Profecia “Pango”
Ministri i sotëm i Turizmit ka një mënyrë të tijën të të shtruarit të gjërave, veç në një argument ka plotësisht të drejtë. Turizmi shqiptar është në bum të mirëfilltë. Reklama në rrjetin televiziv ndërkombëtar CNN, rritja e sigurisë në vend nga anëtarësimi në NATO, shtrimi i rrugëve të mira që të çojnë në Vlorë dhe Sarandë, linja e drejtpërdrejtë ajrore me Londrën “British Airways” kanë shtuar dukshëm numrin e vizitorëve tek ne. Gjysma e vitit regjistron më shumë se një milion të ardhur (shifër e marrë nga doganat dhe regjistrimet elektronike të hyrjeve të shtetasve joshqiptarë). Ka mundësi që fundi i vitit të shënojë dy milionë të ardhur dhe profecia “Pango” të verifikohet (ministri kishte parashikuar 2 milionë turistë që në mars të këtij viti). Po pastaj? ǒka ndodhur? Dy milionë turistë i thonë të paktën një miliard euro të garantuara që merr vendi. Pra, po vërtetohet një shpresë e madhe. Pse zhvillimi i vendit sot do të varet vetëm tek turizmi dhe punët rurale. Ndërtimi e ka dhënë më të mirën e vet dhe do të kalojë ngadalë në vend të dytë, e pastaj të tretë. Tani e ka fjalën turizmi dhe vetëm turizmi, sa të përgatiten kushtet për një zhvillim rural alla Irlandë. Por a do të bëhen këto gjëra të mira tek ne? Pa dyshim që po. Nuk kemi pse të jemi pesimistë. Por ia vlen të shohim pak edhe xhepat e qeverisë dhe sa zbraz ajo për industrinë numër një të vendit (pra, turizmin). Disa milionë euro (pa futur paratë për rrugët turistike), më mirë sesa në vitin 2006, kur praktikisht nuk dha asgjë. Por ende shumë pak. Turizmi ka nevojë për një fond të stërmadh të zhvillimit të tij. Kroacia në mënyrë shtetërore për tetë vjet radhazi (1998-2005) dha mbi 150 milionë euro çdo vit. Prandaj dhe ka një bum e zhvillim të qëndrueshëm turizmi. Dhe këtë vend e vizitojnë çdo vit mbi 6 milionë turistë. Mund të bëhemi ne një ditë si Kroacia? Mundet që ç’ke me të. Por duhet që çdo komunë e bashki bregdetare (të paktën) të shikojë mundësinë të largojë mbeturinat. Nuk ka turizëm me hedhurina gjithandej. Vjen nga Budva e Malit të Zi dhe hyn në atdhe nga dogana e Murriqanit. Sa hyn, gjen pirgje mbeturinash në rrugën që të çon në qendër të Shkodrës. Qese plastike e hedhurina të tjera dallon edhe në rrugën Shkodër - Tiranë. Po të pastrojmë vendin, do të na vijnë të paktën dy herë më shumë turistë. Për këtë të jemi të sigurtë. Dhe pastrimi nuk ka të bëjë me një kamion IFA që siguron një ditë maji dhe thua se e bëre detyrën për turizmin këtë vit. Pastrimi është sistem dhe duhet punuar me kokën ulur për ta ngritur e siguruar atë gjatë gjithë vitit. Por sa kryebashkiakë e kryekomunarë e mendojnë kësisoj? Nëse qeveria do të bëjë diçka po kaq me vlerë sa harxhimi i parave për reklamë në CNN apo Euronews, është të gjejë fjalën e bashkëpunimin me kryekomunarët e kryebashkiakët pa dallim feje politike. T’i mësojë si duhen bërë punët në turizëm dhe t’u vijë në ndihmë me ato mjete që u mungojnë. Turizmi po tregon një fytyrë shpresëdhënëse në Shqipëri. Në radhë të parë në rritjen e kulturës së shërbimit nga ana e hotelierëve dhe kamerierëve vlonjatë apo sarandjotë. Ky ndërgjegjësim i atyre qindra dhe mijëra punonjësve privatë të turizmit duhet të gjejë jehonën e vet në shkollat tona për turizmin. Nuk duhet lënë gjithçka në “mëshirën” e disa dhjetëra mijëra eurove të bashkëpunimit austriak apo ndonjë fondi të PNUD-it. Vetë qeveria jonë duhet të hyjë me po aq para sa shpenzohen për reklamat në “biznesin” e arsimimit turistik. Pse etika dhe profesionalizmi në turizëm janë ata kuaj arabë vrapimi që do të sigurojnë shërbimet turistike shqiptare. CNN apo Euronews mund të sjellin për një vit apo dy disa mijëra të huaj më shumë, por ata dhjetëra e qindra mijëra i kthejnë çdo vit në plazhet apo manastiret tona vetëm mikpritja dhe shërbesa e operatorëve tanë turistikë. Askush tjetër! Prandaj turizmi nuk është vetëm konferenca shtypi apo thënie të forta. Është punë e djersë për mbajtjen e një industrie të jashtëzakonshme. Qeveria duhet të jetë aq e kujdesshme, sa dhe e ndërgjegjësuar të planifikojë që tani në gusht 2008 buxhetin e saj për zhvillimin e turizmit për 2009-ën. Jo thjesht pse është një vit elektoral, por pse me turizmin mund të rriten ndjeshëm edhe pensionet e 700 mijë pensionistëve tanë apo rrogat e buxhetorëve. Vetëm kështu profecia “Pango” merr vlerën që meriton.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli