Meta pret Ambasadorin slloven: Sllovenia ka rëndësi të madhe për Shqipërinë
Kryetari i KuvenditIlir Meta priti sot Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Bojan Bertoncelj.
Ambasadori Bertoncelj i përcolli z. Meta urimet më të ngrohta zyrtare në emër të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë z. Janko Veber dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Sllovenisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në këtë drejtim, Ambasadori Bertoncelj vuri në dukje se Sllovenia e vlerëson rolin e veçantë që mund të luajë Kuvendi i Shqipërisë në mbarëvajtjen e një klime politike më pozitive në Shqipëri, e cila do ti shërbente ecurisë më të shpejtë të integrimit evropian të vendit.
Kryetari i Kuvendit, z. Meta e falënderoi Ambasadorin Bertoncelj për mbështetjen e fuqishme që Sllovenia vazhdon ti japë Shqipërisë dhe theksoi vullnetin e tij për fokusimin e punës së Kuvendit në rritjen e cilësisë dhe zbatimit të legjislacionit dhe kryesisht në rritjen e bashkëpunimit mes palëve politike.
Kryetari i Kuvendit theksoi në përfundim se Sllovenia ka rëndësi të madhe për Shqipërinë, jo vetëm si vend i rajonit, por edhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe në këtë drejtim vullneti im është të shtoj marrëdhëniet dhe shkëmbimet parlamentare në të gjitha nivelet mes dy vendeve u shpreh Meta.