E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditja ndaj krimit, partneritet me komunitetin

Pjerin Ndreu/kryetar i PS-së së rrethit Tiranë 

-Shqipëria është tashmë pikë e njohur e organizatave të krimit të organizuar me natyrë nacionale dhe internacionale. Për shkak dhe të pozitës gjeografike si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, ne jemi një zonë e favorshme për llojet e ndryshme të trafiqeve të drogës, qenieve njerëzore, të veprave të artit, të armëve, të miturve, kontrabandë etj. Por dhe për shkak të qasjes aspak vizionare në luftën antikrim që qeveria aplikon, ne jemi një ndër vendet shqetësuese në rajon dhe më gjerë. Lufta kundër krimit të organizuar nuk bëhet me fjalë e vetëm me policë. Të gjitha raportet ndërkombëtare tërheqin vëmendjen për përmirësim të luftës kundër krimit të organizuar. Artikulimet abuzive politike që kemi përmirësime në luftën kundër krimit të organizuar, në një kohë kur niveli i korrupsionit është në rritje janë diletanteske. Dihet tashmë se krimi i organizuar ka si shtrat korrupsionin, i cili i siguron hapësirat e nevojshme për ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme pa u rrezikuar, fitimin dhe akumulimin e sasive të mëdha parash, të ardhura nga rrugët e krimit, pastrimin e tyre në ekonominë kombëtare nëpërmjet privatizimeve, punëve publike, ndërtimeve, mediave dhe organizatave jo qeveritare apo të bamirësisë etj. Pra nëse ke nivel të lartë korrupsioni, natyrshëm ke depërtim të krimit të organizuar. Ai që mendon e argumenton ndryshe, më e pakta është i paditur në këtë fushë. Natyrisht që lufta kundër krimit është pjesë e një programi qeveritar, pra kalon në rrugë politike. Varfëria e ideve dhe mungesa e vizioneve, prej vitesh ka qenë prezent në nivele politike qeveritare. Partia Socialiste ka një program edhe për luftën ndaj krimit. Do shpalosen objektiva konkrete pas një analize të thellë të situatës kriminale, të faktorëve kriminogjenë që prodhojnë kriminalitet, Do dilet me masa efikase sidomos në reformimin e sistemit antikrim, ku alternimi i masave të karakterit ekonomiko-social me ato të veprimtarisë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese do jenë shtyllat. Parandalimit do i jepet përparësi kryesore. Mobilizimi i aktorëve, racionalizimi i mjeteve dhe goditja e krimit do jenë shtrati ku do ecet. Por në fund të fundit do ketë ndarje përgjegjësish me komunitetin, i cili do jetë partner në luftën antikrim me pjesën e inkriminuar që do jetë objekt goditje të pandërprerë.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›