E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmimi i parave publike, mjet për rritjen e transparencës



Që prej fillimit të tranzicionit, ekspertët e shërbimeve shëndetësore kanë hasur sfida të vështira për të reformuar aspekte të organizimit dhe veprimtarisë së sistemit shëndetësor, kryesisht për arsye të burimeve të pakta financiare të alokuara në sektorin e shëndetësisë. Reformat në këtë sektor kanë pasur vetëm një ndikim të pjesshëm dhe progresi ka qenë i kufizuar, me pak ose aspak përmirësime të prekshme për popullsinë. Në përgjithësi, vlerësohet se ka shumë probleme me menaxhimin e burimeve financiare të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri. Shqipëria alokon më shumë se gjysmën e të gjitha shpenzimeve të sektorit publik në shëndetësi në kujdesin spitalor (krahasuar me një mesatare prej 38% të OECD). Prirja e 5 viteve të fundit ka qenë një shpërndarje në rritje e shpenzimeve publike e disponueshme për kujdesin shëndetësor dhe medikamente mbi harxhimet e shëndetit parësor.

Në këtë situatë, instituti amerikan Brookings Institution, me qendër në Washington, financoi kryerjen e PETS (Public Expenditure Tracking Survey) nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Shqipëri me titull ‘Përmirësimi i Efektivitetit të Shpenzimeve Publike në Sektorin e Shëndetësisë’. Qëllimi kryesor i PETS është rritja e efektivitetit të alokimit dhe përdorimit të buxhetit publik në sektorin e shëndetit publik shqiptar nëpërmjet monitorimit dhe analizimit të shpenzimeve në institucionet përkatëse. Nëpërmjet tij, do të edukohet dhe bëhet e mundur që grupet civile që punojnë në sektorin e shëndetësisë, të ushtrojnë rol kontrollues ndaj qeverisë shqiptare kundrejt keqpërdorimit të shpenzimeve publike dhe në shpërndarjen më të mirë të tyre në mënyrë që të garantohet cilësia e shërbimeve.

Gjurmimi i parave publike është një instrument për të rritur transparencën e proceseve legjislative dhe procedurale në formulimin e buxhetit në sektorin shëndetësor. Kështu, ai ndihmoi në llogaritjen e shpenzimeve publike për 53 qendra të kujdesit shëndetësor parësor, shërbimeve spitalore dhe njësive të pushtetit lokal, duke sugjeruar rekomandime për ndryshime në politikëbërjen me më shumë transparencë. Ky projekt gjithashtu rrit transparencën dhe përgjegjësinë e qeverisë duke përgatitur një raport gjithëpërfshirës.

Hipotezat kryesore që PETS identifikoi, janë se një pjesë e konsiderueshme e ndarjes së fondeve për shërbimet e kujdesit shëndetësor nuk shkon në destinacionin e menduar. Duke vërejtur se cilësia e shërbimeve është duke u përkeqësuar dhe pagesat e jashtëligjshme për shërbime janë duke u rritur, mund të vlerësojmë se ekzistenca e korrupsionit shoqëron keqmenaxhimin e sektorit në të gjitha nivelet dhe përfundimisht nuk ka transparencë në financimin e sektorit shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu, mund të pranohet se nuk ka harmonizim të veprimeve ndërmjet niveleve të ndryshme në sistemin e kujdesit shëndetësor. Prioritetet e investimeve publike në sektorin shëndetësor nuk përputhen me strategjitë sektoriale dhe kombëtare duke mos konsideruar trendet sociale dhe ekonomike, por kryesisht interesat politike. Ka një mistifikim të çështjeve teknike në leximin e buxhetit që dëmton transparencën në hartimin legjislativ dhe procedural të buxhetit për sektorin shëndetësor. Vlerësohet se ka vonesa në transferimin e fondeve nga qeverisja qendrore tek ministritë e ndryshme dhe institucionet administrative të pushtetit publik.

Duke analizuar më tej ekzekutimin e buxhetit për këto institucione, vëmë re se ekzekutimi i shpenzimeve kapitale nuk ndiqte ritmin e tremujorëve. Normalisht, është e zakonshme prirja për të ripaguar obligimet në fund të vitit, por në këtë situatë nuk mund të garantohet përdorimi i burimeve financiare të buxhetit. Sipas PETS, 36.3% e shpenzimeve publike është bërë në tremujorin e fundit, që vërteton se kjo është prekur nga ndryshime në destinacion apo vonesa të tjera subjektive në prokurimin dhe realizimin e investimeve publike.

Nga pyetësori i përgatitur, rezultoi gjithashtu se 60.2% e buxhetit është parashikuar për paga dhe sigurime sociale, 27.9% për medikamente dhe 8.4% për shërbime kundrejt atyre që nuk paguajnë. Kjo tregon qartë një dobësi të vetë sistemit, në të cilin përveç problemeve të organizimit, ka edhe probleme sociale, evazion në pagesat për kontribute dhe përfitime nga sektori pa kontribuar. Diferencat midis kontribuuesve dhe përfituesve kanë shkaktuar premisa për evazion fiskal të konsiderueshëm që ndikon në rritjen e kontributeve nga taksat e përgjithshme. Në këtë rast, kjo duhet konsideruar si arsyeja për stimulimin në mënyrë jo të drejtpërdrejtë të ryshfeteve dhe elementeve të tjera korruptive të këtij sektori. Kështu, rezulton se 61% e të intervistuarve që përfitojnë nga shërbimi, deklarojnë se mbas vizitës tek mjeku i kanë paguar atij ose infermieres shuma të ndryshme si ryshfet.

Ka disa rekomandime pse PETS duhet të zbatohet në Shqipëri: Së pari, ndikon në rritjen e efektivitetit të alokimit të burimeve dhe përdorimit të buxhetit publik në sektorin shëndetësor parësor shqiptar nëpërmjet monitorimit dhe analizimit të shpenzimeve me institucionet përkatëse. PETS mund të ndihmojë në arritjen e rezultateve nëpërmjet argumenteve se mekanizmat ekzistues të monitorimit duhet të përforcohen dhe ndryshime në politika janë më se të domosdoshme për ta bërë procesin me transparent. Alokimet e buxhetit që gjerësisht ndjekin trende historike, duhet që të jenë një funksion i politikave dhe programeve specifike. Përveç disa përpjekjeve të kohëve të fundit për të institucionalizuar proceset e pjesëmarrjes në hartimin e buxhetit, buxheti në vetvete mbetet në duart e një pjese të vogël ekspertësh. Planifikimi dhe faza e zbatimit janë konsideruar si dy procese të ndara, jo detyrimisht të lidhura me njëra-tjetrën. Në kuadrin e reformimit të sektorit të shëndetësisë, decentralizimi është i rëndësishëm si brenda sektorit, ashtu edhe për të shpërndarë përgjegjësinë, kompetencat dhe funksionet me organet e pushtetit lokal. Përvoja aktuale nuk është shumë pozitive, pasi është karakterizuar nga ndryshime të shpeshta dhe mosbesim të ndërsjellë. Ka ende centralizim të kompetencave dhe administrimit të fondeve publike nga institucionet qendrore.

Ku studim, i mbështetur nga Brookings Institution, përfaqëson rastin e parë pilot të gjurmimit të parave publike për Shqipërinë, ndaj është me interes të nënvizojmë faktin se vlerësimi i sistemeve shëndetësore është një proces i gjatë dhe i qëndrueshëm, që kërkon ndryshime të herëpashershme dhe të vazhdueshme për ta përmirësuar atë.

*Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›