Neo- pabarazia e Berishës
U bënë më shumë se dy dekada tashmë që Shqipëria ka lënë pas sistemin ksenofobik të Hoxhës dhe modelin ekonomik që e përfaqësonte atë. Më në fund Shqiptarët shijuan lirinë kaotike të tranzicionit dhe bashkë me të edhe lirinë ekonomike. Një liri, e cila krijoi pasojat e saj duke filluar nga piramidat e deri te miliarderet monopolistë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, eksperienca e popullit tonë ishte aq e ndrydhur sa që gabimet fillestare mund të quhen të pritshme, edhe pse të qëllimshme.
Sidoqoftë tashmë sistemi ekonomik, edhe pse vazhdon të mbetet problematik është normalizuar. Për të analizuar më mirë gjendjen tonë nuk mund të lëmë pa përmendur idenë ose shkollën ekonomike pas së cilës, sidomos 8 vitet e fundit, është çmendur Shqipëria dhe qeveria e Sali Berishës. E kam fjalën për idenë neo-liberale të tregut, ekonomisë dhe shtetit. Një ide shumë e vjetër për ekonominë tonë të re, megjithatë dominante në shumë vende në zhvillim si Maqedonia, Iraku, Pakistani, etj. Duke ditur që tashmë kjo ideologji është analizuar dhe stër-analizuar do mundohem të përshkruaj me pak fjali. Neo- liberalizmi është një përqasje ekonomike dhe sociale në të cilen ndër të tjerash kërkohet ndërhyrje minimale e shtetit në treg, heqje barrierash dhe rregullash për ekonominë, privatizim total i industrive shtetërore,zgjerim i bazës së taksueshme etj. Në pamje të parë, pas shumë vitesh propagande dhe larje truri masive prej mbështetësve të kësaj ideologjie, çdo gjë duket normale.
Megjithatë pas dekadash mbretërimi të kësaj ideologjie vetëm sot arrijmë të shohim shkatërrimin masiv që ka krijuar ky sistem, i cili është fajtori kryesorë edhe për krizën financiare të 2008-ës. I bazuar në ligjin e xhunglës dhe në ide darviniste të mbijetesës së më të fortit, shoqëria neo-liberale bazohet në vlera denigruese ku humaniteti dhe dinjiteti nuk është aspak pjesë e tyre. Ambicia, konkurrenca, arritja e objektivit me çdo qëllim, individualizmi ekstrem, narcizizmi, konsumerizmi, mashtrimi, gënjeshtra, akumulimi material dhe natyra njerëzore(jo sjellja) janë vlera që tashmë kanë zëvendësuar bashkëpunimin, shoqërizimin, solidaritetin, mundësitë e barabarta, kreativitetin, dhe fqinjësinë e mirë. Njeriu nuk është më qendra e universit, tashmë ai është kthyer në një makineri prodhuese, i cili vdes duke akumuluar sende materiale dhe asgjë shpirtërore.
Problemi kryesor, në të cilin do doja të ndalesha dhe ta analizoja më imtësisht, është pabarazia. Kjo cilësi është tipike e ideologjisë neo-liberale ku hendeku mes të varfërve dhe të pasurve thellohet së tepërmi falë ambientit të favorshëm që krijon kjo ideologji oligarkike. Në çdo shoqëri ku ky sistem është implementuar ka krijuar ndarje të thellë klasore dhe ekonomike. Nga Kili i Pinoçetit e deri te Amerika e Xhorxh Bushit është vënë re një rritje marramendëse e gjysëm-zotave miliarderë të cilët falë heqjes së rregullave shtetërore, privatizimit të pasurive kombëtare dhe monopolizimit të tregut nuk njohin me asnjë kufi. Më në fund edhe Shqipëria ka gjysmë-zotat e saj, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, the miracle of freedom që solli neo-liberalizmi prodhoi edhe këtu pjellën e tij të preferuar: biznesmenin injorant, gllabërues pasurish kombëtare, monopolist dhe kontrabandist.
Raporti i fundit i VVealth X, një kompani e cila rëndit numrin e më të pasurve në botë raporton që në Shqipëri, 55 multimilionerë zotërojnë 7 miliardë dollarë pasuri ose e thënë ndryshe afërsisht sa gjysma e borxhit publik të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë këto përfitime kanë ardhur kryesisht nga shfrytëzimi i pasurive tokësore dhe resurseve natyrore që realisht janë pasuri kombëtare dhe i përkasin të gjithë popullit shqiptar. Ky fakt është i rëndësishëm për tu nënvizuar sepse siç do shohim edhe më poshtë pabarazia ekstreme sjell pasoja tepër të rënda për shumicën e popullsisë.
Për të ilustruar këtë fakt më duhet ti rikthehem një studimi ndërkombëtarë i bërë nga Richard VVilkinson dhe Kate Pikket të cilët janë studiues me fame botërore në fushën e shëndetësisë. Studimi i tyre dhe njëkohësisht libri me titull The Spirit Level është mirëpritur nga kritika akademike dhe është cilësuar si një nga studimet më të rëndësishme të kohëve të fundit. Studimi heton shpeshtësinë e problemeve sociale dhe shëndetësore në vendet e ndryshme dhe lidhjen e tyre me pabarazinë e të ardhurave. Gama e problemeve që ky studim trajton janë nga shëndeti mendorë, dhuna, edukimi, statusi i grave, vdekshmëria e foshnjeve, numri i vetëvrasjeve, përdorimi i drogërave, obeziteti, besimi dhe bashkëpunimi mes popullsisë etj. Me fjalë të tjera trajtohen çështjet kryesore të një shoqërie, çështjet që janë të lidhura ngushtë më mirëqenien dhe shëndetin e mirë.
Përfundimi shokues i studimit shumëvjeçar është që: shoqëritë që kanë hendek të madh mes të pasurve dhe të varfërve janë shoqëri me probleme të mëdha shoqërore dhe shëndetësore. Në këto shoqëri fale problemeve psikologjike të krijuara nga mangësia e statusit, stresi dhe pasiguria shëndeti i popullsisë është thellësisht i dëmtuar. Pjesa me e madhe e popullsisë, falë ndarjes klasore dhe pasurore të krijuar nga sistemi neo-liberal i ekonomisë nuk kanë mundësi të marrin shërbime të nevojshme sociale dhe shëndetësore.
Gjithashtu studimi del në përfundim që në shoqëritë ku ky hendek është më i vogël dhe politikat e mirëqenies sociale janë më të zhvilluara ,popullsia është më e shëndetshme, më produktive dhe me një cilësi jete shumë më të mirë.
Duke pasur një provë shkencore për efektet e politikave neo-liberale dhe pabarazisë që ajo krijon nuk mund të mos shokohemi nga kërkesat e vazhdueshme të qeverisë Berisha për ti implementuar qorrazi këto politika tashmë shkencërisht të dështuara. Te habit fakti që për kryeministrin tonë nuk është e rëndësishme mirëqenia dhe shëndeti i 98% të popullsisë, por interesat e 55 multi-milionerëve klientë të pushtetit, të cilët përfundimisht po e rrënojnë ekonominë shqiptarë.
Duke qenë që sugjerimet e studimit të sipër përmendur janë qartazi pro zhvillimit te politikave të mirëqenies sociale, mbështetjes së njerëzve në nevojë, përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe arsimore dhe krijimin e politikave fiskale për një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave, atëherë zgjidhja dhe zhvillimi mund të gjenden vetëm në implementimin e politikave te majta, të cilat ne thelb janë ilaçi i nevojshëm për këtë gjendje të rëndë të ekonomisë të krijuar nga politikat neo-liberale.
Pavarësisht çdo arsyetimi propagandistik apo parimorë për mrekullitë e politikës së ndjekur nga Sali Berisha, në fund të fundit çdo gjë matet se si ndihen njerëzit. Jam i sigurt që sot pas 8 vitesh të gjithë e ndjejmë që duhet të punojmë më shumë
