Rishikimi i buxhetit, Buxhuku: Qeveria të përcaktoj investimet

Konfindustria pranon parimisht rishikimin e buxhetit të vitit 2011 nga ana e qeverisë shqiptare por këshillon qeverinë që të përcaktojë në mënyrë profesionale projektet e investimeve që do të preken nga shkurtimi i financimeve për gjashtë mujorin e dytë të vitit.
Në një deklaratë për mediat Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku thekson se ripërcaktimi i investimeve kapitale të buxhetit 2011 duhet të kryhet jo subjektivisht dhe politikisht, por vetëm nëpërmjet vlerësimit ekonomik-financiar krahasues të secilit prej tyre.
Sipas tij edhe investimet kapitale në buxhetin e rishikuar të pjesës së dytë të vitit financiar në vazhdim duhet të shkojnë drejt përqendrimit të domosdoshëm të projekteve, që do të vazhdojnë të financohen gjatë vitit 2011.
Konfindustria këshillon qeverinë të marrë parasysh vërejtjet e saj në rishikimin e buxhetit të vitit 2011, pasi në të kundërt ekonomia kombëtare dhe mirëqenia e qytetarëve rrezikojnë të përballen me pasoja të rënda dhe afatgjatë.
“Financat publike në Shqipëri, sikurse edhe në një shumicë vendesh të rajonit dhe BE-së për arsye të krizës globale kanë pësuar goditje të ndjeshme dhe të dukshme dhe tregjet botërore të parasë janë shtrenjtuar ndjeshëm”, thekson Buxhuku.
Ai shton se nga këto fakte rrezikojnë që të përballemi me përdorimin me efektivitet të ulët të parave publike të siguruara me kaq vështirësi, pasojat e të cilës do të jenë të rënda për ekonominë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare jo vetëm për vitin 2011, por në afat të gjatë.