Protesta në Bilisht, policia padit babanë e 3 të vrarëve
KORçE/ GEZIM ASHIMI
Babai i tre vëllezërve të vrarë në Vidohovë, Xhevahir Mulliri kthehet nga akuzues në të akuzuar. Protesta e organizuar të dielën, me tre arkivole, nga të afërmit e viktimave i ka kushtuar dy akuza babait të vëllezërve, Taulant, Edlevan dhe Xhiljan Mulliri. Ai protestoi me të afërmit e tij në Bilisht, duke akuzuar gjykatën për dënim të ulët të vrasësit të trefishtë, Besim Karaj. Njëra pas tjetrës, dy institucione, komisariati i Devollit dhe Gjykata e Korçës reaguan pas protestës dhe akuzave të Xhevahir Mullirit, duke e paditur në prokurori. Ai akuzohet nga ana e policisë për organizim të protestës së paligjshme, ndërsa nga gjykata, për shpifje. Mbi bazën e këtyre dy akuzave, Xhevahir Mullirit i duhet të paraqitet në prokurori dhe të ballafaqohet, si për zhvillimin e protestës publike, për të cilën nuk kishte marrë leje më parë në polici, por edhe për akuzat e hedhura ndaj gjykatës. Xhevahir Mulliri doli në rrugë në shenjë proteste bashkë me tre arkivolë të improvizuar dhe kurora me lule për vrasjen e djemve të tij. Gjatë kësaj proteste, ai kundërshtoi vendimin e gjykatës për dënimin me 25 vjet burgim të autorit Besim Karaj. Policia e Korçës bëri të ditur ditën e djeshme, se Xhevahir Mulliri do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë dhe ndaj tij kanë nisur veprimet procedurale për veprën penale të organizimit të protestës së paligjshme. Nga ana e saj, edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë reagoi për akuzat e shprehura prej Xhevahir Mullirit në protestë, ku ai pretendoi se ishte dhënë një dënim i butë ndaj autorit të vrasjes së tre djemve të tij. Burime nga gjykata bënë të ditur se është bërë një ankimim pranë Prokurorisë së Korçës nga ana e trupit gjykues për shpifje, për shkak të detyrës ndaj Xhevahir Mullirit. Sipas gjykatës, pretendimet e babait të tre viktimave për dënim të butë, nuk qëndrojnë sepse ndaj të pandehurit Besim Karaj është kërkuar dënimi maksimal në bazë të ligjit që është burgim i përjetshëm, por ai ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar. Në këto rrethana, një ditë pas protestës publike që organizoi me të afërmit e tij në qytetin e Bilishtit, babait të tre viktimave të tragjedisë së Vidohovës i ngrihen dy akuza nga policia dhe gjykata, për të cilat ai pritet të përballet me drejtësinë.