Një shans për të provuar të rinjtë
Saimir Lamaj/student, Universiteti i Kretës
-Tepër alarmuese janë të dhënat e paraqitura nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare të cilat bëjnë fjalë për demokracinë shqiptare në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013. Sipas studimit, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është problemi më i madh me të cilin përballen shqiptarët në ditët tona për sa i përket funksionimit të duhur të demokracisë. Konflikti politik, mungesa e rotacionit të udhëheqjes në parti, dhe pabarazia ekonomike, janë disa prej faktorëve të rëndësishme, të cilët në mbledhje me të parën shqetësojnë 78% të qytetarëve. Kjo reflektohet dhe në pyetjen e mëtejshme ku 42% e të pyeturve përgjigjet «Jo» pyetjes nëse besojnë se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme. Për sa i përket sferës së drejtësisë, rezultatet janë diçka më shumë se alarmuese. 73% e pjesëmarrësve në këtë studim konsiderojnë se sistemi i drejtësisë nuk jep drejtësi, ndërsa 75% thonë se për të pasur drejtësi duhet të paguajnë ryshfet; 67% argumentojnë se qytetarët duhet të kenë lidhje me politikën që të gjejnë të drejtën e tyre.
Sado që qeveria i bie daulles duke kënduar këngën e rritjes ekonomike të vendit 61% e të pyeturve do të largoheshin nga atdheu nëse kishin mundësinë për tu larguar. Gjendja ekono mike e vendit është shume e keqe për 24% ndërsa e keqe për 42% e të pyeturve. Duke lënë pas deklaratat nacionaliste e muajve të fundit, vendi ynë ecën me shpejtësi drejtë zgjedhjeve parlamentare dhe ky studim tregon një realitet të ashpër qysh prej vitit 91. Duket sikur koha nuk ecën në Shqipëri megjithëse qeveritë ndërrohen herë pas here. Për të parandaluar optimistët dhe ata që thonë se ne kemi ndryshuar, po bëj të qartë se ndryshimi nuk duket tek pallatet ngjyra-ngjyra apo tek shumëkatëshit, por në radhë të parë tek të ardhurat ekonomike dhe në radhë të dytë tek kultura politike.
Për sa i përket të parës, ka një tendencë rritjeje me ritme kërmilli, ndërsa e dyta duket të jetë konsoliduar në vetëdijen kolektive po në të njëjtat nivele me ato të viteve të tranzicionit. Pra nuk do të ishte gabim nëse dikush mbështet mendimin se akoma ndodhemi në një periudhë tranzicioni. Thjesht dikur ftoheshim të kapërcenim si shoqëri diktaturën hoxhiste, tashmë duhet të tejkalojmë klientelizmin kapitalist, korrupsionin politik, dhe neoliberalizmin ekonomik. Pyetja që lind është nëse është e thjeshtë një përpjekje e tillë; përgjigja është jo. Por zgjedhjet e qershorit mund t’i shfrytëzojmë duke votuar persona që nuk janë provuar në politikë, nuk janë të korruptuar deri në zverk, nuk janë kalbur nga pushteti.