Gjueti shtrigash ndaj biznesit në Vlorë
Tema
Fillon gjuetia e shtrigave mbi biznesin vlonjat, pikërisht në kulmin e sezonit turistik. Me urdhër të drejtorit të Task Forcës së Tatimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Adrian Godo, që prej katër ditësh, në qytetin bregdetar të Vlorës kanë zbarkuar mbi 10 zyrtarë të Task Forcës, të cilët kanë filluar kontrollet në baret, restorantet, hotelet dhe diskot e këtij qyteti.
Burime të drejtorisë së Tatimeve të Vlorës, thanë për televizionin Fokus se, ata nuk kanë marrë më parë dijeni për këto kontrolle, por kjo nuk i ka interesuar shumë grupeve të Task Forces, qe kane ardhur enkas nga Tirana.
Sipas verifikimit që gazetarët e televizionit Fokus bënë në terren, në disa prej pikave kryesore prane zonës së Skelës në qytet, rezulton se deri tani u janë vënë gjoba marramendëse disa prej bizneseve të qytetit.
Kështu, bar restorant Taushani, është gjobitur në shumën e 13 milionë lekëve të vjetra nga grupi i Task Forcës së Tiranës; hotel bar restorant Pavarësia, është gjobitur me 20 milionë lekë të vjetra, bar restorant Saint Tropez, është gjobitur me 6 milionë lekë të vjetra e hotel Bolonja, me 10 milionë lekë të vjetra.
Aksioni i grupeve të Task Forcës është urdhëruar në mënyrë personale nga Adrian Godo, shef i Task Forcës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, dhe këtë e tregojnë vetë punonjësit e tatimeve që kanë zbarkuar për kontrolle në Tiranë.
Gjobat kanë shkaktuar rebelimin e biznesmenëve vlonjatë, të cilët, përveçse kanë qenë të penalizuar gjatë këtyre kohëve për shkak të situatës së zgjedhjeve dhe mungesën e punës, kohës së keqe dhe fillimit të sezonit me vonesë, penalizimi vjen edhe nga tatimet, të cilat në këto forma presioni, sidomos edhe pas votës së vlonjatëve, kërkojnë të penalizojnë në këtë qytet, jo vetëm biznesin, por edhe turizmin.
