E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjosha pret ambasadorin Gaiani: Italia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, zhvilloi ditën e sotme një takim me Ambasadorin e Republikës Italiane në vendin tonë, Massimo Gaiani.

Ministrja Gjosha e falënderoi ambasadorin italian për kontributin e vazhdueshëm që Italia ka dhënë për zhvillimin e Shqipërisë dhe për avancimin e rrugës së saj drejt BE-së.

Ministrja vlerësoi rolin dhe kontributin e Italisë, e cila sipas saj ka qenë një partnere shumë e mirë dhe një avokate e shkëlqyer të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.

Gjatë bashkëbisedimi ministrja Gjosha e njohu Ambasadorin me objektivat e punës se Ministrisë së Integrimit Evropian, duke theksuar forcimin e bashkëpunimit me të gjitha hallkat e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu Gjosha e njohu ambasadorin me programin e qeverisë për integrimin lidhur me përmbushjen e prioriteteve dhe rekomandimeve të BE-së me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ambasadori Massimo Gaiani, duke e uruar znj. Gjosha për detyrën e re mjaft të rëndësishme e garantoi atë për përkrahjen, mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Italisë.

Ambasadori Gaiani i shprehu Ministres gjithashtu mbështetjen dhe suportin e Italisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›