Gjukanoviç fiton zgjedhjet në Mal të Zi
Partia malazeze në pushtet e Kryeministrit Millo Gjukanoviq ka fituar vetë dhe në koalicion me partitë tjera, më së shumti vota në 12, nga 14 komunat në Mal të Zi. Në kryeqytetin Podgoricë, partia në pushtet do të detyrohet të bëjë koalicion me Partinë Socialdemokrate. Me rëndësi konsiderohet fitorja e Partisë Demokratike të socialistëve në kryeqytetin malazez, Podgoricë, ku ajo ka fituar 28 mandate për këshilltarë. Rivalet kryesore në këto zgjedhje kanë qenë partia në pushtet e Kryeministrit aktual Millo Gjukanoviq, dhe blloku pro serb i bashkuar, midis Partisë Socialiste Popullore, Partisë së Re Serbe dhe Lëvizjes për ndryshime. Sa i përket qyteteve, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët, në Ulqin dhe Tuz, fitore ka shënuar Koalicioni midis Unionit Demokratik të shqiptarëve dhe Partisë së Gjukanoviqit, asaj Demokratike të Socialistëve. Me këtë komunën e Ulqinit për një tjetër mandat do ta drejtojë kryetari aktual Gëzim Hajdinaga, i cili ka qenë bartës i listës së këtij koalicioni. Përndryshe gjatë votimeve nuk u regjistruan probleme dhe parregullsi dhe nuk ka njoftime për incidente. Këto zgjedhje nuk janë monitoruar nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe organizatave vendore joqeveritare. Ndërkohë, pritet të shpallen edhe rezultatet e para të detajuara dhe zyrtare të zgjedhjeve.