Lokalet që kanë bërë zhurmë natën e djeshme
"Magic 4", "Baroque", "Folie" dhe "Living Room" kanë mbajtur muzikën në nivel shumë të lartë deri në mëngjes
TIRANË- Mesnata mes së premtes dhe të shtunës ka shndërruar pothuajse të gjithë Tiranën në një disko gjigante. Lokalet e zonës së ish-bllokut i janë rikthyer ritmit normal të muzikës së lartë dhe ahengut që i ka karakterizuar për muaj me radhë. E njëjta situatë është ndjerë edhe në zonën e përballë Parlamentit. Banorë të ndryshëm të kryeqytetit kanë telefonuar në redaksinë e "Shekullit" duke denoncuar raste zhurmash të forta pothuajse në të gjithë Tiranë e re.
Në zonën e bllokut zhurmat më të mëdha janë shkaktuar në rrugën "Ismail Qemali". Lokalet "Magic 4" dhe "Baroque" kanë mbajtur nivelin e lartë të zhurmave edhe disa orë pas mesnatës. Zhurmat e tyre forcoheshin edhe më shumë sa herë që hapeshin dyert e lokalit. Dhe në zonën përballë këtyre lokaleve ndodheshin dhjetëra njerëz të vendosur në rrugë që vazhdonin ahengun e nisur brenda.
Vetëm dhjetë metra më larg qëndronin efektivët e policisë bashkiake të kryeqytetit, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të ndaluar zhurmat, qoftë edhe duke u thënë lokaleve që të ulin nivelin. Policët bashkiakë kanë qëndruar deri rreth orës 01.30 dhe më pas janë larguar në një rrugicë tjetër të bllokut, aty ku nuk kishte pothuajse fare zhurmë pasi lokalet e hapura mbanin nivel të ulët muzike. Zhurmat e larta kanë vazhduar deri rreth orës 04.00 të mëngjesit.
E njëjta situatë është hasur edhe në zonën përballë parlamentit. Lokalet "Living Room" dhe "Folie" kanë mbajtur një nivel tepër të lartë zhurmash. Të dy këto lokale kanë shfrytëzuar tarracat e tyre dhe muzika është shpërndarë në një zonë me rreze 300 metra. Banorët e pallateve përreth kanë kontaktuar me pronarët e tyre duke i kërkuar që të ulin muzikën por kanë marrë përgjigje negative. Muzika në këto dy lokale ka vazhduar në nivele shumë të larta deri në orën 04.30 të mëngjesit. Në asnjë rast policia bashkiake dhe ajo e rendit nuk kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën.