Gjonçaj: Ristani të japë dorëheqjen, nuk është i besueshëm

Partia Socialiste i ka kërkuar kryetarit të KQZ-së Arben Ristani të japë dorëheqjen.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së përfaqësuesi i PS-së Genci Gjonçaj i kërkoi Ristanit që të japë dorëheqjen pasi sipas tij e ka kthyer KQZ-në në një intrument politik.
“Ju duhet të largoheni zoti kryetar pasi nuk jeni më i besueshëm. PS-ja nuk ka marrë pjesë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe aryeja e vetme qëndron tek mungesa e besimit tek KQZ-ja dhe veçanërisht tek ju zoti kryetar” theksoi Gjonçaj.
Gjithashtu Gjonçaj akuzoi kryetarin e KQZ-së Ristani se kërkon të djegë fletët e votimit dhe bashkë me to edhe parregullsitë që janë bërë në zgjedhjet e 28 qershorit.
“Interesi ynë për materialet zgjedhore nuk ka përfunduar. Ju sot po investoni në një vendimarrje shkatërruese. Ju zoti kryetar e keni kthyer KQZ-në në një instrument politik duke favorizuar mazhorancën” theksoi Gjonçaj.
Ndërkohë kreu i KQZ-së, Arben Ristani është përgjigjur se gjatë gjithë kohës ka zbatuar ligjet e vendit dhe se nuk merret me deklaratat politike.
“Arbitri i zgjedhjeve të kaluara ka qenë OSBE dhe ODIHR dhe po ta lexoni raportin ai shprehet se KQZ-ja ka kryer detyrën me paanshmëri dhe në mënyrë të veçantë kryetari i KQZ-së ka drejtuar me panashmëri dhe transparence”, tha Ristani.