Gjuha me armiq populli, versioni që Re.Fresh u ofron të rinjve socialistë
Të rinjve të angazhuar politikisht në Partia Socialiste Edi Rama u propozon si model karrierën e Fatmir Xhafës dhe Erjon Velisë. Në kuadër të rifreskimit të strukturave rinore eurosocialiste dyshja ekstreme Xhafa-Veliaj ishin ditën e djeshme në qytetin e Sarandës për t’u shpërndarë disa të rinjve sarandjotë karta identiteti socialiste. Sekretari ekzekutiv për koordinimin, Fatmir Xhafa në fjalën e tij prej liridashësi të kahershëm u shpreh: “kjo (anëtarësimi) mund t’ju privojë nga disa kënaqësi të moshës suaj, por do të vijë një ditë kur ju do të thoni se atëherë kur u bë ndryshimi dhe kur neodiktatura ra nga pushteti ishim ne që e rrëzuam dhe ju jeni ata që do të rrëzoni këtë diktaturë”. Audienca duartrokiti jo pak tribunin e vonuar të demokracisë.
Mirëpo duhet thënë se kur Fatmir Xhafa ishte në moshën e këtyre të rinjve jo vetëm bënte gjithçka për t’i dhuruar një buqetë lulesh shokut Enver, por shokët i kujtojnë kur bërtiste me zell në zbore e aksione vullnetare. Është e njohur fotografia e Fatmir Xhafës, i përzgjedhur për dhurimin e buqetës, në paradën e 1 majit, diktatorit Hoxha. Revistat komuniste kanë qenë mbushur me fotot e tij në tribunë... Ai përqafoi Hoxhën në tribunën e byrosë, dhe tribu-ja i dha mundësinë atij të jetë sekretar herë për çështjet ligjore e herë për koordinimit, por gjithmonë i angazhuar në dhënien e modelit të ngritjes brenda partisë.
Gjithashtu modeli i Erjon Velisë është shpjeguar shumë herë në këtë faqe gazete. Është modeli i organizatës “Mjaft” që po implementohet deri në detaje në FRESH. Me zgjedhjet e pilotuara brenda forumit Veliaj po shpejton me ritme të frikshme një terapi elektroshoku politik tek të rinjtë socialistë, duke u premtuar një karrierë të rrufeshme. Sigurisht atyre rioshëve socialistë nuk u flet për Qemal Stafën apo Vasil Shanton, por u predikon ngjitjen personale në sekretarinë rinore të PS.
Afërmendsh modeli Veliaj është modeli i shthurur i ngjitjes sociale, pasi bazohet jo tek meritokracia, por tek afërsia oportuniste me liderin. Me një karrierë të rrufeshme brenda PS-së, Veliaj ka arritur majat më shpejt se cilido tjetër, edhe pse pa merita dhe kontribute cilësore në forumet dhe strukturat e kësaj organizate politike. Sigurisht afërsia oportuniste me kryetarin e sotëm të PS-së ka qenë një faktor determinant në karrierën e këtij politikani, domethënë në djegien e të gjitha etapave të mundshme, pa fituar qoftë dhe një herë me votë postin që ka merituar.
Ky është modeli për të rinjtë? Sepse Veliaj në krye të organizatës rinore “Mjaft” u komandua prej bamirësve të jashtëm dhe të brendshëm. Dhe në krye të partiçkës politike “G99” u vetë emërua kryetar, pasi u udhëzua të formëzonte lëvizjen rinore me jeniçerët 99-sh në një kontenitor politik të dukshëm mediatikisht, me synimin e interceptimit të disa votave rrjedhëse të PS-së dhe të zhvaste ca vota që shkonin drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky truk prestigjiatorësh përfundoi me një dështim për t’u mbajtur mend. Gjithsesi, një përkufizim më të saktë e pati shkruar në një kabllogram diplomatik ish-ambasadori amerikan, i cili thoshte se Veliaj është “qen sulmi”. Dhe se “Rama përdor shpesh Veliajn për të kaluar mesazhe tek ambasadat” siç u konfirmua të ishte në rastin e dërgimit të letrës elektronike me gjak në “çështjen Griselda”. Veliaj ka vërtetuar jo një herë se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të kapur levat e pushtetit.
Sido që të jetë morëm shembull këta dy të afërt të Ramës për veçantinë e tyre, duke qenë se janë përzgjedhur jashtëzakonisht jashtë kritereve të përcaktuara nga kreu i Partisë Socialiste. Kriteret për Ramën janë dy: e para duhet të jesh pjesë e frymës së kaluar, qoftë bij dhe mbesa të nomenklaturës komuniste, dhe së dyti besnikëria jeniçere që mbron me çdo formë bamirësin e karrierës sepse pa të e gjithë historia politike do të merrte fund.