Arrestohet daja, i kërkoi seks mbesës së sëmurë
Policia e kryeqytetit ndaloi, një burrë 48- vjeçar me dyshimin se kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me mbesën e sëmurë mendore
I ndaluari u denoncua nga e motra e tij e cila pretendoi se e kishte kapur atë duke prekur dhe puthur vajzën 21- vjeçare
TIRANE- Një person i kërkuar për vjedhje nga komisariati i policisë nr.3, është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pas kallëzimit të motrës së tij për kryerje të veprime të turpshme ndaj mbesës 21- vjeçare dhe e sëmurë mendore. Kujtim Fregja, 48 vjeç, nga Shkodra banues në lagjen Allias të Tiranës, është arrestuar nga komisariati i Policisë nr.4, me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me persona të pazotë për tu mbrojtur dhe të marrëdhënies seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari.
Fregja 48 vjeç nga Shkodra është denoncuar nga e motra e tij, pasi sipas saj, ajo e kishte kapur të vëllain në momentin që po po tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me të bijën. Kjo e fundit, sipas burimeve të policisë, është konstatuar se ishte e sëmurë mendore. Sipas policisë, vajza është gjetur nga e ëma në banesën e familjes së tyre në momentin kur Fregja po mundohej ta joshte seksualisht atë për të kryer marrëdhënie me të. Policia tha se ngjarja ka ndodhur në banesën e të dëmtuarës, në kohën që kjo e fundit nuk kishte të afërm të tjerë në banesën e saj.
Pas konstatimit të veprimit të rëndë, gruaja emri i së cilës nuk bëhet i ditur nga policia, është drejtuar në komisariatin nr.4, ku është depozituar kallëzimi ndaj dajës për abuzimin me mbesën. "E pashë kur po tentonte ta puthte në buzë,- ka pohuar fillimisht nëna e vajzës për oficerët e komisariatit nr.4. Të njëjtin qëndrim gruaja ka mbajtur edhe përpara një ballafaqimi mes saj dhe të vëllait, ndonëse pak më të zbutur duke thënë se donte ta puthte fillimisht në faqe. Gjithsesi një qëndrim i tillë nuk ka ndikuar tek hetuesit dhe drejtuesit e policisë së kryeqytetit për të ndryshuar qëndrimin e tyre, për arrestimin e të denoncuarit, pavarësisht se i arrestuari, sipas policisë, ka pretenduar të kundërtën.
"Nuk është e vërtetë që unë kam tentuar të kryej veprime të turpshme ta josh, e aq më pak të kryej marrëdhënie seksuale me vajzën, sepse ajo është mbesa ime,- mësohet të ketë prentenduar 48- vjeçari Fregja, gjatë marrjes së deklarimeve të tij në lidhje me pretendimin e tij për denoncimin e motrës së tij. Specialistët e zyrës së krimeve seksuale, në policinë e Tiranës, kanë pyetur të dëmtuarën në praninë e një piskologeje, ndërsa mësohet se ajo ka pohuar se ishte e vërtetë që daja i saj e kishte prekur. Gjithsesi burimet thanë se deklarimet e të dëmtuarës nuk kanë qenë të qarta për shkak edhe të gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore mendore.
Ndërkaq, gjatë verifikimit të kryer nga hetuesit e kryeqytetit, është mësuar se i arrestuari ka qenë i shpallur në kërkim nga komisariati i policisë nr.3, në kryeqytet me akuzën e vjedhjes së një dyqani ushqimor. Ai është identifikuar nga efektivët e bluve të kryeqytetit, për vjedhjen, veprim i cili ishte denoncuar nga pronari i dyqanit pak javë më parë. Burimet pohojnë se zbulimi është kryer falë gjurmëve të gishtërinjve të të arrestuarit të cilat ishin administruar në vendin e ngjarjes nga ekspertët e policisë së kryeqytetit.