E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznisë i ikën fitorja për pak sekonda, Skënderbeu barazon në shtesë

Nga ALTIN PREÇI


Shkodranët kërkuan një pikë, por nga mënyra se si u zhvillua ndeshja mund të kishin marrë tri të tilla. Shkëmbi humbet penalltinë e parë këtë sezon

 

Skënderbeu- Vllaznia 1-1
Shënues:
Plaku 94 / Hajdari 77

Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Arapi, Vrapi (Kërçiku 82) Biskup (Da Silva 77), Orelesi, Allmuça (Tahirllari 77), Shkëmbi, Muzaka, Plaku. Trajner: S. Levi.
Kartonë të verdhë: Radas, Bicaj, Arapi, Plaku

Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Sykaj, Vuk, Belisha, Popoviç, Moreno, Brnoviç, Hajdari, Gjini (Markolaj 22, Karakaçi 75) Jablan (Shaba 85). Trajner: R. Vata.
Kartonë të verdhë: Smajli, Moreno, Popoviç

Karton të kuq: Gjokoviç (pankinë)
Gjyqtarë: A. Janku, G. Qirici, E. Biçaku (Tiranë)

Radiografia

15- Belisha gjuan fort tokazi dhe topi i tij kalon fare pranë shtyllës së majtë të mbrojtur nga portieri Shehu.
37- Muzaka merr një top nga kapiteni Shkëmbi, godet shpejt, por portieri Vujadinoviç ka kryer një pritje të sigurt.
44 Goditje dënimi për korçarët. Ekzekuton Muzaka, por portieri mik pret me shumë vështirësi.
62- Aksion i shpejtë i Vllaznisë. Sulmuesi Jablan shfaqet i lirë te harku i zonës, paksa në të djathtë, i cili menjëherë godet fort, por Shehi ka reaguar në mënyrë perfekte, duke e hedhur topin mbi tra.
70- Jablan merr përsipër të godasë një top nga loja e ndaluar për faull. Prirët me kuadratin dhe jashtë zone. Sulmuesi shtanget, kur pas gjuajtjes së tij, topi për pak cm nuk hyn në trekëndshin e djathtë të portës së Shehit.

77- Gabim në mbrojtje nga korçarët, përfiton Hajdari, i cili del i vetëm me portierin Shehin. Me një parabël të ëmbël, shënon golin për Vllazninë, 0-1.
84- Radha e Tahirllarit, që me një gjuajtje të hidhur, gati sa nuk befason portierin shkodran.
87- Rasti i penalltisë për Skënderbeun. Plaku vihet në zotrim të topit, duke depërtuar deri në afërsi të kuadratit. Ndërhyrja e Sykajt është e dënueshme, gjyqtari Janku tregon shenjën e bardhë. Penalltinë nuk e finalizon Shkëmbi, sfera merr drejtimin e qendrës së portës, aty ku Vujadinoviç e ka neutralizuar.
94- Skënderbeu me Plakun në kërkim të barazimit. Sulmuesi shtatshkurtër përfiton edhe nga hapësira që i krijohet nga qendra e mbrojtjes dhe mposht futbollistin më të mirë në fushë, portierin Vujadinoviç. Skënderbeu barazon në 1-1.

Para ndeshjes Vllaznia u shpreh qartë se do ishte shumë e kënaqur me një barazim në ndeshjen me Skënderbeun. Por ndëkohë, për nga mënyra si shkuan gjërat, pjesëtarët e saj janë të zhgënjyer nga lënia e dy pikëve pikërisht në fundin e ndeshjes. Skënderbeu, me sulmuesin e tij Sebino Plaku, ka gjetur golin e barazimit në shtesë, ndërsa dje në Laç ka pritur Vllazninë e Shkodrës në ndeshjen e katërt të grupit B.

Ndeshja e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, i ka gjetur skuadrat me pozita të ndryshme statistikore në tabelë. Korçarët mbeten në krye të grupit B, ndërkohë që Vllaznia së bashku me Flamurtarin ndjekin nga pas. Këta dy të fundit do të luftojnë fort për një biletë të dytë. Kështu, në një ambient të mrekullueshem sportive si ai i Laçit, armiqtë e ditës përgjatë ndeshjes së djeshme kanë qenë vetëm mungesa e theksuar e tifozëve dhe shiu.
Pjesa e parë Vllaznia e nisi këtë ndeshje me dy mungesa nga takimi i saj i fundit. Gocaj dhe Kraja ishin të pamundur për të luajtur, si shkak i dëmtimeve që kishin pësuar. Për rrjedhojë, ka ndryshim në vendosje, teksa Sykaj kthehet të luajë në qendër të mbrojtjes, ndërsa Hajdari është kthyer në mesfushë dhe në vend të tij në sulm ka qenë Gjini. Minutat e para mes korçarëve dhe shkodranëve afrojnë një duel të barabartë, ndërsa luhet fort për topin e parë në mesfushë.

Do të vijë minuta e 15-të, teksa kapiteni kuqeblu Belisha të ndërmarrë një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, duke e përfunduar atë paksa jashtë kuadratit të Shehit. Madje do të jenë sërish të besuarit e Rudi Vatës, të cilët me disa inkursione të shpejta i afrohen më së shumëti kuadratit mik. Jablan në dy raste vonon ose përpiqet të bëjë ndonjë finte të tepërt, duke e vonuar ofensivën e skuadrës së tij. Më pas janë vendësit nga Korça, që përpiqen të reagojnë.

Levi nga pankina dhe presidenti i tyre Zeqo në tribunë bëhen dëshmitarë të një Skënderbeu më kërkues. Megjithatë, regjisori i tyre në fushë, Bledi Shkëmbi, duket se nuk është në ditën e tij më të mirë. Për këtë fakt, organizimi i lojes së korçarëve kryhet me shumë stacione. Edhe tentaivat e shpeshta të Muzakës në krah nuk japin shumë efekt. Lojtari i shpejtë provon më shumë se një herë, por portieri Vujadinoviç tregoi dhe dje se mbetet ndër pikat e forta të kësaj Vllaznie.
Pjesa e dytë Në këtë pjesë loje do të kishte edhe gola, edhe 11-metërsha dhe emocionet kanë qenë më të shumta. E nis vrullshëm Skënderbeu. Janë dy-tre aksione të shpejta me protagonist Plakun, Muzakën, ndërsa aksionet e tyre nuk japin atë që kërkohej, golin. Në kahun tjetër, trajneri Vata, edhe pse nuk ndryshon asgjë në vendosje, i udhëzon pambarimisht të tijtë për të luftuar fort dhe të luajnë shpejt me topin.

Tekniku e ka kuptuar se në prapavijë korçarët kanë nisur të krijojnë hapësira, ndaj orienton pambarimisht për të shfrytëzuar momentin. Pa kaluar shumë minuta, sulmuesi Jablan, deri në ato momente pak aktiv, galopon drejt zonës në të djathtë. Gjuajtja e fortë e tij adresuar për në këndin e sipërm të Shehit devijojet mrekullisht nga ky i fundit, duke bërë që Vllaznia të mos kalonte dot në avantazh. Megjithatë, shifrat do të mbesin të bardha edhe për disa çaste të tjera.

Madje është po Jablan që provon me një goditje standarde pak më vonë, duke e kërcënuar seriozisht portën e mbrojtur nga Shehi. Minutat e mira të Vllaznisë do të shpërblehen vetëm në të 77-ën, teksa mbrojtësi korçar Arapi ka gabuar te harku i zonës së tij. Ka përfituar Hajdari, i cili me një qetësi ka shënuar një gol mjaft të bukur. Sfera e goditur prej tij në formë parabële ka gjunjëzuar portierin Shehi.

Reagimi i skuadrës së çekut Levi është i menjëhershëm. Mekanizmat e korçarëve nisin e funksionojnë mirë, ndërkohë që Plaku në përpjekje për të shënuar, pengohet nga Sykaj. Gjyqtari nuk ka hezituar për të treguar pikën e bardhë, ndërsa tri minuta nga fundi Shkëmbi ka në këmbë golin e barazimit. Nuk ka ardhur edhe për faktin se goditja e tij ishte thuajse ballore.

Vujadinoviç i mban të tijtë me tri pikë, por nuk ishte e thënë që shkodranët të përfundonin me fitore një takim emocionues. Tri minutat shtesë bëhen katër. Pikërisht në fund, kur kronometri kishte kaluar shtesën në tabelë, Plaku gjen një tunel të lirë në zonë, duke u vënë i vetëm përballë portierit dhe barazon.

Shkodranët protestojnë për faull ndaj njërit prej mbrojtësve të tyre, por për gjyqtarin Janku kjo nuk vlen. Goli është i rregullt dhe, për rrjedhojë, i gjithë takimi mbyllet në barazim 1-1, një pikë që u bën punë të dyve, por nga mënyra se si erdhi, shkodranët mbetën të hidhëruar, sepse mund të kishin marrë tri të tilla.

Levi: Sfituam, por jemi të qetë për të shkuar më tej
Ishim të destinuar për të luajtur mirë, por kjo nuk ngjau plotësisht. Nuk dolëm në lojën tonë për shumë minuta, çka bëri që kundërshtari të na merrte terren. Gjithsesi, rastet tona nuk u shfrytëzuan si duhet, duke komprometuar rezultatin

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›