndrydhjen dhe asfiksinë e teatrit sot. Shkurt të gjithë e thonë: shfaqjet që po vë Teatrit Kombëtar janë skandaloze. Regjisorët dhe pse kanë ulur në tavolinën e punës aktorët nuk kanë të qartë se çfarë idesh kanë mbi veprën, cila është puna e tyre krijuese mbi një vepër. Disa të tjerë fshihen pas emrit të madh, dhe zbardhin internetin për ide regjisoriale, blejnë dhe faqet kulturore të medieve - duke u bërë dhe me aluçinacione, për t’i mbyllur gojën kritikës. Edhe kompromisaxhinjve të kryeqytetit u është mbaruar fryma duke shkruar mirë e mirë. E bardha mbi të zezë ende nuk po thuhet për Teatrin Kombëtar. Të rinjtë copën e bukës e shohin tek “të vjetrit” e Teatrit. Ndërsa të pasionuarit e teatrit, ndoshta tani të rinj, si puna e regjisores Ulqinaku gjejnë sfidën më simbolike; si bëhet me një vepër të shkruar para 50 vjetësh një teatër bashkëkohor, duke na bërë të kuptojmë se sa të mençëm i paskemi regjisorët e “vjetër”!

Deri kur të plaken këta regjisorë, kur të mbushin dhe 70, dhe 75, edhe 80-të do t’i gjesh në dyert e Ministrisë së Kulturës për të marrë para, pavarësisht se vepra nuk bën as dy lekë, ata marrim ndoshta 4 milionë lekë të reja, a më shumë. Ndërsa të rinj si Ulqinaku, që i vjen keq për kolegët e saj të rinj, që në dhjetë vjet mund të kenë në CV vetëm një rol - që paguhet me shumën më qesharake për shfaqje.

“Ne marrim vetëm 700 mijë lekë të vjetra për një shfaqje dhe kjo është e mjaftueshme vetëm për të bërë publicitetin dhe për t’i dhënë një shpërblim aktorëve, e kjo nuk konsiderohet dot pagesë. Kjo është sakrifica e të rinjve, për të shfaqur vizionet e tyre dhe për të qenë në treg”. Se janë dembelë këta të rinj, kjo vihet re që është pak e shpjegueshme - por realiteti është se këta të rinj e shohin “black” Teatrin. Se si duhet shembur ky mur i “zi” për Teatrin duhet të shihet si rrugë shfaqja e Sonila Ulqinakut. Ajo bëhet një përgjigje politike për Teatrin Kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›