“Gjuha kërcënuese dhe ultimative, shprehje e frikës për t’u përballur me alternativat”
LSI dënon deklaratat e Edi Ramës, kërkon distancimin e grupit parlamentarLëvizja Socialiste për Integrim dënoi ashpër dje qëndrimin e Edi Ramës, për rrëzuar qeverinë me dhunë dhe protesta të dhunshme popullore. LSI vlerëson se kërcënime të tilla të kryesocialistit Edi Rama, ndaj rendit demokratik, nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi e një krize të rëndë lidershipi, pasojat e së cilës po i vuan më rëndë vetë PS. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Luan Rama, i bëri apel opozitës që të distancohet nga të tilla qëndrime destruktive, të cilat cenojnë në mënyrë permanente pozicionin e Shqipërisë përballë aspiratave të integrimit evropian. “LSI e konsideron gjuhën kërcënuese dhe ultimative si shprehje të krizës dhe të frikës së lidershipit socialist për t’u ballafaquar me alternative që i kontribuojnë të ardhmes evropiane të vendit. LSI e fton Partine Socialiste të distancohet nga gjuha destruktive dhe tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë, ç’ka nuk ka qenë në natyrën e saj, dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë si një opozitë civile dhe evropiane”, u shpreh zyrtari i lartë i LSI. Ai u shpreh se “përmes dialogut politik në Kuvend do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian, por edhe për realizimin e të gjithë reformave të rëndësishme në funksion të anëtarësimit të vendit në BE”. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama theksoi në vijim se “LSI e konsideron dialogun politik në institucionet legjitime të vendit e pike së pari në Kuvend, si hapin e domosdoshëm për zgjidhjen dhe kapërcimin e ngërçit politik dhe si një shenjë të sjelljes evropiane të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë parlamentarë.“Sfida e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është sfidë vetëm e mazhorancës qeverisëse. Ajo është sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare,dhe padyshim, është në radhë të parë sfidë për klasën politike të vendit, pra edhe për opozitën”, deklaroi më tej në daklaratën e tij për mediat, Luan Rama, Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI.Ndërkaq, përmes një interviste televizive, kryesocialisti në largim Edvin Rama, u shpreh se nëse kërkesat e tij antiligjore nuk merren në shqyrtim, atëherë ai do të shqyrtojë si mundësi revoltat popullore për rrëzimin e qeverisë. Këto deklarata, që për vetë pozicionin dhe rolin e Partisë Socialiste në politikën shqiptare janë jo vetëm të befasishme, por njëherazi edhe një shkelje e rëndë e etikës demokratike. Qëndrimin destruktiv të Edvin Ramës e dënuan menjëherë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputeti demokrat Edi Paloka, deklaroi se Rama duhet t’i lerë mënjanë të tilla kërcënime dhe të rikthejë opozitën në Kuvend. Ndërsa më i ashpër në reagimin e tij ishte kryetari i LSI dhe njëherazi zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili e cilësoi kërcënimin e Ramës si shprehje e degradimit politik që ka pësuar opozita në tërësi dhe Partia Socialiste në veçanti. Ai theksoi se Edi Rama duhet të harrojë se ka të bëjë me Shqipërinë e viteve ’90-të që nuk kishte as parlament dhe as aparat shtetëror....