E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Pakti me Greqinë, histori tradhtie e Berishës që nga fillimi. Në shtator, draft në Kuvend

Deputeti socialist, Ilir Gjoni, është shprehur se pakti për marrëveshjen e kufirit ujor me Greqinë, është një histori tradhtie qysh në fillim, e dirigjuar nga Sali Berisha.

Më lejoni të them se e tërë historia e marrëveshjes detare me Greqinë, qysh në fillim është një histori e pastër e tradhtisë kombëtare të kësaj qeverie të drejtuar prej Sali Berishës i cili, për interesa të ngushta vetiake, është gati të shesë gjithçka, përfshirë dhe territore të vendit, vetëm e vetëm që të përfitojë ndonjë favor politik apo dhe material. Fakti që ai mori kurajën të falë pjesë të territorit të Shqipërisë, gjë e cila fatmirësisht u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, falë ndërhyrjes decizive të Partisë Socialiste, si dhe fakti që askush prej fajtorëve  (tradhtarëve) nuk u ndëshkua penalisht, ashtu siç parashikon Kodi Penal, përkundrazi u promovuan, flet qartë për një implikim të pastër antikombëtar të qeverisë së Sali Berishës. Edhe historia e nisur rishtazi i ngjan si dy pika uji të parës. Ka mungesë të plotë transparence, nuk ka një qëndrim të qartë e publik të Sali Berishës ( i cili nuk nguron të na flasë për rekordet e tij detare), ndërkohë që hesht për çorbën tradhtare që po gatuan sërish, ka thënë Gjoni për Shekullin.

Ai është shprehur se PS ka gati një draft për zgjidhjen e problemit të kufirit detar me Greqinë, të cilin do e paraqesë në Kuvend gjatë shtatorit.

Kemi theksuar se është e domosdoshme që të miratohet një ligj integral për kufijtë dhe ne si PS kemi gati projektligjin për Kufirin Shtetëror të Republikës së Shqipërisë të cilin do ta paraqesim për miratim sapo ta lejojnë procedurat parlamentare me fillimin e sezonit të ri, tha Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›