Gjurmëve të gjakutNga Enver RobelliNë Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi është duke u zhvilluar një degë e turizmit, e cila është risi për rrethanat në Ballkan. Të huajt, por edhe vendasit mund të vizitojnë vendet e krimit dhe të shkatërrimit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gjurmëve të gjakutNga Enver RobelliNë Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi është duke u zhvilluar një degë e turizmit, e cila është risi për rrethanat në Ballkan. Të huajt, por edhe vendasit mund të vizitojnë vendet e krimit dhe të shkatërrimit, duke rezervuar aranzhime përkatëse në agjencitë turistike në Beograd, Sarajevë ose Vukovar. Në Sarajevë njëri prej banorëve më të njohur është Zijad Jusufoviçi, i cili shpesh quhet “shefi i turizmit të përgjakshëm”. Jusufoviç punon si ciceron turistik dhe shoqëron udhëtarët nga Evropa dhe Amerika, të cilët vijnë në Sarajevë dhe interesohen të mësojnë se si ka mbijetuar ky qytet gjatë rrethimit dhe bombardimit nga forcat serbe. Rrethimi i Sarajevës filloi më 4 prill 1992 me pushtimin e aeroportit në paralagjen Ilixha nga Armata Popullore e Jugosllavisë, e cila ishte vënë në shërbim të palës serbe, dhe përfundoi më 29 shkurt 1996. Rrethimi zgjati 1425 ditë dhe është njëkohësisht më i gjati në shekullin XX. Jusufoviç i informon turistët se si gjatë rrethimit forcat serbe për çdo ditë e kanë goditur qytetin mesatarisht 329 granata. Numri më i madh i granatave është gjuajtur më 22 korrik 1993 - gjithsej 3777! Gjatë rrethimit u vranë pothuaj 11 mijë njerëz të të gjitha etnive në Sarajevë, shumica prej tyre myslimanë. Mes viktimave janë edhe 1600 fëmijë.
Qoftet e Abdullahut
Jusufoviç nuk përqendrohet vetëm te viktimat. Ai tregon edhe për mbijetesën e njerëzve. Për shembull se si banorët e Sarajevës hapën një tunel nën pistën e aeroportit, në mënyrë që më lehtë dhe pa rrezik të furnizohen me ushqim, me ilaçe dhe me ujë. Një destinacion tjetër është Srebrenica. Në këtë qytet në fillim të korrikut të vitit 1995 forcat serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç masakruan gati 8 mijë myslimanë. Para Srebrenicës, në Potoçari, turistët mund të vizitonin qendrën memoriale, ku janë të varrosur një pjesë e viktimave të gjenocidit. Viktimat e tjera supozohet të jenë ende nëpër varreza masive. Pas vizitës në Potoçari turistët vazhdojnë rrugën drejt qendrës së qytetit të Srebrenicës dhe zakonisht ndalen për drekë në restorantin e Abdullah Purkoviçit, i cili është njëri prej myslimanëve të paktë që është kthyer në vendlindjen e tij. Abudullah Purkoviçi është njëri prej kuzhinierëve më të njohur në Bosnjë. Qoftet e përgatitura prej tij janë legjendare. Edhe bakllava. Ata turistë që duan ta shohin Bosnjën e pasluftës ndalen edhe në Xhaminë e Mbretit Fahd në Sarajevë. Monarku saudit ka derdhur mjaft pará për të ndërtuar këtë objekt kulti, i cili nuk shërben vetëm si faltore, por edhe si vend, ku besimtarët mësojnë Kuranin. Turistëve amerikanë Zijad Jusufoviçi u ofron edhe takime me besimtarë myslimanë, disa prej të cilëve e quajnë veten muxhahedinë. Për çdo vit Jusufoviç shoqëron rreth 100 grupe turistësh nëpër Bosnjë.
Në Muzeun e Vukovarit
Një destinacion tjetër i njohur për turizëm të luftës është Vukovari. Ky qytet shpesh quhet Stalingradi kroat, sepse nga 25 shtatori deri më 19 nëntor 1991, u kishte bërë ballë sulmeve të njëpasnjëshme të Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila ishte vënë në shërbim të politikës ekspansioniste serbe. Në Vukovar shpesh ndalen anijet që lundrojnë nga Vjena në Detin e Zi në Bullgari dhe turistët këtu mund të shikojnë rrënojat e luftës, mund të hanë drekë në restorantin e improvizuar të një shqiptari nga rrethina e Gostivarit dhe, pastaj, vizitojnë muzeun në kujtim të mbi 200 pacientëve të spitalit të Vukovarit, të cilët pas pushtimit të qytetit nga forcat serbe ishin ekzekutuar në një kombinat bujqësor. Në këtë muze janë shënuar emrat e të gjitha viktimave, mes tyre janë edhe disa shqiptarë.
Në Beograd agjencia turistike “Vekol” për turistët ofron një udhëtim nëpër vendet, ku kishte jetuar Radovan Karaxhiçi me pseudonimin dr. Dragan Dabiç.
Udhëtimi përfshin një vizitë te ndërtesa në rrugën “Jurij Gagarin” në Beogradin e ri, në të cilën kishte banuar Karaxhiçi, pastaj në furrën ku ky i dyshuar për krime lufte blinte bukë dhe në fund turistët ndalen në restorantin “Luda kuća”, “Shtëpia e çmendur”, në të cilën Karaxhiçi kishte pirë verë dhe kishte dëgjuar këngë patriotike serbe. Turistëve në këtë lokal u ofrohet nga një gotë verë e quajtur “Medvedja krv” (“Gjaku i ariut”), mish dhe këngë të shoqëruara me lahutë. Pasi kanë parë këto “atraksione” turistët vazhdojnë udhëtimin me autobusin e linjës 73, në të cilin, siç thuhet, ishte arrestuar Karaxhiçi. Tani turistëve s’u mbetet gjë tjetër, veçse të shikojnë edhe ndërtesën e Gjyqit Special në Beograd, ku ishte mbajtur Karaxhiçi deri në ditën e dorëzimit në Hagë. Turistë të tjerë nga Perëndimi, të cilët nuk duan të shohin asgjë nga shkatërrimet e luftës së fundit, zakonisht shkojnë në Kumrovc, në vendlindjen e Titos, që gjendet në rajonin e Zagorjes, jo larg Zagrebit.