E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha e denigrimit nuk është gjuha e rilindjes

edi_rama_1Nga Artan Xh. Duka

Ajo ta jep, ajo ta merr

Shfaqja e shëmtuar e tenderit elektoral për numër kokë dhensh në hauret e PS e PD ishte kujtesa më e fundit përse rilindja e demokracisë ka nevojë urgjente për rishikimin e ligjit zgjedhor dhe garantimin e votës së lirë.

Vetëm vota e lirë vendos dhe vulos. Vetëm ajo jep dhe merr. Shteti ligjor dhe rilindja bashkë me të, nuk bëhen me voluntarizëm dhe zotime ju jap fjalën… sikundër më e fundit për punë në ambasada (gjithkush ka të drejtë sa kohë e meriton). As me çjerrje maskash dhe përbetimesh në erë por me varjen e çelësave në qafë votuesit dhe lënies në dorë të tij të vendosë për gjithçka. Përtej fjalëve, mbeten veprat dhe çfarë koha tregon, vetëm vota e lirë e korrigjon.

Askush të mos ngutet dhe tregojë me gisht

AK, sikurse edhe FRD, nuk u bënë pjesë e koalicionit opozitar por kjo nuk i jep askujt të drejtën e denigrimit, me hak apo pa hak, deri në banalitet, thjesht dhe vetëm sepse nuk u bënë vagon i radhës në trenin e stërzgjatur lara-lara opozitar.

Nuk është gjuha e rilindjes denigrimi me mllef dhe vrer ndaj AK për flirtime hipotetike me PD, për më tepër nga syresh që ndonëse me vepra në të shkuarën i kanë dhënë një dorë qeverisjes së PD, politika dhe jo vota e lirë, i riciklon sërish. Gërdeci, ndryshimet kushtetuese, mitingjet opozitare pa fund  që nuk jepnin dum por veç imunizonin më tej të keqen, greva e urisë që u mbyll me darkë Krokodili, kapitullimi ndaj 8 majit, roli i fijes së kashtës ndaj atij që po mbytej pas zgjedhjeve të 2009, mbështetja në cenimin e ujërave detare etj nuk janë episode hipotetike dhe nuk e bëjnë kollaj të pandehurin gjykatës të tjetrit.

AK dhe PS nuk u bënë aleatë por kjo nuk do të thotë se nuk mund të mos bashkëpunojnë, sikurse edhe me FRD, pas zgjedhjeve të qershorit. Gjuha e luftës dhe shkëmbimi i akuzave për sebepe mosbashkëpunimi si fjala vjen pesë deputetë në tavolinë prej PS (ndërkohë që pazare butaforike të kësaj natyre i ka legalizuar ligji zgjedhor), apo denoncimi i kalit të Trojës në trenin opozitar prej AK (ndërkohë që vlerat kombëtare mbrohen jo duke e evituar por e bërë palë, palën përballë), veç krijon hendeqe që koha nuk i mbush lehtë duke minuar klimën e besimit dhe bashkëpunimin eventual.

Nuk është kollaj të futesh në gojën e partisë më të madhe në vend dhe AK si parti e paprovuar, ka rastin që me caktimin e listave për deputetë dhe vënies në krye të saj të ikonave që askush nuk guxon ti marrë nëpër gojë, ta mbyllë atë dhe hedhur topin në fushën e tjetrit.

Qershori ende mister

Se çfarë do të ndodhë pas qershorit nuk e dimë sepse hesapet ende bëhen pa hanxhiun (lexo PD) që edhe pas 8 vjetësh qeverisje problematike, sërish grumbullon pas vetes 25 parti duke mbjellë ndërkohë kaos, kompleksime dhe paragjykime pafund mes palëve në opozitë. Ndërkohë, nëse mazhoranca fut duart në proces dhe në finale ndodh sërish ceitnoti i 2009, nuk ka asnjë garanci që LSI të mos e kalojë sërish gardhin nga vrima e pambyllur duke e përligjur grisjen e paktit me PS me interesin madhor të qeverisjes dhe integrimit.

Ndaj, pa marrë rolin e orakullit, nuk është as në interesin e PS dhe as të rilindjes që tëthyet buka ndaj rreshtimeve të tjera opozitare (sikundër bëri dikur me LSI këshilluar nga ata që sot janë ishat e rinj), për më tepër kur gara elektorale nuk ka filluar dhe palët fshehin ende asa nën mëngë. Përkundrazi, ajo duhet të dëshmojë një qasje kohezioni dhe tolerance për ta lënë derën hapur për bashkëpunim sikurse vetë fryma e rilindjes presupozon.

Vota e lirë i çliron të gjithë

Rilindja e ka fillesën tek vota e lirë dhe kjo është sa në varësi të emancipimit demokratik po aq dhe të ligjit zgjedhor. Ky i fundit duhet rishikuar (mazhoritar, gjerman, STV irlandez) dhe duhet të jetë kryepremtim i rilindjes për tia lënë në dorë votuesit dhe jo politikës, për ti dhënë hakun kujtdo. Si për partitë që hiqen si opozitare dhe zhgënjejnë më pas, ish-deputetët që kalojnë tek pala tjetër, lidershipin që premton dhe më pas harron teksa zhytet në llumin e abuzimit qeveritar etj.

Një ligj zgjedhor që çliron votën, çliron vetë politikën duke filluar nga makthi dhe bezdia e partive të mëdha për të joshur të vegjël pafund në koalicione butaforike, shans real për partitë e reja apo ende modeste, për të qenë vetvetja dhe ofertë reale për votuesin që nuk e ka më merakun e votës së vajtur dëm, stresi i hartimit të listave për deputetë dhe xhelozitë reciproke, memecëria ndaj liderit që ta jep dhe ta merr etj.

Mekanizmi i fitores nuk ka përse të jetë treni pafund, qoftë edhe me 40 vagona, por matja e cdo partie më vete në kandarin e votës dhe koalicione vlerash më pas mbi bazën e kauzës së rilindjes. Ndryshe, votuesi nuk zgjedh atë që do, por voton për oportunizëm tek detyrohet të zgjedhë mes qeseve elektorale të mbushura deri në grykë me kuç e me maç, gjë që nuk garanton parlament koshere bletësh por fole grenzash partiake për të mos thënë që 40 vagonat mund të degradojnë në çetë Ali Babai me 40 hajdutë që tek pushteti  nuk shohin sfidën e përgjegjësive por tortën që duhet ndarë.

Askush në opozitë nuk është i tepërt

AK dhe FRD mbeten forca opozitare dhe partnerë potencial për qeverisjen PS-LSI nëse qershori i buzëqesh koalicionit opozitar, sa kohë ndajnë së bashku shqetësimin për normalizimin demokratik me votën e lirë si tullë të parë.

Si kanë ardhur punët, më keq veç ndreqet dhe sikur asgjë të mos bëjë qeverisja e qershorit, sa kohë nuk bën keq, bën mirë. Por që puna të ketë duk, krahasimi nuk duhet bërë me qeverisjen PD-LSI, një alibi komode kjo sikundër dikur monizmi me 1939 apo socialistët me 1997, sepse atë nuk ka metër demokratik që e mat.

Dhe nëse objektivi i rilindjes për demokraci normale imponon krahasim me standardet perëndimore, veçanërisht ato anglo-saksone (demokracia e fqinjëve nuk është shëmbull ideal), fill i përbashkët mbetet vota e lirë dhe pushteti sovranit me deputetin zë real të tij. Një objektiv madhor ky, barrën e të cilit nuk mund ta mbajë e vetme koalicioni i PS dhe në opozitë askush nuk është i tepërt.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›