Meta: Prokuroria pyeti mbi 30 dëshmitarë, vetëm Prifti kundër meje
Tiranë- Një proces sa nul, aq edhe politik. Kështu e ka cilësuar kryetari i LSI-së, Ilir Meta, çështjen e nisur në Gjykatë të Lartë për videon e përgjuar nga Dritan Prifti, duke akuzuar Prokurorinë se ka kryer dhjetëra shkelje të qëllimta. Meta ka pohuar dje, gjatë një prononcimi për mediat, se janë marrë mbi 30 dëshmitarë në pyetje nga prokuroria e vetëm njëri prej tyre, Dritan Prifti, ka qenë kundër tij. “Ky është personi që bëri përgjimin, por i cili është i pavlefshëm nga ana juridike si dëshmitar, përveçse i pabesueshëm, sepse ai është i pandehur për veten e tij në një procedim të lidhur me këtë çështje dhe është peng i prokurorisë, për t’u përdorur kundër meje. Pra, nuk ekziston asnjë provë dhe asnjë dëshmitar në të gjithë këtë proces dhe ky nuk është faji im”, - tha ai. Meta akuzoi Prokurorinë se e shfrytëzoi hetimin për zgjedhjet e 8 Majit, duke zvarritur qëllimisht çështjen, vetëm për ta marrë të pandehur pak ditë para votimeve. “Institucioni i Prokurorisë nuk ka pasur dhe nuk ka qëllim për të zbardhur të vërtetat, të cilat janë vetëm ashtu sikurse unë i kam deklaruar që në fillim të kësaj çështjeje. Ka pasur si qëllim zvarritjen e këtij procesi, mbajtjen peng të imunitetit tim dhe keqpërdorim e kësaj çështjeje, kryesisht për shkak të zgjedhjeve të 8 Majit”, - tha Meta gjatë një prononcimi për mediat. Ish-zv.kryeministri i akuzuar nga Prokuroria për korrupsion, tha dje se Prokuroria e kërkonte vetëm 2 ditë para 8 Majit për t’i komunikuar se ishte marrë i pandehur, duke e argumentuar kështu pretendimin e tij për një proces të nxitur për qëllime politike. Meta e ka cilësuar të pavlefshëm procesin e sapohapur në Gjykatë të Lartë, duke shtuar se “Nuk ekziston asnjë provë materiale e ligjshme, jo thjesht në kuptim procedural, por në kuptimin thelbësor”. Ish-zv.kryeministri i ka mëshuar idesë se videoja është e manipuluar, duke thënë se i gjithë hetimi është bazuar në mungesën e provave origjinale, në një kasetë të padëgjueshme, pikërisht për shkak të montazheve dhe manipulimeve të bëra me të. “Të tria ekspertizat ndërkombëtare, edhe pse të paligjshme, për faj të Prokurorisë, jo për faj të avokatëve të mi, tregojnë qartë që jo vetëm është shkelur ligji me të dyja këmbët nga ana e Prokurorisë, por ka pasur vetëm një qëllim: të zvarrisë pafundësisht këtë proces vetëm për arsye politike” - tha Meta. Ai pohoi se ekspertët ndërkombëtarë, të siguruar prej tij, do të jenë pjesë e procesit gjyqësor të saponisur në Gjykatë të Lartë, për të treguar para saj se videoja është një manipulim total. “Ajo video që qytetarët shqiptarë kanë parë është një manipulim total, sidomos për sa i takon titrave, sidomos për sa i takon shifrave dhe të gjitha atyre pjesëve të thurura me aq kujdes, vetëm e vetëm për të dëmtuar dhe kompromentuar figurën time”, - shtoi Meta, duke akuzuar Prokurorisë se është bërë palë në një proces të paligjshëm. Ai ka shpjeguar se nuk ekziston asnjë provë origjinale, e cila mund të merret si provë e ligjshme. “Nuk ekziston asnjë provë origjinale. Nuk ekziston një filmin origjinal ndaj personit tim. Ka materiale origjinale, por ato janë për persona të tjerë e jo për mua. Provat e tjerat janë kopje të hedhura nga një kompjuter në një tjetër, janë të manipuluara, dhe këto janë lehtësisht të verifikueshme. Transkriptimi i bërë i këtyre provave të manipuluara rrëzon totalisht përmbajtjen e kësaj kasete, në mënyrë teknike, shkencore apo profesionale dhe ne këtë jemi të vendosur që ta demonstrojmë në gjyq përmes ekspertëve tanë ndërkombëtarë”, - tha Meta.