E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha shqipe me një mushkëri

Dy botime të reja, që kanë për autor Mehmet Elezin ndajnë botën e një shkrimtari dhe studiuesi duke sjellë në vëmendje një nga çështjet më të debatuara sot, gjuhën.
Në librin e ri “Gjuha shqipe me një mushkëri” Elezi ndalet në mënyrë të veçantë te nevoja e reformimit të standardit, duke e argumentuar këtë sidomos me rrethanat dhe zhvillimet e reja në botën shqiptare dhe brenda vetë gjuhës shqipe. Autori i referohet gjuhëtarit e dijetarit të madh Eqrem Çabej, i cili duke vëzhguar së afërmi pasojat e standardizimit të gjuhës shqipe, me të cilin Çabej nuk u pajtua kurrë, ka paralajmëruar për rreziqe deri në krijimin artificialisht të “dy gjuhëve”. “Sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne: më nj’anë gjuha e shkruar e intelektualëve, më anë tjetër gjuha e thjeshtë e popullit...”, shkruan Çabej dhe këshillon: “Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme”.
Në vijim të pikëpamjeve të parashtruara prej tij te libri “Gjuha shqipe në bunker” dhe te “Fjalor i gjuhës shqipe” me 41 mijë fjalë që nuk gjinden në fjalorët e akademisë së shkencave, mbështetur edhe te këshillat e kryemjeshtrit të gjuhës shqipe Çabej, Elezi thotë se është koha për një planifikim të ri gjuhësor. Në librin “Gjuha shqipe me një mushkëri” argumentohet pse standardi duhet të hapet në mënyrë shkencore, sipas një filozofie gjithëpërfshirëse, pasi kështu mbrohen vlerat e gjuhës shqipe dhe njësia e kombit. Ne shqiptarët jemi vëlla i vetëm në një katund të madh; e po të shkapërderdheshim edhe më duke pjellë “gjuhë” e “kombe”, këto pjella do të ishin zogj të vegjël, që zor do të mund të fluturonin vetë, thekson Elezi.
Libri tjetër i ri shkruar nga Elezi është romani “ADN-ja e korbave”. Duke ndjekur ngjarjet dhe personazhet e librit që zhvillohen si në një film dramatik, lexuesi përballet me përmasat e padëgjuara të zezonës: piramida e vlerave të botës është përmbysur papritmas, njeriu sillet si ujk dhe ujku sillet si njeri. Në skenat e romanit “ADN-ja e korbave” Çun Gurra arrin të bëjë pakt me bishën, ndërsa me njeriun s’bën dot pakt. Madje gjëma ndodh pikërisht kur ai ndahet nga bisha e bie sërish në dorë të njeriut. Në dorë të cilit njeri? Të njeriut-shtet. “Kish dy sy ku drita rrëshqiste pa vezullimë, si nëpër dy pika vaji, rënë diku në pluhur. Edhe ylli në kapelën e tij kish ngjyrë të kuqe të mbyllët, si njollë gjaku të ngrirë, të mpiksur. As aty s’gjente vend vezullimi i dritës”.
Ekrani ku luhet drama është një breg lumi me një grykë shumë të ngushtë e me një ujëvarë të bardhë. Aty dergjet njeriu i mbetur peng ndërmjet dy botëve: i privuar njëkohësisht nga jeta dhe nga vdekja. Në sfond lëvizin mite, rite, këngë të moçme qysh nga kohët pagane; një grua yll e bukur e vajton të ndjerin dhe qan se s’ia përmbushi dot amanetin. Është motra, e dashura apo zanë mali? Cili është ky amanet? Terrori i diktaturës i ka thjeshtuar mizorisht gjërat, tashmë ëndrra ndalet te një kërkesë e vetme që lidhet me vdekjen më shumë se me jetën. Kjo kërkesë zbulohet nëpër faqet e librit, siç zbulohet plaga pas fashave të përgjakura. Siç thuhet në parathënien e shkruar nga Ardian Marashi, “I matur, por me siguri e profesionalizëm, Mehmet Elezi po afirmohet si romancier i ADN-së shqiptare”. Sipas Marashit, “ADN-ja e Korbave vlen të shënohet si roman nxehtësisht i rekomandueshëm për të gjitha kategoritë e lexuesve shqiptarë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›