E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rapolder vëzhgon Kosovën

Trajneri i njohur gjerman, Uwe Rapolder të enjten ka ardhur për një vizitë disaditore në Prishtinë. Ish trajneri i disa futbollistëve shqiptarë në TUS Koblenz theksoi se erdhi në Kosovë që ta shohë nga afër gjendjen në të cilën gjendet futbolli. Ai shprehu keqardhje për faktin se Kosova vazhdon të mbetet jashtë FIFA-s e UEFA-s, derisa shprehu gatishmërinë ta ndihmojë futbollin kosovar që ta thyejë izolimin.

Me ftesë të FC Prishtinës, trajneri i njohur gjerman Uwe Rapolder ka ardhur për vizitë disaditore në Kosovë.

Ish trajneri i SC Karlsruher, i shoqëruar nga menaxheri i futbollistëve Remo Rashica, të enjten vizitoi stadiumin e klubit më të trofeshëm kosovar. Aty ai u prit nga krerët e klubit bardh e kaltër, por edhe nga bashkëkombësi i tij, respektivisht trajneri i prishtinasve, Wolfgang Jerat.

Rapolder tregoi arsyen e vizitës së tij në Kosovë. “Në ndeshjen mes Baselit e Bayernit jam takuar me presidentin e FC Prishtinës, Remzi Ejupi. Ai më ftoi. Kështu që erdha në Kosovë ta shoh nga afër këtë vend dhe futbollin kosovar”, deklaroi Rapolder në një konferencë për media.

Ai pohoi se është njoftuar për arsyet, të cilat po vazhdojnë që Kosovën ta lënë jashtë UEFA-s e FIFA-s. “Kjo është për të ardhur keq. Unë do të mundohem ta shfrytëzoj çdo mundësi që ta ndihmoj Kosovën të dalë nga kjo situatë”, theksoi Rapolder i cili aktualisht nuk është i angazhuar në asnjë skuadër.

Por, ish trajneri i Arminia Bielefeldit dhe i Kolnit konfirmoi se shumë shpejt do të angazhohet në ndonjë klub gjerman. Ai premtoi se do të angazhohet që FC Prishtinës t’ia aranzhojë një miqësore me klubin e tij të ri.

Rapolder njihet si një trajner që pëlqen futbollistët shqiptarë, sidomos gjatë kohës kur e udhëhiqte TUS Koblenzin. Ai kishte punë me Fatmir Vatën, Ervin Skelën, Shqipron Skerajn, Njazi Kuqin, Shefki Kuqi, Renaldo Ramën, etj.

“Kam punuar me shumë futbollistë nga vendet e Ballkanit, si nga Serbia, Mali i Zi e mbi të gjitha nga Shqipëria e Kosova. Ishte kënaqësi të punosh me lojtarë shqiptarë. Gjasat janë të mëdha që edhe në klubin tim të ardhshëm të kem në mesin e lojtarëve edhe shqiptarë”, theksoi Rapolder i cili u falënderua nga krerët e FC Prishtinës që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së tyre.

Vizita e Rapolderit e gëzoi mikun e tij Wolfgang Jerat. Rapolder theksoi se FC Prishtina ka bërë një veprim të mirë që bashkëkombësit të tij ia besoi postin e trajnerit. Rapolder shprehu bindjen e tij se me Jeratin prishtinasit do të kalojnë nëpër suksese. Madje, ai do ta përcjellë ndeshjen debutuese të Jeratit në takimin e parë të sezonit pranveror, që prishtinasit do ta luajnë ndaj KEK-ut.

Rapolder do ta shikojë edhe takimin mes Trepçës ’89 e Hysit. Vizita e gjermanit është përcjellë edhe nga një ekip i televizionit të njohur gjerman ZDF, i cili njëkohësisht do ta përgatisë një reportazh për gjendjen e rëndë në të cilën gjendet futbolli i Kosovës, si pasojë e mosanëtarësimit në FIFA e UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›