Korrupsioni në gjyqësor, i hiqet imuniteti gjyqtarit Thoma Nika
Korrupsioni në gjyqësor sjell edhe heqjen e imunitetit për një tjetër gjyqtar, i cili akuzohet për marrje ryshfeti nga palët në një proces civil, konkretisht 30 mijë euro. Ky është imuniteti i tretë që hiqet për korrupsion për gjyqtarët, ku pak javë më parë i është hequr gjyqtares Marsela Balili, si e dyshuar për marrje ryshfeti. KLD i ka hequr dje imunitetin gjyqtarit Thoma Nika, pas kërkesës urgjente të Prokurorisë së Përgjithshme për hapjen rrugë të hetimeve për këtë gjyqtar. Vendimi është marrë dje nga Këshilli, i mbledhur posaçërisht për shqyrtimin e kësaj kërkese të ardhur nga organi qendror i akuzës. Mbledhja si gjithmonë është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pas dy orësh është vendosur të pranohet kërkesa e Prokurorisë dhe t’i hiqet imuniteti gjyqtarit Nika dhe t’i hapet rrugë procedimit penal për akuzën e korrupsionit. Burime zyrtare të KLD-së bën të ditur në përfundim të mbledhjes se “ky vendim i Këshillit i marrë me unanimitet të anëtarëve të pranishëm i hap rrugën kryerjes së hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka atribuuar gjyqtarit në regjistrin e veprave penale, atë të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Sipas përcaktimit në ligj, dhënia e autorizimit nga Këshilli pas-solli edhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit, deri në përfundim të procedimit ndaj tij. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se për gjyqtarin Thoma Nika dyshohet se është implikuar në afera korruptive. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se për gjyqtarin ka filmime që tregojnë se Nika është duke drekuar me palët e interesuara të një procesi civil dhe më pas ka marrë prej tyre 30 mijë euro. Gjyqtari i Vlorës, Thoma Nika, shkarkohet për herë të dytë nga KLD, ndërsa dy vjet më parë është rikthyer në detyrë nga Gjykata e Lartë, e cila e çmoi vendimin e parë të KLD-së të pavend. Në mbledhjet e ardhshme të KLD-së pritet të merren në shqyrtim për procedime disiplinore disa gjyqtarë të tjerë, të cilët kanë më se dy vjet të propozuar nga Ministria e Drejtësisë për shkarkim nga funksioni i gjyqtarit apo për vërejtje. Më pas, mbledhja e KLD-së ka vijuar me rendin e ditës, konkretisht organizimi i punës mbi analizat vjetore të të gjitha gjykatave, trajnimi vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, si edhe delegimet e gjyqtarëve sipas procedurës së parashikuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Korrupsioni, gjyqtarët pa imunitet
Thoma Nika, Gjykata e Vlorës
Marsela Balili, Gjykata e Krimeve të Rënda
Qani Hasa, Gjykata e Elbasanit