Shtyhet “Gërdeci”. Familjarët e viktimave, Mediu ministër: Turp!Nga TemaPër të tretën herë radhazi ka dështuar nisja e procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shtyhet “Gërdeci”. Familjarët e viktimave, Mediu ministër: Turp!Nga TemaPër të tretën herë radhazi ka dështuar nisja e procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Ndërkohë, familjarët e viktimave, të cilët kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, e kanë cilësuar një turp emërimin në postin e ministrit të Mjedisit të Fatmir Mediut. Sipas tyre, ky i fundit duhet të jetë prapa hekurave dhe jo në sallën e gjyqit. Vetëm dy ditë më parë, një grup gazetarësh dhe opinionistësh kërkuan me anë të një peticioni të hapur mosemërimin e Mediut si ministër i Mjedisit.
Reagimi
“Turp!” Kështu e kanë cilësuar familjarët e viktimave të Gërdecit emërimin e një prej të pandehurve kryesorë të kësaj tragjedie, Fatmir Mediu, si ministër i Mjedisit. Këta të fundit janë shprehur të indinjuar me veprimin e kryeministrit Berisha, i cili, edhe pse Mediu është i pandehur në një çështje gjyqësore, e ka vendosur atë në krye të Ministrisë së Mjedisit. Familjarët e tragjedisë së Gërdecit thonë se, për sa kohë dosja penale ndaj Fatmir Mediut është në proces gjykimi, nuk është e moralshme që ai të jetë në kabinetin e qeverisë. Me rimandatimin e tij si deputet Mediu fitoi sërish imunitetin dhe tashmë Prokurorisë së Përgjithshme i duhet që t’i kërkojë sërish Kuvendit heqjen e imunitetit, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, pasi prokuroria nuk është shprehur për këtë çështje. Edhe nëse prokuroria do të kërkojë heqjen e imunitetit, procedurat e ndjekura mund të zgjasnin për muaj të tërë. Duke parë që me shumë mundësi Fatmir Mediu nuk do të gjykohet për ngjarjen e 15 marsit, familjarët e viktimave të Gërdecit kanë reaguar pak kohë më parë, duke kërkuar gjykimin e tij patjetër, në të kundërt do të bëjnë vetëgjyqësi. Ndërkohë, emërimi i Fatmir Mediut në krye të Ministrisë së Mjedisit ka shkaktuar reagime të shumta. Reagimet e para në fakt kanë ardhur nga vetë partia, të cilën ai drejton, teksa një prej njerëzve më me autoritet në Partinë Republikane, Sabri Godo, tha se nuk i ishte marrë mendimi nga ana e strukturave të partisë për caktimin e Mediut si kandidat për ministër. Në lidhje me emërimin e Mediut si ministër kanë reaguar edhe një grup gazetarësh dhe opinionistësh, të cilët me anë të një peticioni të hapur i kanë kërkuar kryeministrit Berisha që mos ta emërojë atë ministër Mjedisi. “Deri në përfundim të procesit gjyqësor që po heton mbi përgjegjësinë e zotit Mediu në tragjedinë e Gërdecit dhe zyrtarëve të tjerë, ne gjykojmë se qëndrimi jashtë kabinetit ministror i tij është minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti”, - shprehen gazetarët në peticionin e tyre.
Seanca
Ashtu siç dhe në fakt pritej, seanca e tretë, e cila do të zhvillohej ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës ndaj 28 të pandehurve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ka dështuar. Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të ish-drejtorit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli. Sakaq, në sallën e gjyqit nuk kanë qenë dy të akuzuarit kryesorë për këtë ngjarje, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës. Duke parë numrin e lartë të të pandehurve dhe përfaqësuesve të tyre, përfaqësuesit e organit të akuzës janë shprehur të shqetësuar për ecurinë e këtij procesi, i cili ka ngecur në vend. Duke parë këtë situatë, avokati mbrojtës i Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i Dhomës së Avokatisë, është shprehur se zgjidhja e kësaj situate është ndarja e çështjes, gjë që në fakt është kundërshtuar nga prokuroria, pasi, sipas kësaj të fundit, të pandehurit akuzohen për të njëjtën akuzë dhe ngjarje. Pas këtij momenti seanca është shtyrë për një datë tjetër, me shpresën se përfaqësuesit e të pandehurve do të jenë të pranishëm, çka do të bënte që të hapej procesi gjyqësor.