Meta: PS të mos dëmtojë marrjen e statusit nën ethet dhe llogaritë elektorale
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka i bërë thirrje opozitës, që të mos dëmtojë marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian të Shqipërisë, nën ethet dhe llogaritë elektorale të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës, Meta është shprehur se klasa politike nuk duhet të cënojë festën e madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar me një politikë mendjengushtë dhe afatshkurtër.
“Ethet e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe llogaritë elektorale të 2013-ës asnjë forcë politike të mos i bëjë në dëm të statusit kandidat për në Bashkimin Europian që vendi duhet të marrë në vjeshtën e këtij viti, në mënyrë që ta festojmë të gjithë 100-vjetorin e Pavarësisë, jo vetëm me krenarinë për të gjithë ato breza, gjenerata patriotësh të cilët krijuan me aq mund dhe sakrifica shtetin tonë por njëkohësisht edhe për të pasur një vlerësim sado minimal për klasën e sotme politike e cila nuk duhet që të cenojë këtë festë të 100-vjetorit me një politikë mendjengushtë dhe njëkohësisht afatshkurtër, e cila më shumë se sa për të rritur dinjitetin e vendit në raport me familjen eruopiane, edhe në raport me rolin që Shqipëria luan për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”, tha Meta.
Meta u shpreh se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, duke konsoliduar kështu mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
“Ndaj është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e domosdoshme brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, në mënyrë që të konsolidohet mundësia për marrjen e statusit kandidat, sepse përfitimet e Shqipërisë janë të shumta, ashtu sikurse çdo vonesë do të jetë e kushtueshme dhe me pasoja afatgjata”, shtoi Meta.