Gjukanovic në Tiranë: Jo Planit te Ban Ki-Mun
Tiranë- I gjendur për vizitë zyrtare në Tiranë, Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç është shprehur kundër Planit 6 pikës të EULEX në Kosovë, hartuar nga sekretari i OKB-së, Ban Ki-Mun. “Ndarja e Kosovës mbi baza entike është një plan i varrosur”, tha sot ai në një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Ai është solidarizuar me qendrimin e Tiranës zyrtare mbi këtë plan.
Kryeministri malazez shprehu qendrimin e qeverisë së tij për Kosovën duke theksuar se qeveria e tij është kundër çdo ndarjeje të shtetit te ri. Sipas Gjukanovic një ndarje e Kosovës do të shkaktonte reaksione zinxhir në rajon, që nuk do t’i shërbenin aspak stabilitetit. Nga ana e tij, Kryeministri, Sali Berisha u shpreh kundër planit gjashtë pikash për implementimin e misionit EULEX në Kosovë. “Plani ka probleme serioze, pasi favorizon një ndarje të butë të Kosovës”. Kreu i ekzekutivit, Berisha vlerësoi se problem serioz në Ballkan është nacionalizmi i serbeve.
Berisha dhe Gjukanovic kërkuan që Këshilli i Sigurimit OKB të konsultohet gjerësisht me faktorët lokal rreth planit që parashikon për Kosovën. Sipas tyre plani aktual 6 pikësh ka probleme serioze në përbërjen e tij. Në këtë temë, ata shpresuan se Kosova do të gjejë një projekt të pajtueshëm.
Me tej, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi në veçanti rolin e Gjukanoviç në kontrobutin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. "Shqiptarët kanë patur dhe kanë tek Millo Gjukanoviç një mik të çmuar, një mik të ditëve të vështira të tyre”, tha Berisha. Ndërsa shprehu bindjen se kjo vizitë është një kontribut i rëndësishëm në marëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për intesifikimin e tyre, në të gjitha fushat në interes të dy kombeve e vendeve dhe rajonit në tërësi.