E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton ligjin për falimentin dhe procedurat tatimore

 

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka dekretuar dy ligjet e miratuara nga Kuvendi shqiptar. Ai firmosi sot për ligjin e falimentimeve dhe ligjin për procedurat tatimore.

Dekretimi i ligjit për procedurat tatimore ishte rikthyer në Kuvend për rishqyrtim disa javë më parë nga Presidenti. Pavarësisht ndryshimeve të bëra, Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj, duke braktisur sallën në momentin e votimit. Edhe ligji për falimentimet ka qenë i debatuar nga politika shqiptare. Në tryezën e presidentit Topi ka pasur 6 ligje të dekretuara mes të cilave presidenti dekretoi ndryshimet e mësipërme dhe ai dekretoi gjithashtu edhe ligjet për komunikimin elektronik si dhe atë për pastrimin e parave dhe luftës ndaj terrorizmit.

Thelbi i ligjit “Për falimentin” është që, Ministria e Financave të nisë procedurat e falimentit ndaj çdo shoqërie tregtare që nuk ka kryer asnjë veprimtari tregtare prej dy vjetësh, ka paaftësi pagese prej një periudhe 2-vjeçare apo kur kalon në status pasive. Por, ka qenë pikërisht kjo që kanë kundërshtuar deputetët e opozitës.

Bizneset që paraqesin bilance negative pranë tatimeve për 2 vjet radhazi, do të kenë tashmë një procedurë të shpejtë falimentimi. Kuvendi ka miratuar gjatë ditës së djeshme ndryshimet në ligjin për falimentin, në të cilat parashikohet që të ketë një procedurë të shpejtë falimentimi për bizneset që vlerësohen nga ana e tatimeve me bilance negative. Sipas draftit të miratuar, gjykata që merr në shqyrtim një çështje falimentimi duhet që të dalë me një vendim të formës së prerë brenda 30 ditëve. Projektligji parashikon se "Shqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve, nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, seksioni tregtar. Ndërsa, pas mbarimit të këtij afati "Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit në gjykatën e faktit".

Ndërsa për sa i përket ligjit për procedurat tatimore sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave me projektligjin e ri synohet të rregullohen strukturat e funksionet e njësive te hetimit tatimor. Sipas tyre këto janë njësi te specializuara te hetimit e zbatimit ne administratën qendrore tatimore. Deputete të Opozitës e kundërshtuan kete nen pasi sipas tyre, hetimi nuk mund te jete kompetence e administratës tatimore, duke e konsideruar atë si "kompetence te tepruar".

Ndërkohë qe një tjetër ndryshim i parashikuar ne kete projektligj, është edhe ai mbi te drejtën e subjektit për ankimin administrativ tatimor. Sipas projektligjit tatimpaguesi e dorëzon ankimin ne drejtorinë e apelimit tatimor brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur vlerësimi, ose vendimi i administratës tatimore, është marre ose konsiderohet te jete marre nga tatimpaguesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›