E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 2011-ta, viti i fitores së koalicionit të integrimit

Për mazhorancën viti 2011 do të jetë një fitore në zgjedhjet lokale dhe një sukses për integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian.  Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ku theksoi se viti qe vjen do shënojë edhe fitoren e thellë të koalicionit të integrimit në zgjedhjet lokale dhe Tirana do të ketë një kryetar të ri të Bashkisë së saj, duke përbërë kështu një nga arritjet e mëdha të pritshme për kryeqytetin në 2011-ën.

“Garantoj shqiptarët që vota e tyre do të numërohet si në Shkodër” theksoi Berisha duke shtuar se hapja e kutive në Shkodër tregon se zgjedhjet kanë qënë më të mirat.

Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se ky vit do ta klasifikojë Shqipërinë në vendet me të zhvilluara dhe me ardhura të larta.

“Koha nuk pret dhe brenda vitit 2017 Shqipëria duhet të kalojë në grupin e vendeve të zhvilluara, duhet të shkëputet me shpejtësi nga grupet e vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta në grupin e vendeve me të ardhura të larta dhe shumë të larta” theksoi Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha ritheksoi edhe njëherë se axhenda e qeverisë mbetet edhe për këtë vit reformat e integrimit drejt Bashkimit Europian.

“Kërkesat që parashkron raporti i BE-së janë plotësisht të mundshme për tu realizuar” theksoi Berisha duke shtuar se një përparësi mbetet edhe heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë.

“Në mungesë të heqjes së imunitetit për mospranimin e opozitës pasi kërkon të fshihet pas imunitetit ne duhet të sanksionojmë në një deklaratë të firmosur nga të gjithë antarët e mazhorancës në shembullin e Bundestagu ku ata nuk e njohin imunitetin përsa i përket korrupsionit dhe krimit” theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›