E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukanoviç: Njohja e Kosovës, në përputhje me interesat kombëtare

PODGORICË- Interesat kombëtare do të jenë në thelb të vendimit të Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së shpallur të Kosovës. Deklarata është bërë sot nga kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. "Në muajt e ardhshëm, Mali i Zi do ta shohë me shumë kujdes dhe në mënyrë shumë të matur procesin e verifikimit ndërkombëtar të vendimit të parlamentit të Kosovës, që u mor në muajin shkurt të këtij viti, për pavarësinë e saj”- tha Gjukanovic. Ai shtoi më tej se “bazuar në një analizë kaq të hollësishme dhe serioze politike, ne do të marrim një vendim, që do të jetë më i miri i mundshëm përsa u përket interesave kombëtare të Malit të Zi". Gjukanoviç gjatë një konference shtypi hodhi poshtë mundësinë që Podgorica t'i nënshtrohej presionit të Brukselit, Uashingtonit apo Beogradit për këtë çështje. Ai shtoi se ky ishte thelbi i pozicionit të Podgoricës për sa i përkiste pavarësisë së Kosovës. "Ne jemi të vetëdijshëm se ka pasur shumë momente kur Mali i Zi ka mbështetur interesat e të tjerëve, gjithashtu kemi respekt për historinë e përbashkët me popullin serb, por ky fakt nuk i jep të drejtën askujt të kërkojë prej nesh, madje as Serbisë, që Mali i Zi të sakrifikojë interesat e tij për ato të Serbisë", theksoi Gjukanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›