E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Procesverbali fals, vëllai i Kokonës më kapi prej fyti

Zoti Gjoni, çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës mes jush dhe zotit Ilir Kokona?

Historia ka disa kohë që ka nisur. Zoti Kokona i ka kërkuar një ish-anëtari të KZAZ-së të firmoste një procesverbal. Djaloshi që ka qenë anëtar i KZAZ-së për PS-në më pyet dhe më thotë se ç’duhej të bënte. Unë i kam shpjeguar nëse firmosja e këtij procesverbali ishte një detyrë ligjore. Ish-anëtari i KZAZ-së më thotë se nuk ishte aspak një detyrë ligjore, pasi ai kishte pushuar funksionin e tij si anëtar KZAZ-je dhe se procesverbali ishte një truk i ofruar nga zoti Kokona, një dokument i falsifikuar. Atëherë unë i them që të mos e firmoste atë procesverbal.

Çfarë përfitimesh nxirrte zoti Kokona nga firmosja e procesverbalit prej anëtarit të PS-së në KZAZ? Ku konsistonte truku?

Këtë s’di ta them, sepse nuk u mora gjatë me dokumentin, por kur më tha ish-anëtari i KZAZ-së se nuk ishte detyrë e tij ta bënte, i thashë atëherë mos e bëj.

Po si u gjendët ju në sherr me zotin Kokona?

Unë dje kam qenë duke parkuar makinën te një lokal pranë zonës së “Xhamllikut”. Sapo zbres nga makina shoh vëllanë e zotit Kokona, Arjanin, që shante dhe kërcënonte këtë djalin që ishte anëtar i KZAZ-së. Jam afruar dhe i kam pyetur se çfarë po ndodh. Në atë moment, vëllai i zotit Kokona më është drejtuar me fjalë nga më të ulëtat dhe i ka thënë ish-anëtarit të KZAZ-së: “Ky bq… nuk të lë të firmosësh ty”, madje duke më kapur dhe prej fyti për të treguar se nuk pyeste njeri. Në atë moment kanë ndërhyrë shumë njerëz . Pak më vonë vjen dhe zoti Kokona, i cili ka nisur me të sharë dhe me të bërë presion mbi të gjithë ne, duke na thënë se do na shfaroste dhe se nuk donte t’ia dinte për asnjërin prej nesh.

Në fakt, zoti Gjoni, të dyja palët kanë bërë denoncime në prokurori dhe të dyja palët kanë pretendime shumë të ndryshme mbi mënyrën si kanë shkuar ngjarjet…

Unë kam bërë denoncimin tim në polici dhe kam shpjeguar ngjarjen, siç ua tregova dhe ju. Nuk e di se ç’pretendojnë të tjerët, por di që ngjarja është zhvilluar në sy të disa personave dhe nuk është shumë e vështirë të zbardhet. Kështu që mendoj se edhe policia nuk do e ketë të vështirë ta kuptojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›