Gjunjëzohet përballë kritikave, dorëhiqet kreu i opozitës siriane

Kreu i opozitës siriane dhe drejtuesi kryesor i Këshillit Kombëtar Sirian, grupimit që ka udhëhequr lëvizjen kryesore të rebelimit ndaj regjimit të al-Assad, paraqiti të enjten vendimin e tij për t`u larguar.
I vendosur në shënjestrën e kritikave gjithmonë e në rritje, Burhan Ghalioun, specifikoi se dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi në momentin e parë që do të gjendet një zëvendësues i përshtatshëm.
Dorëheqja e tij vjen pas rritjes së kritikave popullore dhe nga grupimet e tjera të aktivistëve, të cilët kanë shënjestruar KKS-në për lidershpin e dobët dhe mungesën e konsensusit brenda organizatës.
KKS-ja u formua në fillim të vitit me qëllimin që të formonte një front të përbashkët të opozitës, por është përçarë në disa grupime të ndryshme.
”Nuk do t`i lejoj vetes që të shndërrohem në një thellues të përçarjes. Unë nuk jam i lidhur përjetësisht me pozicionin që kam, prandaj kam vendosur që të largohem menjëherë kur dikush më i përshtatshëm të gjykohet se mund të më zëvendësojë”, deklaroi Ghalion për “Agence France Presse”.
Ghalioun, një akademik i formuar në Francë, është përballur me akuza të shumta për monopolizimin e pushtetit. Ai është kritikuar për afrinë e tepërt me Vëllazërinë Muslimane.