E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, miratohet projektligji për legalizimet

 

TIRANE- Me 71 vota pro dhe 15 kundër Kuvendi miratoi gjatë seancës së sotme plenare ndryshimet në ligjin“Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje“,draft, që nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës në fund të muajit prill 2008. Opozita gjatë diskutimeve të mëparshme është deklaruar kundër ndryshimeve të paraqitura nga maxhoranca për ligjin e legalizimeve. Deputetët e majtë kanë vlerësuar se pavarësisht propozimeve të reja, kompetencat e qeverisjes vendore në procesin e legalizimit, i janë dhënë ALUIZNI-t. Komisioni gjatë diskutimit nuk ka marrë parasysh as propozimet e ish-pronarëve për këtë draft. Ndërkohë për deputetët e maxhorancës në bazë të ndryshimeve të propozuara, krijohet mundësia e njësive të qeverisjes vendore të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për hartimin e procedurave të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas tyre, drafti i paraqitur korrigjon pasaktësinë përsa i përket kompetencës ekskluzive të organeve të pushtetit vendor lidhur me planifikimin, menaxhimin urban dhe të territorrit. Roli i ALUIZNI-t në këtë dispozitë është përcaktuar rol ndihmës dhe ky organ do të mbështesë njësitë e qeverisjes vendore në urbanizimin dhe integrimin e territoreve, në ndërtimet e legalizuara, ndërsa qartëson rolin e njësive të qeverisjes vendore si organ me të drejtë ekskluziv për të përcaktuar territorin me ndërtime informale brenda territoreve në të cilat shtrihet juridiksioni i tyre.

Sipas ndryshimeve të bëra, njësia e qeverisjes vendore do të ketë dy muaj kohë për të bërë kualifikimin e ndërtimeve informale. Pas kësaj, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të ALUIZNI-t, përpunon të dhënat e ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital dhe sipas ndarjes kadastrale. Po ashtu, në ligj janë vendosur afate të cilat parashikojnë realizimin më parë të procesit të kompensimit të pronarëve dhe më pas legalizimin. ALUIZNI, pasi verifikon nëse parcela ku është bërë ndërtimi informal është e regjistruar në pronësi të të tretëve, i dërgon Qeverisë për vendimmarrje listën për kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Vetëm pas këtyre procedurave të përcaktuara me afate, miratohet legalizimi i ndërtimit informal dhe jepet leja e legalizimit.

*****Ndërkohë që punimet në Kuvend kanë filluar me 60 minuta diskutim të lirë, jashtë rendit të ditës. Kanë filluar diskutimin këtë seancë plenare me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga presidenti Bamir Topi. Në fakt kjo çështje e miratuar nga kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka ngjallur acarime në kuvend nga opozita e cila ka këkruar mocion mosbesimi ndaj saj.

Megjithatë kjo senacë ka filluar me shqetësimin për hetimet e tragjedisë më të madhe të kohëve të fundit në Shqipëri shpërthimi i municioneve në Gërdec, e permendur nga deputeti Ylli Xhufi.

ora 18.35Topalli: Dekretet e Presidentit, në komisionin e ligjeve

TIRANË- Dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë do të fillojnë të shqyrtohen nesër ne komisionin parlamentar të ligjeve. Kështu ka siguruar gjatë seancës së sotme parlamentare kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo, në përgjigje edhe të akuzave të herëpashershme të opozitës për këtë çështje, deklaroi se "pas konsultimeve me konsitucionalistë dhe pavarësisht se më kanë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, sepse kërkova informacion për kandidaturat për Gjykatën e Lartë, në fakt të gjithë kanë rënë dakord në thelbin e asaj që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese". Sipas Topallit është Kuvendi, i cili ka të drejtën për të parë në substancë dhe për të shqyrtuar dekretet. “Është kuvendi që ka meritën e emërimit, pavarësisht mungesës së luajalitetit kushtetues të rastit. Besoj, se nesër do të mblidhet komisioni i Ligjeve, pasi kryetari i tij, Fatos Beja është kthyer pas një shërbimi të gjatë”- tha ajo. Sapo komisionet t'i shqyrtojnë dekretet në meritë, në substancë, sikurse thotë vendimi i Kushtetueses, Topalli ka garantuar se do t'i votojnë në seancë plenare.

ora 18:45Meksi: “Qeveria nuk mund të fshehë dështimin”

Në fjalën e saj të mbajtur në Kuvend deputetja e PS-së Ermelinda Meksi përmendi se vendi ynë vuan nga varfëria. Ajo e nisi fjalën e saj me përmendjen e vetëvrasjes së 24-vjeçarit nga Korça Gerund Dushku i cili i dha fund jetës se nuk mori dot vizën për në Greqi. Kjo pasi sipas Meksit varfëria është e madhe ne vend.

Meksi përmendi gjithashtu raportet e fundit të departamentit amerikan të shtetit se ‘ne jemi në vendet nën vëzhgim për sa i përket krimit korrupsionit varfërisë’.

Meksi tha se 18.5 përqind e personave në Shqipëri jeton në varfëri absolute, sipas raportit të Bankës Botërore. “Qeveria nuk mund ta fshehë dështimin e saj. Pengesa e vetme e kësaj qeverie është mosrealizimi i reformave”- tha Meksi. Ajo rendit këto si arsye pë rtë cilat nuk mudn të futemi ende në Bashkimin Evropian.ora 18.50 

Astrit Patozi: "Kërkesat e grevistëve të ekzagjëruara"

Deputeti i PD-së, Patozi ka quajtur opozitën përgjegjëse për grevën e urisë në të cilën janë futur banorët e Gërdecit. Madje, edhe për kërkesat e tyre ai ka bërë me faj opozitën, si nismëtare. “Hipokrizia ndaj qytetarëve në nevojë dhe keqpërdorimi i tyre ka njohur dimension të veçantë. Nisma politike për fillimin e grevës dhe përdorja e atyre banorëve atje janë forma më e shëmtuar. Kemi parë përfaqësues të opozitës që bënin xhiro në Gërdec, në ditën e tragjedisë, për të marrë foto ose fraza që në thelb kërkonin rrëzimin e qeverisë. Pas kësaj keni shkuar në punën tuaj dhe nuk jeni kujtuar më për banorët”- ka thënë ai, duke kujtuar se pozita ndërkohë ka ndenjur në shi e pa gjumë me njerëzit në nevojë. Patozi e ka cilësuar të shkuar fazën e emergjencës dhe ka lëvduar qeverinë për mënyrën e përkryer të funksionimit të qeverisë. Madje, sipas tij edhe vetë banorët kanë falenderuar disa herë për mënyrën se si u veprua me ta. Punëtorët e fabrikës janë trajtuar nga qeveria dhe çdo kërkesë e tyre po shikohet. “Kërkesat e ekzagjeruara që nuk ka miliarder në botë që t’i përmbushë i keni shkruar ju vetë, ashtu si i mbrojtët edhe sot”- tha ai. Shqiptarët, sipas tij nuk janë egoistë. Ata kuptojnë se shumë gjëra bëhen për militantizëm partiak. Duke shprehur solidaritetin për banorët ai ka ftuar opoziën të bënte diçka të dobishme për hallet dhe problemet reale. Kjo, sipas Patozit do të ishte më njerëzore.  

ora 19:00Minxhozi: “Qeveria t’i kushtojë rëndësi minierave të Bulqizës”

Qemal Minxhozi është shprehur i shqetësuar për situatën e minatorëve që po punojnë në minierat e kromit në Bulqizë ku pak ditë më parë humbi jetën një tjetër minator. Për të mos përmendur se brenda 18 muajve kanë humbur jetën 14 persona. Ai i krahasoi minierat e Bulqizës me tragjedinë e Gërdecit. ‘Shpërthimet në Gërdec kanë ndodhur sepse qeveria nuk e mori seriozisht tragjedinë”- u shpreh Minxhozi. Ai tregoi se njerëzit që punojnë aty janë të pa siguruar me mjetet e domosdoshme. Minxhozi bëri thirrje që Qeveria t’i kushtojë vëmendje këtyre punonjësve pasi dita-ditës po vdesin njerëz. 

Ora 19.15

Dashnor Sula: Trafiku dhe krimi, në rënie

Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka folur në pjesën e lirë të senacës së sotme për punën e bërë në uljen e krimit dhe trafikut. “Shfrytëzimi i vazhdueshëm dhe trafiku që bënte qarkullimin në perëndim, nuk ndodh më, pasi puna e Interpolit dhe Prokurorisë, në bashkëpunim me homologët ka bërë të mundur që fenomeni të luftohet ashpë”- tha ai, duke folur me gjuhën e shifrave. Sipas tij, në vitin 2003, u vunë para drejtësisë 23 grupe kriminale. “Në vitin 2005-2006, para drejtësisë janë vënë 60 grupe dhe janë sekuestruar miliona euro pasuri e tyre”- tha ai, duke theksuar në këtë mënyrë punën e mirë të bërë në këtë drejtim. Nëse më parë, sipas Sulës kishte viktima më shumë, sot ka më pak. Ka më pak, viktima trafiku që kërkojnë asistencë dhe mbrojtje, më pak emigrantë klandestinë të kthyer. O ora 19:25 

Hyka: “Vizita e Berishës në Elbasan, e shtirur”

Ndriçim Hyka deputeti i Partisë Socialiste në fjalën e mbajtur në kuvend ka folur në mënyrë të veçantë për vizitën e kryeministrit Berisha në Elbasan, që ai e quajti të ‘dështuar’ dhe të shtirur. “Elbasani vuan nga varfëria. Banorët jetojnë me pasurinëe së ardhmes pasi nuk ka ansjë shpresë për punësim, asnjë shpresë për ulje çmimesh”- u shpreh Hyka. Ai akuzoi Berishën se ai shkoi atje për të treguar për arritjet e qeverisë por që në fakt nuk është bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen e banorëve.

Deputeti i PS-së renditi problemet që kanë banorët e Elbasanit si shëndetësia ku për 3 vjet nuk është bërë asnjë investim dhe problemet e arsimit. “Ka një nivel të ulët të mësimdhënies në universitetin e Elbasanit, pasi pedagogët kanë cilësi mësimdhënieje të dobët, madje ka pedagogë me mesatare 6. Ndërsa studentët që kanë përfunduar vjet nuk kanë marrë diploma” –tha Hyka

Ora  19.30

Leskaj: Jetën nuk ua ktheni dot, jepuni të drejtat minimale

Deputetja e Partisë Socialiste ka bërë përgjegjësie qeverinë për tragjedinë, që vetë kreu i qeverisë e quajti gjëmë kombëtare dhe tani i ka lënë ata banorë në mëshirë të fatit. Në fillim të fjalës ajo ka replikuar me deputetin e PD-së, Sula, për uljen e krimit dhe trafikut, duke i sugjeruar atij, që të dhënat e mbledhura t’ia dërgojë Departamentin Amerikan të Shtetit. Pastaj në përgjigje të fjalës së Patozit, ajo ka treguar fotografi të një fëmije, të lëna në dorë nga nëna e tij, e cila ka kërkuar ndihmë. “Fotografitë nuk i kemi bërë ne, por m’i ka lënë në dorë një nënë e cila kërkon ndihmë. Ju kujtoj se kanë kaluar 3 muaj nga 15 marsi ku vetë Berisha e quajti gjëmë kombëtare, ngjarjen e Gërdecit. Sot viktimat janë në grevë urie për të drejtat dhe qeveria nuk po reagon, por i ka lënë në mëshirë të fatit”- tha ajo. Leskaj ka kujtuar se në këtë tragjedi shihen gjurmët e qeverisë dhe më pas ka numëruar kërkesat e grevistëve, duke i quajtur ato minimale dhe tepër të ligjshme. “Kërkojnë pension familjeve të atyre që kanë humbur jetën dhe kjo është njerëzore; Kërkojnë shpërblim për të plagosurit me 150 mijë lekë; një vit pagë dhe vitin tjetër asistencë dhe kjo u takon dhe atyre që nuk kanë kaluar nëpër ferrin e tragjedisë”- tha ajo, duke iu drejtuar qeverisë se “Jetën nuk ua ktheni dot më, jepuni të drejtat minimale”. Ajo akuzon qeverinë për spostim të vëmendjes nga Gërdeci, duke e quajtur protestën e opozitës si çnjerëzore. Më pas, ka kërkuar heqjen e imunitetit të ministrit Mediu dhe finalizimin e kësaj çështjeje brenda javës. ora 19.40Kuvend, Shqipëria në konventën për taksimin e automjeteve

TIRANË- Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare me shumicë votash projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për taksimin e automjeteve rrugore në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve”. Sipas këtij ligji, kjo konventë ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të operatorëve të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, gjatë kryerjes së shërbimeve të transportit në territoret e palëve kontraktuese. Aderimi në këtë konventë, do t'i shërbejë zgjerimit të biznesit në tregun e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, nëpërmjet lehtësimit të procedurave në shërbimet e transportit. Në marrëveshje janë përcaktuar edhe përjashtimet e taksimit të mjeteve. ora 19. 47 

Shqipëria, pjesë e Konventës për trajtimin doganor të paletave të përdorura në transportin ndërkombëtar

TIRANË- Miratohet me shumicë votash projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën europiane, “Për trajtimin doganor të paletave të përdorura në transportin ndërkombëtar”. Ky ligj është hartuar në zbatim të detyrave të përcaktura në programin e qeverisë për transportin rrugor dhe në planin kombëtar të transportit. Konventa ka për qëllim rritjen e përdorimit të paletave në transportin ndërkombëtar të mallrave, si një mjet për të lehtësuar transportin ndërkombëtar, duke zvogëluar koston e këtij transporti. Me aderimin në këtë konventë, paletat e përdorura në transportin e mallrave përjashtohen nga detyrimet dhe taksat e importit, në të cilat hyjnë, jo vetëm detyrimet doganore, por edhe të gjitha detyrimet e taksat e vendosuara për efekt të importit. Konventa europiane "Për trajtimin doganor të paletave të përdorura në transportin ndërkombëtar” është nënshkruar në Gjenevë në vitin 1960 dhe bën pjesë në konventat e fushës së transportit rrugor të mallrave, që lidhen me lehtësimin e kalimeve kufitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›