Pushteti kontrollohet nga krimi, shoqërisë po i zbehet vetëdija demokratikeNga Panajot BarkaMediet e komentuan si “dorashkë të hedhur” ndaj Ramës deklaratën e Berishës ditën e parë të legjislaturës së re të parlamentit se, “opozita le ta zgjedhë si t
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pushteti kontrollohet nga krimi, shoqërisë po i zbehet vetëdija demokratikeNga Panajot BarkaMediet e komentuan si “dorashkë të hedhur” ndaj Ramës deklaratën e Berishës ditën e parë të legjislaturës së re të parlamentit se, “opozita le ta zgjedhë si të dojë ligjin elektoral...”
Në fakt kjo deklaratë nuk ka asnjë lidhje me Ramën, se ai nuk kërkoi ndryshimin e ligjit elektoral. Atë e kërkoi Meta, i cili tanimë nuk është në opozitë. Tezën se “fajin” për humbjen e zgjedhjeve e ka ligji elektoral, i cili u propozua nga PS në opozitë mandatin e shkuar, e përdorën disa kundërshtarë të Ramës, satelitë të Nanos në PS, i cili beson se nëpërmjet Berishës do të plotësojë ambiciet e veta politike. As qëllimi i aksionit politik të Ramës nuk lidhet thjesht me pozicionin politik (në pozitë apo në opozitë) të partisë së tij. Aq më keq me shpëtimin e avenirit personal politik. Ai ka të bëjë me verifikimin e së vërtetës së institucionit të votës si themeli i demokracisë dhe i shtetit ligjor.
Nuk e mohojmë se deklarata e Berishës përbën sfidë, por jo ndaj Ramës. Ajo është një sfidë për të gjithë: individë votues të thjeshtë, institucione, faktorë të brendshëm e të jashtëm etj.
Në këtë kontekst Berisha tha: “Bëni çfarë të doni, hartoni e aplikoni, cilëndo infrastrukturë zgjedhore në Shqipëri. Votoni si të doni. Unë do t’i fitojë zgjedhjet, sa herë të dua!”
Nisur tani nga ky këndvështrim vetoja e PS për pjesëmarrje në punimet e parlamentit pas realizimit të tetë kushteve të saj, fiton një domethënie shumë të madhe për realitetin politik, historik e aktual në vend. Bëhet fjalë për një realitet të sëmurë rëndë, i cili vuan dhe është kthyer në pre i mosrespektimit të parimeve elementare të formimit të një shoqërie civile dhe të një shteti, nga abuzimi deri në krim politik më të drejtën dhe të vërtetën. Argumenti i mjaftueshëm për këtë realitet është sentenca “Luksi i tepruar (i politikanëve tanë) përbën shprehjen më të pamohueshme të fajit”. Në këtë rast koha e maskarenjve po ligjërohet si e gjithëkohshme, për pasojë Shqipëria s’ka për t’u bërë kurrë e shqiptarëve
Kjo do të thotë se sfida e vërtetë e Berishës ndaj Ramës do të qe: “Po, unë pranoj që të dalë e vërteta e votës së sovranit në sallën e parlamentit”. Kjo për shkak se në 20 vjet pluralizëm u bënë 12 palë zgjedhje dhe asnjëherë nuk u bënë të qeta, të pranuara nga të gjitha palët, nuk u bënë një palë zgjedhje pa incidente e pa gjak. Nuk u numëruan një herë votat pa u vjedhur. Ndaj edhe vlerësimi i perëndimorëve se nga një palë zgjedhje te tjetra po bëhen përparime, e humbi masën e vlerës, madje edhe si stimul për të ecur vërtet përpara.
Le të ndodhë precedenti. Të rinumërohen votat. Edhe në SHBA, kur u desh, e bënë. Ndoshta do t’i jepet fund këtij marifeti të vjedhjes së votës. Kush ka frikë nga një proces transparence të akuzuar?!
Përfundimisht, si për çdo gjë tjetër, duhet të ndodhë hera e parë që për këtë gjë kaq të rëndësishme të dalë e vërteta e votës deri në fund dhe secili të mbajë përgjegjësitë e veta.
Ku mund të shkohet kështu? Cila shoqëri mund të jetojë (dhe sa mund të jetojë) me përbaltjen e fajit, me hijen e dyshimit dhe me pikëmbështetje pranimin kolektiv të krimit ose lënien jetim të tij?
Fakti që Berisha nuk pranon sfidën e Ramës, tregon se ai nuk është i gatshëm të pranojë sfidën e së vërtetës. Në këtë pikë kemi arritur nivelin e vitit ‘97, që thirrëm ushtritë e Evropës për të ngritur nga rrënojat tona shtetin tonë.
Mbi këtë themel faji po ngrihet dhe legjitimohet godina e superstrukturës së shtetit dhe të marrëdhënieve antishtet me qytetarin e thjeshtë. Kjo godinë kërkon njerëz që krimin, në të gjitha format e shfaqjes së tij, ta demonstrojnë si vlerë.
Le të bëjmë për këtë një paralelizëm të thjeshtë dhe disa konstatime. Ditën që ministri i Turizmit në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dha dorëheqjen për shkak të aksidentit të rëndë me turistët bullgarë të ndodhur në Ohër, (pavarësisht se nuk kishte asnjë faj), kryeministri shqiptar emëronte në detyrë ministri një ish-ministër të akuzuar drejtpërdrejt për krimin e Gërdecit me 26 viktima, qindra të plagosur e dëme të pallogaritshme materiale....!
Vitet e fundit përherë e më shumë politika kërkon të legjitimojë mbështetjen e saj te shkelësit e ligjit. Për këtë flet fakti i ligjit të legalizimit të ndërtimeve të paligjshme; provat për amnisti fiskale ose zbatimi i heshtur për mbështetësit e mi politikë; thirrja e kryeministrit së fundmi në Himarë për mbështetjen e turizmit elitar në Jon në iniciativën e turizmit familjar duke zgjeruar në mënyrë të (pa) ligjshme ndërtimet private. (Kjo pasi për shkaqe të abuzimeve të rrethit të tij u pezullua masterplani turistik i B. Botërore për këtë rajon. Kjo të kujton vitin ‘94-‘95, kur kryeministri ftonte veriorët drejt detit dhe shqiptarët të kultivonin bimë “industriale” me vlerë të madhe ekonomike.)
Flet shqetësimi i Perëndimit se krimi i organizuar po kaplon politikën zyrtare; se paratë e pista që rrjedhin nga veprimtaria e tij mbajnë në këmbë një ekonomi informale në vend, (që për këtë shkak kjo ekonomi nuk “do t’ia dijë për krizën botërore”); se në duart e krimit të organizuar po grumbullohet e gjithë pasuria kombëtare; se qytetarët e thjeshtë të këtij vendi e ndjejnë veten të përjashtuar nga e drejta e të qenit pjesëmarrës dhe nënshtetas të shtetit.
Ky realitet e quan të drejtë të ligjshme vrasjen e votës. Ky realitet pra imponon në mënyrë urgjente rehabilitimin institucional të sovranitetit të votës në raport me pushtetin. Institucioni i votës, si baza e shtetit të së drejtës, te ne nuk u instalua dhe në çdo palë zgjedhje kërkohen forma më të sofistikuara për ta shkatërruar atë keq e mos më keq. Situata është më emergjente sesa thirrja unanime e politikës në ‘97 drejtuar ushtrive evropiane për të ndihmuar në ringritjen e shtetit.
Mirëpo, në vend që Rama të ishte komod në kërkesën e tij për rehabilitimin e sovranitetit të votës, ai po vuan shigjetimin e realitetit. Si aleat të fortë ka të paktën heshtjen e perëndimorëve, të cilët, (me heshtjen e tyre), kësaj here nuk e panë si antidemokratike e as si bojkot të parlamentit veton e PS. Këtë aleancë e vuri re edhe Berisha, ndaj sulmoi me populizëm qëndrimin e PS. (“Do të pengojë për interesa personale liberalizimin e vizave”, - tha zëdhënësja e PD.)
Shigjetimi i Ramës nuk lidhet fare me gabimet e tij. (Në çdo kohë, kur një individ nga pozitat e liderit synon në qëllime dhe aspirata të larta shoqërore, politike, kulturore, shkencore, ekonomike, gabimet e tij sado të mëdha harrohen. Një shoqëri e civilizuar nuk pret që këtë ta bëjë historia).
Jo, ajo ndodhet nën peshën e klimës së ligjërimit dhe institucionalizimit të së paligjshmes. Po provohet forca e saj reale. Brenda dhe jashtë PS po synohet që aspirata për institucionin e votës të zhvlerësohet. (“Drejtimin e PS mund ta bëjnë, - tha njëri nga kundërshtarët e Ramës brenda partisë, - njëmijë nga njëmijë e pesëqind delegatë të Kongresit të Jashtëzakonshëm të fundgushtit të saj”).
Jashtë partisë, në rrethe mediatike apo dhe opinionbërëse, flitet për irracionalizëm dhe profanizëm në emër të shpëtimit politik të vetes. Po evidentohet një ngutje e individëve të kësaj kategorie për t’i shërbyer pushtetit de fakto që të përfitojnë personalisht prej tij. Shembull tipik, Ilir Meta. Të tjerë pas tij nuk kanë arritur dot këtë nivel paturpësie dhe ngaqë nuk mund të lavdërojnë Berishën (se do të jenë shumë të pabesueshëm), po kritikojnë Ramën. Kështu që peshën e klimës së paligjshme e vuajnë zgjedhësit e thjeshtë që pas kësaj humbasin edhe të drejtën për të punuar e jetuar.
Po vihemi në pozitat e fisit që duhet ta kesh mirë me kryetarin e fisit për të arritur qëllimin tënd. Politikanë, gazetarë, intelektualë, njerëz të thjeshtë po mblidhen kruspull me kurriz të kthyer andej nga fryn era e pushtetit. Po shndërrohen në një shkallinë të gatshme për t’iu shërbyer kryetarëve të fisit-shtet.