Gjukanoviç: Marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi model i fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon Kryeministri Fatos Nano ka marrë sot një mesazh urimi nga Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gju
Gjukanoviç: Marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi model i fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon
Kryeministri Fatos Nano ka marrë sot një mesazh urimi nga Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Në këtë mesazh Kryeministri malazes shprehet:
"Dëshiroj t'Ju përshëndes për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe shpreh urimet e mia të sinqerta për suksesin tuaj të vazhdueshëm për mirëqënien e vendit dhe popullit shqiptar.
Në këtë fundviti, jam i kënaqur të them se marrëdhëniet tradicionalisht të mira midis Malit të Zi dhe Shqipërisë janë zhvilluar në mënyrë shumë të suksesshme dhe ato përfaqësojnë një model të fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon.
Në këtë kontekst, mendoj se do të ishte tepër e vlefshme të vazhdojmë takimet trepalëshe të Kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, si një mundësi për të diskutuar çështje të interesit reciprok për tre vendet tona dhe, gjithashtu, për zgjerimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Dy takimet e mëparshëm janë zhvilluar përkatësisht në Ohër dhe Durrës. Në përputhje me marrëveshjen e bërë, takimi i tretë do të zhvillohet në Malin e Zi. Besoj se ekzistojnë kushtet e duhura për ta zhvilluar këtë takim më 15 janar 2004, në Podgoricë. Ju mirëpresim dhe e konsiderojmë të rëndësishme pjesëmarrjen tuaj në këtë takim.
Çështjet kryesore të takimit mendoj të jenë ato që lidhen me zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike në të ardhmen dhe bashkëpunimi për realizimin e projekteve në fushën e infrastrukturës", thuhet në mesazhin që Kryeministri Fatos Nano ka marrë nga homologu i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.