Qeveria e re me dy ministra në kërkimNga Tema Kryeministri, Sali Berisha, bëri të ditur dje në mbrëmje emrat e kabinetit të ri qeveritar. Deri në çastet e fundit të gjithë deputetët, por dhe zyrtarë të tjerë të PD, kanë qenë në ankth në lid
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qeveria e re me dy ministra në kërkimNga TemaKryeministri, Sali Berisha, bëri të ditur dje në mbrëmje emrat e kabinetit të ri qeveritar. Deri në çastet e fundit të gjithë deputetët, por dhe zyrtarë të tjerë të PD, kanë qenë në ankth në lidhje me emërimet, pasi asgjë nuk ka qenë e qartë.
I pyetur se, kur i ka bërë konsultimet për qeverinë, kryeministri tha se ka kohë që merret me këtë punë, edhe pse shumë propozime kanë qenë surprizë dhe për ata që janë caktuar për të drejtuar ministri.
“Kjo është një qeveri si rezultat i konsultimeve të gjata, dymujore. Madje mund t’ju them, meqenëse keni kureshtje, edhe deri para pak minutash se të vija këtu në konferencë. Unë jam konsultuar me bashkëpunëtorët e mi, jam konsultuar me aleatët e mi, jam konsultuar gjerësisht. Natyrisht, nuk mund të them se jam konsultuar me ata që janë në konflikt interesi me konsultimin, sepse kjo besoj se nuk është etike, sepse e prish konsultimin”, - tha Berisha.
Të akuzuarit në kabinet
Berisha bëri të ditur se në kabinetin e tij do të jenë gjithashtu dy ministra që janë nën akuzë. Lulzim Basha, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës, do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Ndërsa Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në çështjen Gërdeci, që solli 26 të vdekur dhe qindra të plagosur.
Për Bashën Berisha tha se ai do jetë në atë pozicion që t’u mundësojë shqiptarëve lëvizjen e lirë pa viza.
Ndërsa për emërimin e Mediut, Berisha tha se nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e Partisë Republikane.
“E vetmja gjë që s’mund të bëja unë ishte që t’i diktoja PR emrin e personit që do të sillte si propozim në qeveri.
Lidhur me zotin Mediu; ka pasur një akuzë, siç ju jeni në dijeni, fillimisht për korrupsion, nuk thuhej për korrupsion, por thuhej se ka postuar dhe anashkaluar ushtarakët. Kjo akuzë, në finalizim, ra. Ka një akuzë për shpërdorim detyre. Së pari, unë ju garantoj se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të zbatojë çdo vendim të drejtësisë. Së dyti, dua të jem shumë i qartë, për qeverinë time dhe mazhorancën time, imuniteti nuk ekziston. E kemi faktuar këtë gjë mandatin e kaluar, por ky standard është i gjithëfuqishëm edhe gjatë këtij mandati”, - tha Berisha. Më pas kryeministri e ka lavdëruar Mediun duke thënë se ai është një gjeolog i mirë dhe do e bëjë siç duhet detyrën e ministrit të Mjedisit.
Drejtësia në dorë të Nishanit
Ajo që bie në sy me emërimet e Berishës është ai i Bujar Nishanit në krye të dikasterit të Drejtësisë. Ai do të drejtojë një institucion mjaft delikat që synon të rregullojë marrëdhëniet me organet e drejtësisë, marrëdhënie mjaft të acaruara, sidomos pas ngjarjes së Gërdecit.
Por Nishani kohët e fundit ka shfaqur dhe pamundësi fizike për të qenë në krye të dikasterit që drejton.
Të larguarit
Berisha nuk ka dhënë ndonjë arsye të fortë se pse po largon disa ministra, për të cilët ka lëshuar një lumë lëvdatash dhe që kanë bërë një punë të mirë në drejtimin e dikastereve të tyre. Kështu, Jemin Gjana do të lërë Bujqësinë në dorë të Genc Rulit, dhe Gazmend Oketa do largohet nga Mbrojtja për t’i lënë vendin Arben Imamit dhe Fatos Beja do zëvendësohet nga këshilltari i Berishës, Myqerem Tafaj në postin e ministrit të Arsimit.
Berisha “nuk bën” pa Pollon
Ata që u shkëputën nga Berisha para disa kohësh dhe që krijuan një parti të re, kur ai ishte në opozitë, sërish vazhdojnë të jenë të preferuarit e tij. Genc Pollo dhe Ferdinand Xhaferri do jenë dy ministra që do të dalin nga ish-PDR. Por për të parin kryeministri duket se po krijon artificialisht një post, sa për të mos e lënë pa gjë, duke iu druajtur frikës së largimit të tij. Kështu bëri dhe mandatin e kaluar, kur i tha postin e zëvendëskryeministrit. Por këtë mandat, meqë ky post është zënë, Berisha ka krijuar një ministri Shteti, enkas për Pollon.
“Meqenëse trupëzohet posti i zv/kryeministrit dhe i ministrit të Jashtëm, që është shumë normale, do të funksionojë një ministër Shteti për reformat dhe marrëdhëniet me parlamentin dhe ky është zoti Genc Pollo. Zoti Pollo, gjatë këtyre viteve si zv/kryeministër, ka qenë një forcë shumë e madhe e reformave në vend, në fusha të ndryshme. Z. Pollo do të vazhdojë këto reforma sikundër do të mbajë lidhjet e qeverisë me parlamentin”, - tha Berisha.
PDI mbetet jashtë qeverisë
Partia e çamëve nuk do të ketë një post ministror. Edhe pse ka një deputet, aq sa ka Partia Republikane, PDI nuk do ketë përfaqësim në kabinet. Megjithatë, Berisha tha se kjo parti do jetë në qeverisje.
“Problemi është i thjeshtë. Asnjë sekret. Koalicioni ka një numër votash. Kush të dojë, të pjesëtojë postet. Jemi shprehur për proporcionalitet dhe është bërë një ndarje shumë e ndershme. Por të jeni të sigurt që Partia për Drejtësi dhe Integrim do të përfaqësohet qartësisht në qeverisje”, - tha Berisha.
Minoriteti grek në qeveri
Kryeministri Berisha tha dje se tashmë minoriteti grek e ka përfaqësimin e tij në qeveri, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë.
“Zoti Ksera është përfaqësues i Partisë Demokratike dhe nuk është vendosur ministër si përfaqësues i PBDNJ. Jo. Por unë e them që nuk do të krijoja kabinet, pa pasur edhe minoritetin të përfaqësuar, të përfaqësuar nga PD. Unë e kuptoj që përfaqësim më i gjerë është PBDNJ. Por ama, tashmë ka një përfaqësues të tyre, një përfaqësues me të cilin, gjatë këtyre katër viteve, kemi bërë investimet më të mëdha se në çdo periudhë tjetër në zonën e minoritetit, pse ai ka qenë një avokat i shkëlqyer i tyre, i fshatrave minoritare, për ujësjellësit, rrugët, shkollat, për gjithçka. Në këtë kontekst, ai tani merr një detyrë tjetër, por sërish do të punojmë së bashku dhe më vjen mirë që do të punojmë së bashku dhe është anëtar kabineti. Ai është një djalë shumë i zoti, i talentuar, me aftësi të mëdha organizative”, - tha Berisha.
Sërish me një grua
Në parlament numri i grave nuk u ngrit në atë përqindje që e kërkonte Kodi Zgjedhor. Por as në qeveri nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Madje mandatin e ri Berisha e nis vetëm me një grua ministre në krah. Ajo është Majlinda Bregu që do jetë sërish ministre e Integrimit. I pyetur se, pse është ky përfaqësim kaq i ulët i grave në Kuvend, Berisha tha: “Ky është vetëm një fillim dhe le ta marrim si një fillim. Vërejtja juaj qëndron.”
Përgjigjja për Ramën
Kryeministri i është përgjigjur dje bojkotit që po i bën Kuvendit Partia Socialiste. Ai tha se ky është një vendim i Ramës që synon të bllokojë liberalizimin e vizave.
“Zoti Rama përfaqëson një forcë politike dhe merr vendimet që gjykon se janë më të dobishme për veten e tij apo për atë forcë politike. Cilat janë motivet që e shtyjnë zotin Rama? Janë absolutisht motive, me të cilat zoti Rama kërkon që krizën e tij personale ta shndërrojë në një dhimbje për qytetarët shqiptarë për të penguar vizat. Nuk ka asnjë qëllim tjetër. Ai e di që gjatë këtyre muajve që vijnë do të merren vendimet dhe mendon se, duke mos qenë ne parlament, ato vendime nuk do merren, për shkak të mungesës së tij dhe, në këtë mënyrë do të bëjë përgjegjëse qeverinë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Të përpiqesh të bllokosh të rinjtë shqiptarë që të mos lëvizin të lirë në Evropë, si gjithë moshatarët e tyre, të përpiqesh të bllokosh bashkimet familjare, vizitat te njëri-tjetri që shqiptarët i kanë më të nevojshme, sepse asnjë komb nuk ka familjarë jashtë vendit sesa ne dhe e bën këtë të gjithën vetëm për interesat e tua, nuk e di se ku e vendos veten”, - tha Berisha.
Kabineti i ri
Kryeministër
Sali Berisha
Zëvendëskryeministër
Ilir Meta
Ministër i Drejtësisë
Bujar Nishani
Ministër i Financave
Ridvan Bode
Ministër i Brendshëm
Lulzim Basha
Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Genc Ruli
Ministër i Mbrojtjes
Arben Imami
Ministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës
Dritan Prifti
Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Sokol Olldashi
Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Myqerem Tafaj
Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Spiro Ksera
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Ferdinand Xhaferri
Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Fatmir Mediu
Ministër i Shëndetësisë
Petrit Vasili
Ministër Shteti për Reformat dhe Marrëdhëniet me Parlamentin
Genc Pollo
Ministre e Integrimit
Majlinda Bregu