E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda e veshit dhe detyra e diplomatit

Egin CekaNga Altin Ketro

Një ngjarje banale që mori përmasa kombëtare me synim për ta kthyer në kalë beteje në këtë prag fushate elektorale, qe ajo që përgjatë dy ditëve zuri vendin kryesor në faqet e para të gazetave dhe mediave online; incidenti i shumëpërfolur midis liderit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit shqiptar në Vienë, Egin Ceka. Nuk dëshiroj të hyj në ato detaje se çfarë e si ndodhi. Brenda 48 orësh u dhanë disa versione ku qimja e bë tra dhe anasjelltas, që nga ndukja e pastaj shkulja e veshit e deri tek dhuna shtazarake. Një palë e pohonte, tjetra e mohonte, kurse organizatorët as që kishin dijeni. E në këtë tollovi deklaratash, në mungesë të të qenin dëshmitar okular apo të pamjeve filmike të cilat do të na qartësonin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nuk dëshiroj të zgjatem më tej për të mos rënë preh e hamendësimeve.

Por, këtë incident real apo ireal, do ta shoh nga një tjetër këndvështrim. Diplomati Ceka tha se në takimin që zoti Rama pati në Vjenë shkoi si një qytetar i thjeshtë. Në këtë rast Ceka e përjashtoi vetën si diplomat. Pastaj shtoi se në korridor iu prezantua zotit Rama si diplomat. Është alogjike të mendosh që anëtarët e trupës sonë diplomatike nëpër botë të vetëquhen në disa orë të ditës si diplomatë dhe në orë të tjera si qytetarë të thjeshtë. Diplomatët janë të tillë përgjatë gjithë 24-orëshit, sepse në çdo rast ata përfaqësojnë zërin dhe fytyrën e shtetin të tyre. Nëse një diplomat kryen një incident personal qoftë edhe në 2 të natës, përsëri trajtohet nga autoritet vendase si diplomat dhe jo si një qytetar i thjeshtë. Në këtë kuptim, diplomati Ceka gabon kur bën një ndarje të tillë rolesh për të justifikuar qenien në atë takim.

Është fakt që gjatë qeverisjes së Berishës trupi ynë diplomatik i ka parë përfaqësuesit e opozitës si armiq dhe pothuajse i ka injoruar. Asnjëherë si ka shoqëruar në takimet që ata kanë pasur me zyrtarë të lartë të shtetit mikpritës. As kur atje ka qenë lideri i opozitës i cili, duke qenë se është gjithmonë kandidati kryesor për kryeministër, meriton respektin maksimal nga trupa jonë diplomatike kudo në botë.

Në rastin konkret, diplomati Ceka duhet që pikësëpari të njoftonte organizatorët për prezencën e tij. Dhe jo si qytetar i thjeshtë, por si diplomat, status që e ka përsa kohë shërben pranë misionit tonë në Vjenë. A kishte të drejtë diplomati Ceka të bënte pyetje në Forum? Absolutisht JO! A kishte të drejtë diplomati Ceka ti kërkonte llogari liderit të opozitës në korridoret e Forumit për atë çka ky i fundit tha aty? Absolutisht JO! Detyra e diplomatit është të dëgjojë e të mbajë shënim përsa kohë nuk e ka rolin e protagonistit. Për gjithë sa thuhen aty dhe për qëndrimin e liderit të opozitës, i referon me pas eprorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Dhe, në rast se këta të fundit kanë kundërshti me ato çka thënë lideri i opozitës, dalin me komunikatë zyrtare.

Po cila qe ajo çështje që e revoltoi diplomatin Ceka dhe që krijon atë furtunë në gotë? Rezulton se diplomati Ceka është interesuar për votën e emigrantëve dhe zoti Rama i është përgjigjur se kjo sështë e mundur për sa kohë ambasadat tona janë të politizuara, duke shfaqur kështu shenja mosbesimi karshi tyre dhe një ndikim të mundshëm për manipulim rezultati. Ky arsyetim ka bërë që diplomatit Ceka ti preket krenaria personale dhe ka marrë rolin e mbrojtësit të figurës së trupit tonë diplomatik nga kjo akuzë e liderit të opozitës. Sigurisht që ka shumë diplomatë karriere të nderuar që me punën e tyre kanë treguar integritet dhe besueshmëri. Por ka edhe shumë syresh që janë emëruar në ato detyra për devotshmëri e besnikëri të verbër ndaj Berishës, që se kanë për gjë të bëjnë kamikazin e manipulimit të votës për të justifikuar veten në sytë e udhëheqësit.

Po cili vallë ka të drejtë në këtë rast, zoti Rama apo diplomati Ceka. Për ta zgjidhur këtë rebus, për fat të mirë më erdhi në ndihmë diplomati Neritan Ceka, babai i Eginit, njëkohësisht ambasadori ynë në Romë. Po ia lë lexuesit ta vlerësojë se sa të (pa) ndikuar politikisht janë një pjesë e ambasadorëve tanë, duke ju dhënë të lexoni një fragment nga Letra e Hapur që Neritan Ceka i dërgon liderit të opozitës.

Shkruan Ceka: Do ti ftoj ata mijëra qytetarë që më ndoqën atëherë, por edhe ata qindramijë shqiptarë që ishin me zemër atje, që ta gjykojnë mirë këtë ngjarje. Do ti ftoj edhe të gjithë sojlitë e Shqipërisë që të kujtojnë përballjen e qytetarit Egin Ceka me partiakun Edi Rama ditën që do të gjykojnë votën e tyre. Shpresoj që ajo të jetë dita e së vërtetës dhe ata të jenë në anën e sojlive.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›