E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha kineze, "anglishtja" e re

Dong Hongjie/ Pedagogu i gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës

-Gjatë pushimeve të Krishtlindjeve që sapo kaluan, bëra turizëm në Korçë së bashku me disa miq kinezë. Ne porositëm paraprakisht dhoma në një hotel të madh në qendër të qytetit. Kur u regjistruam në recepcion, erdhi një zonjë në moshë të mesme dhe pasi mori vesh se jemi kinezë, ajo na përshëndeti me buzëqeshje të dashur: “??!” (N?h?o) Ne u habitëm shumë kur dëgjuam këtë përshëndetje në gjuhën kineze, po në këtë rast doli përpara nesh edhe një vajzë nja 10 vjeçe, duke na numëruar në gjuhën kineze: “???????.....” (Y?, Èr, S?n, Sì). Nga një deri në dhjetë, vajza shqiptoi saktësisht. Gjatë bisedës, mësova se kjo zonjë është pikërisht pronarja e hotelit dhe vajza është bija e saj e vogël. Nëna dhe e bija e pëlqejnë Kinën dhe kanë shumë dëshirë të mësojnë gjuhën kineze. Zonja tha se nëse do të ketë ndonjë kurs të gjuhës kineze në Korçë, ato patjetër do të regjistrohen si dy të parat. Unë e pyeta zonjën pse ka entuziazmin e madh në mësimin e gjuhës kineze? Ajo m’u përgjigj se disa vjet më parë vizitoi Kinën, ku i lanë përshtypje të thella kinezët, punëtorë dhe miqësorë. Ajo i pëlqen kinezët dhe dëshiron të bëjë tregti me kinezët për të zgjeruar biznesin dhe më tej, ajo e inkurajon edhe vajzën e vet të mësojë gjuhën kineze. Duke më takuar mua,  pedagogun e gjuhës kineze, vajza e zgjuar nuk ka arsye të humbte rastin e mirë dhe kështu, recepcioni i hotelit bëhet tavolina e saj e përkohshme për të mësuar gjuhën kineze. Ndërkohë, i mësova vajzës entuziaste gjuhën kineze në vigjiljen e Krishtlindjeve, gjë që m’i bën më të ngrohta kujtimet e natës së ftohtë dimërore në Korçë. Kjo eksperiencë është pasqyra e vrullit së mësimit të gjuhës kineze, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera evropiane. Në gazetën franceze “Le Figaro” u botua një artikull, ku paraqiten 10 arsyet në përgjigje të pyetjes “Pse të mësoj gjuhën kineze?”, që t’i inkurajojë francezët ta mësojnë këtë gjuhë. Franca është vendi i tretë në Evropë, pas Britanisë e Gjermanisë, në numrin e njerëzve që mësojnë gjuhën kineze. Në vitin 2012 në Francë, në shkollat e mesme, numri i nxënësve që mësojnë gjuhën kineze arriti në 33 mijë dhe njëkohësisht, edhe 16 mijë studentë të shkollave të larta dhe 2 mijë nxënës të shkollave fillore e mësojnë këtë gjuhë në nivele në ndryshme. Megjithatë, shumë francezë

bëjnë prapëseprapë pyetjen, “Përse do të mësoj gjuhën kineze?” Po, “përse do të mësoj gjuhën kineze?” Për mësimin e gjuhës kineze, nuk janë të çuditshme dyshime të llojllojshme: një pjesë e njerëzve mendojnë se Kina gjendet tepër larg nga Shqipëria dhe ka mundësi të rrallë të shkojë në Kinë, prandaj në krahasim me gjuhën kineze, është më praktike të mësojë italishten, anglishten, greqishten, gjermanishten dhe gjuhë të tjera europiane; të tjera thonë se gjuha kineze duket e panjohur për shqiptarët, të cilët shikojnë që nga fëmijëria emisionet italiane dhe filma të Hollivudit, prandaj italishtja dhe anglishtja janë më të lehta për t’u mësuar. Për këto dyshime, unë, si pedagog i gjuhës kineze, mund t’u përgjigjem njëri pas tjetrit. Lidhur me “vendin e largët”, mund t’ju tregoj, të dashur lexues, se distanca gjeografike nuk mbetet më problemi, sepse me globalizimin në mbarë botën, “Toka është bërë një fshat”, ku të dhënat ekonomike të Kinës transmetohen në Shqipëri çast pas çasti, ndërkohë, edhe çdo lajm i fundit mbi mineralin e kromit të Shqipërisë njihet nga kinezët shumë shpejt; përsa i përket “gjuhës së panjohur”, do t’ju tregoj se të mësoni një gjuhë, që përmban kulturën përkatëse dhe pasqyron mënyrën e të menduarit. Është sikur të hapni një dritare, nëpërmjet së cilës, mund të shikoni botën nga këndvështrim krejt i ri dhe të trajtoni probleme me të menduarin e ndryshëm. Në përgjithësi, nxënësit e një gjuhe “do të korrin” jo vetëm këtë gjuhë. Duke folur për mësimin e gjuhës kineze, ka edhe shumë dyshime të tjera, por gjitha këto dyshime mund të zhduken, pasi të kuptohet “përse?”. “Përse do të mësoj gjuhën kineze?” Sepse, gjuha është mjeti i domosdoshëm gjatë shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat ekonomike e kulturore, që janë gjithnjë e më të shumta. Vitet e fundit, tregut shqiptar i kanë kushtuar gjithnjë e më shumë rëndësi ndërmarrjet kineze. Vetëm në vitin 2012, mbi 40 grupe tregtare kineze me afro 400 biznesmenë erdhën në Shqipëri për të inspektuar mjedisin e  investimeve. Në Panairin e Teknologjisë dhe Investimeve Kineze, të zhvilluar në maj të vitit 2012, të dyja vendet arritën investimet e parashikuara me vlerën prej 50 milionë dollarësh. Po këtë vit, Shqipëria dhe Kina nënshkruan Memorandumin e Turizmit, që nënkupton se që nga viti 2013 do të vijnë në Shqipëri gjithnjë e më shumë grupet turistike kineze. Prapëseprapë, në vitin 2012, Shqipëria mori pjesë në “Bashkëpunimin midis Kinës dhe 16 Vendeve të Evropës Lindore”, në bazë të së cilit të dyja palët do të kenë bashkëpunim në shumë objekte politike, ekonomike, kulturore e turistike, si lëshimi i “Kredisë së posaçme prej 10 miliardë dollarësh”, krijimi i “Fondit të investimeve për bashkëpunimit Kinë-Evropë Lindore prej 500 milionë dollarësh”, dërgimi në vende të Evropës Lindore i grupeve tregtare për nxitjen e investimeve, formimi i Komitetit Këshillues për ndërtimin e rrjetit të komunikacionit Kinë-Evropë Lindore, krijimi i “zonës ekonomike e teknologjike” nga ndërmarrjet kineze së bashku me  vendet e Evropës Lindore, dhënia e bursave për studimin në Kinë me 5 mijë kuota në 5 vjetët e ardhshëm etj. Të gjitha këto të dhëna shënojnë më shumë vende pune dhe shanse përpara nesh...(vijon nesër)


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›