E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobitet botuesi i ‘Mein Kampf'

Zyra e të Drejtave të Autorit e Republikës së Shqipërisë e ka gjobitur shtëpinë botuese ‘Belina H’ për shkak se e botoi librin e Hitlerit pa siguruar të drejtën e autorit. 100 mijë lekë të reja është gjoba, të cilën do ta paguajë Beqir Haluli, botues i librit.

Një gjobë prej 100 mijë lekësh ka marrë shtëpia botuese “Belina H”, për botimin e traktatit politik të Hitlerit, “Mein Kampf”. Pas një peripecie të gjatë për të gjetur vendndodhjen e shtëpisë botuese, e cila deri para 4-5 ditësh ishte thuajse e panjohur për publikun, ndërsa tani është kthyer në një “superstar”.

Inspektorët e Zyrës së të Drejtave të Autorit më në fund ranë “në gjurmë” të saj dhe ekzekutuan penalizimin me gjobë. Të enjten pasdite, siç raporton ‘Panorama’, nga Zyra e Shtypit të ZSHDA-së u njoftuam se: “Subjekti ‘Belina H’ me NIPT K 7223003A është gjobitur nga inspektorët e Zyrës Shqiptare të të Drejtave të Autorit me shumën 100 mijë lekë të rinj, për botimin e librit ‘Lufta ime’ (Mein kampf) për mungesën e kontratës së botimit në gjuhën shqipe”.

ZSHDA u njoh me lajmin e botimit të këtij libri, ashtu si edhe shumë të tjerë, përmes mediave. Sapo u njoftua mbi këtë fakt, specialistët nisën kërkimin për të mësuar më shumë rreth subjektit botues, i cili është shumë pak i dëgjuar në lëmin e botimeve. Pasi mësuan edhe mbi ‘sekretin’ e të drejtave të autorit të ‘Mein Kampf’, situata u bë edhe më e qartë. Drejtuesi i ‘Belina H’ nuk do të kishte mundur dot kurrë të merrte lejen e të drejtave të autorit nga Landi i Bavarisë.

“Nga shqyrtimi i të dhënave në regjistrat administrativë të të drejtave të autorit në ZSHDA, rezultoi se ky subjekt nuk është i regjistruar si subjekt botues për aktivitetin e tij dhe nuk ka depozituar për regjistrim sipas dispozitave të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, të ndryshuar, asnjë kontratë për përkthimin, botimin, shpërndarjen e këtij libri në gjuhën shqipe me mbajtësin e ligjshëm të së drejtës së autorit të kësaj vepre”, u shprehën të enjten specialistët e ZSHDA, prej të cilëve gjithashtu mësuam se që prej vitit 1945 (pas vdekjes së Hitlerit) mbajtës i ligjshëm i të drejtës së autorit për këtë vepër është shteti gjerman, Landi i Bavarisë e, nga sa mësojmë, të marrësh këtë të drejtë është jashtëzakonisht e vështirë. Duke iu referuar ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe që ndëshkohet me gjobë çdo subjekt që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›