E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia ngrin adoptimet e fëmijëve nga SHBA

Moskë

Adoptimet e fëmijëve rusë nga ana e amerikanëve janë ndalur një javë pasi një djalë rus u refuzua nga nëna e tij adoptive. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, ky vendim do të vazhdojë deri sa të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe për adoptimet. Një javë më parë shpërtheu një revoltë ndërkombëtare, kur nëna adoptive e fëmijës rus e dërgoi djalin e sapoadoptuar, që ishte vetëm 7 vjeç, në Moskë, me një avion dhe vetëm fare. Djali kishte në dorë një letër, në të cilën ajo thoshte që fëmija kishte probleme psikologjike. Ishte një letër pa adresë, në të cilën shkruhej se fëmija ishte mendërisht i paqëndrueshëm, i dhunshëm dhe kishte herë pas here shpërthime psikopatike. Sipas gruas, autoritetet ruse e kishin gënjyer në lidhje me të vërtetën për djalin. Gruaja, një amerikane 33-vjeçare, e adoptoi djalin në shtatorin e kaluar. Në lidhje me këtë çështje, Departamenti amerikan i Shtetit ka ngritur një delegacion të nivelit të lartë, që do të shkojë në Moskë për ta zgjidhur këtë çështje, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje bilaterale për adoptimet. Rusët janë pak të acaruar për shkak se autoritetet amerikane nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndaj kësaj nëne të papërgjegjshme, që me veprimin e saj mund të kishte shkaktuar një tragjedi për fëmijën problematik, i cili u la të udhëtonte krejt i vetëm. Kjo ngrirje e adoptimeve ka shqetësuar shumë çifte amerikane, që janë në pritje të plotësimit të ëndrrës së tyre për të pasur fëmijë rusë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›