Incidenti i vërtetë diplomatik në Austri
Nëse ka një incident real diplomatik në Austri, ai nuk ka të bëjë me kapjen nga veshi të një nëpunësi të papërgjegjshëm ambasade nga lideri i opozitës. Bile ky incident, i prodhuar për të shuar incidentin real diplomatik mes qeverisë shqiptare dhe asaj austriake, tani e tutje mund të kthehet në objekt humori. Incidenti real diplomatik mes qeverisë shqiptare dhe asaj austriake për shkak të Edi Ramës është shkaktuar nga protokolli me të cilin është pritur lideri i opozitës në Austri.
Duhet thënë qysh në fillim se një lider opozite nuk pritet kurrë për protokoll dhe as për mbështetje politike në fillim të një fushate elektorale nga autoritet zyrtare të një vend partner. Raportet shqiptaro- austriake janë ndër më të mirat, dhe mes dy vendeve nuk ka as ndonjë krizë dhe as ndonjë qëndrim personal apo emocional kundër Sali Berishës. Disa investime të rëndësishme austriake, siç ishte rasti i shumëpërfolur i EVN, që do të bënte hidrocentralin mbi Devoll, është një rast i pastër dështimi, por kjo nuk është se ka cenuar rëndë marrëdhëniet mes dy qeverive.
Pra, mund të themi pa frikë se jemi në një normalitet të plotë të marrëdhënieve me Austrinë dhe jemi në një fushatë elektorale shumë problematike. Zgjedhjet kanë nisur pa Komision Qendror Zgjedhjesh dhe dyshimet ndërkombëtare mbi Sali Berishën janë dhjetëfishuar. Në zgjedhjet e vitit 2009, Berisha, i cili futi duart në zgjedhje, përdori një deputet austriak, nga ata të sërës së fundit në parlamentin austriak, Grosruk, që mbijeton në atë parlament për arsye gjeografike dhe jo politike, për të relativizuar raportin e ODIHR-it dhe për ta zbutur atë në favor të Berishës. Kjo na lë të besojmë se Austria është përdorur edhe si një vend që i ka dhënë një dorë pushtetit të Berishës.
Në këto kushte ka dy incidente reale diplomatike. I pari është që lideri i opozitës shqiptare pritet nga Presidenti i Austrisë dhe nga dy prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, të cilët kanë folur po ashtu pa dorashka për kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë. I dyti është që ambasadori i Shqipërisë në Austri, Vili Minarolli, nuk ka shoqëruar kandidatin për kryeministër të vendit të vet në takimin me Presidentin e Republikës në Vjenë.
Incidenti i parë, në çdo aspekt ky është një incident diplomatiko- politik, pasi një qeveri e rëndësishme perëndimore për Shqipërinë ka pritur në nivelet më të larta zyrtare liderin e opozitës. E vendosur kjo sidomos në kontekstin e fushatës elektorale, kjo realisht përbën incident diplomatik, pasi është një sinjal i qartë për publikun kundër pushtetit të Sali Berishës.
Është ky incidenti real që ka tërbuar Tiranën zyrtare, dhe fill pas takimeve të Edi Ramës me presidentin austriak dhe dy ministra të tij, Berisha dërgoi privatisht, bile ilegalisht, një nëpunës ambasade për të prodhuar një zhurmë qesharake për incident në Vjenë.
Në të vërtetë Berishës do ti shkonte më mirë të protestonte zyrtarisht kundër Presidentit austriak dhe ministrave të qeverisë austriake, që presin një kandidat për kryeministër në prag të fushatës elektorale. Kjo do të ishte më serioze. Pavarësisht se Berishës ia kanë vënë vizën në Perëndim, etika diplomatike zakonisht ruhet dhe liderët e opozitës nuk priten kurrë në nivele kaq të larta. Fakti që Edi Rama u prit, tregon se kemi një braktisje të thellë dhe të menduar ndaj qeverisë shqiptare edhe nga një vend me shumë ndjeshmëri ndaj Shqipërisë, siç është Austria.
Incidenti i dytë që ka prodhuar Berisha me shtetin austriak, është se lideri i opozitës shqiptare dhe kandidati për kryeministër ka shkuar në zyrat e shtetit austriak, i pashoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Vili Minarolli.
Unë e njoh zotin Minarolli, dhe pavarësisht përdorimit politik që i ka bërë zoti Berisha, ai është një njeri me integritet që nuk do ti falte vetes gafën, që lideri i opozitës së vendit të tij të shkonte në takim me Presidentin, i pashoqëruar prej tij. Ky është një detyrim i rreptë protokollar, një cilësi e shtetit serioz dhe një dëshmi e mospolitizimit të trupit diplomatik nga qeveria shqiptare. Ai nuk është ambasador i një partie politike, por përfaqësues i shtetit shqiptar, ku pozita dhe opozita janë pjesë e tij. Ai nuk përfaqëson në Austri pushtetin e Sali Berishës, por Shqipërinë, dhe paguhet me taksat tona.
Jam i bindur se ai duhet ti jetë përgjigjur i turpëruar Ministrisë së Jashtme austriake apo zyrës së Presidentit për arsyet e mungesës së tij në takim. Ai thjesht ka qenë i detyruar të fshihet për të mos u ndjerë një diplomat i papërgjegjshëm. Sali Berisha, që ka ndaluar atë të shkojë për shkak të detyrës në takim me presidentin austriak, ka shkuar dhe më tej dhe ka dërguar pas takimeve një nëpunës tjetër të tij në përfaqësinë tonë në OSBE në Vjenë, të shkojë të zhurmojë takimin e tij publik.
E kuptoj nervozizmin e Kryeministrit, pasi e kam parë atë në opozitë që kur sajonte ndonjë udhëtim në Perëndim, e prisnin vetëm emigrantë të dëshpëruar të ikur pas 97-ës, që shpresonin të riktheheshin në Shqipëri. Ai nuk ka pasur kurrë fatin të takojë jo më ndonjë President, por as ndonjë njeri në punë shteti në Perëndim dhe e justifikonte këtë me faktin se opozitën nuk e pret njeri se krijon keqkuptime diplomatike. Dhe ka pasur të drejtë. Ajo që ka ndodhur vërtet si incident diplomatik në Vjenë, është se Presidenti austriak dhe dy ministra të kabinetit kanë pritur liderin e opozitës shqiptare dhe i kanë uruar fitore në zgjedhje, dhe se ambasadori i Shqipërisë në Vjenë ka munguar jashtë çdo standardi në këto takime. Në vend të tij pas takimeve i është dërguar një kamikaz liderit të opozitës për ti zhurmuar vizitën. Dhe këtij të fundit, meqë nuk i skuqet faqja, i është skuqur veshi.
