Kanë, “Palma e Artë” shkon në Tajlandë
Me një trofe që udhëton drejt Tajlandës, u mbyll edicioni i 63-të të një prej festivaleve më të rëndësishëm për kinematografinë botërore. Bëhet fjalë për Festivalin e Kanës, i cili mbrëmjen e së dielës ndau çmimet për më të mirët. Filmi më i mirë, që meritoi edhe çmimin e madh, “Palma e Artë”, u shpall “Uncle Boonmee Who Can Recall His Past Lives”, me regji të tajlandezit Apichatpong Weerasethakul. “Jemi shumë të emocionuar. Të jesh këtu është gati sureale, sidomos për një si unë, që vjen nga xhungla. Besoj se është një moment i rëndësishëm për historinë tonë bashkëkohore dhe falënderoj producentët, që i shkuan deri në fund kësaj pune, pavarësisht peripecive të shumta. Do të doja t’i puthja një për një, të gjithë anëtarët e jurisë e në veçanti Tim Burton, flokët e të cilit më pëlqejnë shumë”, u shpreh regjisori, teksa merrte në duar trofeun. Të tjerë trofe u ndanë për aktorët më të mirë, që i merituan “ex aequo” nga aktorët Javier Bardem për interpretimin e tij në filmin “Beautiful” dhe Elio Germano për rolin e tij në filmin “La nostra vita”. Ndërsa aktorja më e mirë e këtij edicioni u shpall Juliette Binoche. “Des hommes et des Dieux” me regji të Xavier Beauvois fitoi çmimin e Madh të jurisë së festivalit. çmimi për regjinë më të mirë i shkoi Mathieu Amalric për filmin “Tournée”, ku ai gjithashtu interpretonte si aktor. Një tjetër çmim i jurisë i shkoi filmit “Un homme qui crie” i regjisorit nga çadi Mahamat-Saleh Haroun. Lee Chang-dong fitoi çmimin për skenarin më të mirë në filmin “Poetry”. Në edicionin e sivjetshëm, në ambientet e Festivalit të Kanës, u hap edhe një pavijon, ku u prezantua filmi shqiptar, sigurisht që jashtë konkurrimit.